Shpëtim Duro është trajner i ri i Partizanit. Klubi i kuq zyrtarizoi arritjen e marrëveshjes me teknikun 54-vjeçar, që firmosi një kontratë 3-vjeçare, duke konfirmuar dhe bisedimet e nisura prej ditësh mes palëve. Gjithçka u përmbyll pas një takimi mes presidentit Gazmend Demi dhe trajnerit Duro, i cili do të marrë tashmë drejtimin e 15 herë kampionëve të vendit. Prej ditësh ishte përfolur për një rikthim të Duros në krye të “demave të kuq” pas aventurës në kampionatin maqedonas me skuadrën shqiptare të Shkëndijës së Tetovës. Madje vetë trajneri kishte kërkuar kohë për të dhënë një përgjigje, duke qenë se dhe klubi tetovar dëshironte ta mbante atë në krye të skuadrës dhe për sezonin tjetër. Me Shkëndijën, Duro jo vetëm që arriti të sigurojë mbijetesën në kategorinë më të lartë të futbollit maqedonas, por gjithashtu e kualifikoi skuadrën dhe në Evropë. Për Duron kjo është hera e katërt që ulet në krye të stolit të Partizanit, herën e fundit në vitin 2013, ku u shkarkua pas vetëm pak javësh në drejtim. Prezantimi i Shpëtim Duros do të bëhet ditën e hënë në orën 11.00 në ambientet e klubit të Partizanit. Shpëtim Duro ka preferuar ngjyrat e skuadrës së zemrës, duke mos e vijuar eksperiencën e tij të parë jashtë kufijve shtetërorë, në Maqedoni, në krye të një skuadre shqiptare, sikurse është Shkëndija e Tetovës. Prej datës 25 nëntor 2013, ai e drejtoi këtë skuadër në mënyrë të suksesshme, duke e nxjerrë nga fundi i renditjes dhe mbyllur kampionatin në vendin e katërt, si pjesëmarrës në Ligën e Evropës. Falë mbështetjes financiare të presidentit Lazim Destani, ai gjeti një mjedis profesional pune, çka i dha mundësinë të tregonte vlerat edhe në kampionatin maqedonas. Krerët e klubit nga Tetova dëshironin ta mbanin trajnerin nga kryeqyteti i Shqipërisë, për ta vijuar punën edhe në përfaqësimin evropian, por Duro u tundua nga oferta e Partizanit dhe vendosi të ishte më pranë familjes, sërish pjesë e futbollit shqiptar. Shpëtim Duro ka qenë futbollist i Partizanit. Në rolin e trajnerit ka provuar të drejtojë disa skuadra, duke fituar edhe trofe. Veç Partizanit, Duro ka qenë edhe trajner i Besës, Skënderbeut, Vllaznisë dhe Shkëndijës së Tetovës. Ai ka qenë për njëfarë kohe edhe trajner i Kombëtares U-17 të Shqipërisë, por edhe ndihmës i kroatit Oto Baric, gjatë periudhës që “Oto Maximale” drejtoi kuqezinjtë.
