Ma Sai, PhD Following [1] / Beijing Foreign Studies University
Qysh nga gjysma e dytë e shekullit të 18-të, hapësira e mërgimit të hebrenjve në botë kishte kryesisht dy prirje: njëra ishte emigrimi i hebrenjve evropianë në kontinentin e Amerikës, në vende si ShBA-ja e vende të tjera tëAmerikës latine; tjetra – emigrimi i hebrenjve të Lindjes së Mesme më në Lindje, si në Indi, në vende të Azisë juglindore dhe në vende të Azisë lindore. Vazhdoi kështu deri në periudhën e Luftës së Dytë Botërore, kur, për shkaqe të ndryshme, ShBA-ja, e cila pati pranuar rreth 80 për qind të hebrenjve evropianë, miratoi politikën kufizuese; kurse letra e bardhë e qeverisë britanike e preu rrugën e hebrenjve drejt Palestinës. Kështu, hebrenjtë evropianë në kohën e Hitlerit nuk kishin asnjë rrugëdalje, veç se të kërkonin strehim në vende të tjera. Dhe Shqipëria e Kina, me sfonde të ngjashme politike e shoqërore (historiko-kulturore), u bënë strehë për shumë refugjatë hebrenj.
Përveç sfondit të ngjashëm politik në Shqipëri e Kinë, edhe qëndrimi i popujve të dy vendeve ndaj hebrenjve e kishte një pikë të përbashkët: dhembshurinë për tjetrin në çaste kritike. Kjo u bë arsyeja vendimtare e shpëtimit të hebrenjve në kohën e rrezikut të madh. Mund të themi se është ky virtyt, virtyti i empatisë, që i dallonte këto dy vende nga vendet e tjera, që nuk ua dhanë ndihmën refugjatëve.
Lidhja midis Shqipërisë e hebrenjve ka një histori të gjatë. Sipas Shaban Sinanit, shqiptarët kanë ruajtur në kujtesën e tyre historike dëshmi të një bashkëjetese të qëmotshme me hebrenjtë qysh nga periudha ilire. Lidhjet mund të ndahen kryesisht në katër periudha: a). Në shek. I, për t’u arratisur nga skllavërimi në perandorinë romake, hebrenjtë përfunduan në brigjet e Ilirisë; b). Në fundin e Mesjetës kishte gjenocid tek hebrenjtë në Perëndim për shkak të inkuizicionit; c). Gjatë sundimit të perandorisë osmane, kishte kryengritje kundër përndjekjes së hebrenjve, dhe më vonë u themelua edhe një besim ndërmjetës hebraik-islamik në Shqipëri, besimi i sabetazevistëve; d). E fundit është periudha e Luftës së Dytë Botërore, kur Hitleri shpalli zhdukjen përfundimtare të hebrenjve.
Në kohën më të rrezikshme për hebrenjtë, gjatë Luftës II Botërore, mijëra hebrenj qëndruan në Shqipëri deri në mbarim të saj. Megjithëse gjatë asaj kohe Shqipëria ishte shumë e varur nga Italia fashiste, autoritetet shqiptare kurrë nuk zbatuan formulën e zhdukjes përfundimtare, duke e quajtur çështje të brendshme çështjen e hebrenjve[2]. Sinani tregon në studimet e tij se mbrojtja dhe strehimi nga shqiptarët i hebrenjve ka të bëjë me dy virtyte kombëtare: njëra është toleranca ndërfetare, e cila ka qenë gjatë gjithë kohës veçantia e këtij vendi të vogël; tjetra është mikpritja ndaj të huajve pavarësisht nga rreziku, e cila, sipas meje, lidhet ngushtë me besën e shqiptarëve që njihet qysh nga koha e lashtë. Një varg faktesh tregojnë miqësinë midis dy kombeve të vjetra përballë vështirësive. Sipas Berndt Fischer, në fund të Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri kishte 1800 hebrenj të mbijetuar, pra, së paku 1000 hebrenj më shumë se në regjistrimin zyrtar të vitit 1930[3]. Në vitin 1948 kur u formua shteti i Izraelit, qeveria shqiptare e pati njohur menjëherë.
Përsa u përket lidhjeve të hershme midis Kinës e hebrenjve, janë paraqitur disa teori të ndryshme. Njëra është që qysh nga dinastia Zhou (shek. VIII para Krishtit) ka pasur hebrenj në Kaifeng (qytet në provincën Henan, në mes të Kinës). Ka edhe mendime që hebrenjtë erdhën në Kinë gjatë shek. I pas Krishtit, dinastia Han. E treta, më e pranuar në qarqet akademike, i përmbahet mendimit që shumica e hebrenjve erdhën në Kinë në dinastinë Tang (rreth shek. VIII pas Krishtit) nëpërmjet rrugës së mëndafshit, si edhe nga deti. Sinologu francez Paul Pelliot më 1908 gjeti një meshar në Dunhuang (qytet në Provincën Gansu, vend-nyjë në rrugën e mëndafshit), i cili është shkruar në gjuhën hebraike gjatë shek. VI deri VIII.
Si dhe në Shqipëri, periudha e lidhjeve më të ngushta midis kombit hebraik e kombit kinez, ishte në kohën e Luftës së Dytë Botërore. Sikurse dihet, Japonia kishte një autoritet të rëndësishëm kontrollues mbi jetën politike në Kinë. Gjatë viteve ‘20 e ‘30 të shek. të 20-të, shumë refugjatë hebrenj të Evropës lindore vërshuan në Shangai. Nga viti 1933 deri në qershor të vitit 1940, hebrenjtë në fillim shkuan në Itali, pastaj në Shangai me anije. Ka edhe një pjesë që erdhën më vonë në Kinë nga Franca, Holanda, Belgjika etj. Nga qershori të vitit 1940 deri në qershorin e vitit tjetër, për shkak se Italia i shpalli luftë Britanisë e Francës, rruga detare e nisur nga Italia u bë e pamundur, prandaj hebrenjtë u detyruan të zgjedhnin rrugën tokësore – duke kaluar nëpër Siberinë e Bashkimit Sovjetik, verilindjen e Kinës (që në atë kohë ishte nën sundimin e Japonisë), Korenë e Japoninë, deri sa arritën më në fund në Shangai.
Në qershor të vitit 1941, kur u shpall lufta midis BS-së e Gjermanisë, edhe rruga tokësore u ndërpre. Gjatë kësaj periudhe, kishte një pjesë refugjatësh nga Polonia, Lituania etj., që mbetën në BS, për arsye të ndalimit me rreptësi të emigracionit. Ata, pas vështirësive të mëdha, përfunduan në Shangai, përfshirë edhe 400 mësues e nxënës të Mir Yeshiva-s (Yeshiva polake, shumë e njohur në Evropë si shkollë për rabinë). Deri më 8 dhjetor të vitit 1941, kur shpërtheu lufta në Oqeanin Paqësor, Shangai i humbi të gjitha lidhjet me jashtë. Kësisoj, nuk pati më refugjatë hebraikë që shkuan atje. Bashkësia hebraike e Shangait u bë aq e fuqishme sa të kishte gazetën e vet në gjuhën kineze, The Jewish Voice, veç shtypit tjetër në gjuhën gjermane dhe anglisht.
Që nga viti 1931, në Kinë filloi rezistenca kundër militarizmit japonez, kohë kur edhe Shangai ishte nën sundimin e Japonisë. Pas natës tronditëse që njihet me emrin Kristallnacht (1938), refugjatët hebrenj që u arratisën nga Gjermania, Austria, Çekosllovakia, Hungaria, Polonia etj. arritën në Japoni, por iu refuzua të transferoheshin në ShBA e Kanada, kështu që u detyruan të ndërrojnë drejtim, duke arritur në Shangai, një qytet krejt i panjohur për ta. Peter Eisfelder Horst në kujtimet e tij përshkruan: Duket që asnjëri nuk di gjë për Shangain, as për këtë qytet, as për pozitën e tij të saktë[4]. Të parët hebrenj gjermanë që arritën në Shangai ishin rreth 12 familje, afërsisht 100 persona. Ata hapën kafe, dyqane rrobash dhe u morën me biznes të vogël. Sipas një liste të punëve që hartoi Komiteti Ndihmës i Refugjatëve Hebraikë në Shangai, më 1939 ishin regjistruar 7052 refugjatë, të cilët ishin zejtarë, përkthyes, gazetarë, farmacistë, mjekë, shoferë, artistë, punëtorë, tregtarë etj. Përveç zënies me punë për të mbështetur familjen, siç u përmend, hebrenjtë hapën edhe shkolla për fëmijët dhe themeluan gazetat e revistat, si Gelbe Post (revistë hebraike në gjuhën gjermane), Shanghai Jewish Chronicle (më vonë me emrin Shanghai Echo), The Jewish Voice etj.
Me gjithë gjendjen e atëhershme të luftës, hebrenjtë, në mënyrën e tyre, arritën një lulëzim të shkurtër. Ata hapën dyqane buke, pastiçeri, kafene, restorante etj., dhe një zonë brenda qytetit e banuar prej tyre u quajt Vjena e vogël. Mirëpo kjo kohë nuk zgjati shumë, pasi në dhjetor të vitit 1941 Japonia shpalli luftën kundër Britanisë e ShBA-së dhe në të njëjtën kohë vendosi sundimin e saj të fortë në zonën e koncesioneve. Shumë hebrenj humbën punën. Deri më 1942 gjendja vazhdoi të keqësohej. Në qershor të atij viti, Josef Meisinger, përfaqësuesi i parë i Gestapos gjermane në Japoni, arriti në Shangai, me propozimin e njohur urdhërues drejtuar autoriteteve japoneze për zhdukjen përfundimtare të hebrenjve edhe në Shangai. Ky akt njihet si i ashtuquajtur Plani i Meisinger-it. Plani në fillim nuk u zbatua nga pala japoneze, por pas një viti autoritetet japoneze ndërtuan një zonë izolimi për refugjatët pa shtetësi, e cila ishte e ngjashme me një kamp përqendrimi. Sipas statistikave të vitit 1944, kishte 14245 refugjatë brenda zonës së izolimit[5]. Afër asaj zone ndodhet Ohel Moishe Synagogue, që u bë mbështetja shpirtërore e besimtarëve hebraikë në atë kohë. Për të zgjidhur problemin arsimor të fëmijëve hebraikë, familja Kadoorie themeloi shkollën SJYA (Shanghai Jewish Youth Association) në rrugën Kinchow, ku pati banuar edhe ish-ministri i financave i ShBA-së Michael Blumenthal gjatë rinisë së tij.
Në Arkivin e qytetit të Shangait, ruhet një dokument, i hartuar nga Zyra e Çështjeve Shoqërore e Shangait. Në brendësi të dokumentit njoftohet se drejtori i zyrës ka bërë disa pyetje në formën e një ankete mbi refugjatët hebraikë dhe besimin e tyre. Disa nga pyetjet janë: Sa sekte ka judaizmi? Sa herë në javë mblidhen besimtarët judaistë? A do të regjistrohen këta besimtarë në sistemin administrativ? Kjo dosje jo vetëm tregon mosnjohjen e judaizmit në Shangai, por, në anën tjetër, tregon se në shoqërinë kineze nuk ekzistonte as judofobia, as mospranimi ndaj hebrenjve. Ndryshe nga toleranca fetare shqiptare, një bazë e pranimit nga kinezët të hebrenjve ishte mosnjohja midis dy kombeve, që kupton dhe mungesën e paragjykimeve stereotipike antisemite. Në Azinë lindore, megjithëse Japonia ishte vend aleat i Hitlerit, nuk kishte urrejtje fetare ndaj hebrenjve në shoqëri dhe në këtë kuptim shpëtimi i hebrenjve në Kinë nuk ishte me aq rrezik sa ç’ndodhte në Shqipëri.
Pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, të huajt (duke përfshirë hebrenjtë) me shtetësi gjermane dhe austriake u riathesuan dhe shumica tyre shkuan në ShBA, Kanada, Australi etj.. Midis nja 3000 refugjatëve hebrenj që kishin ardhur nga Evropa lindore, rreth 1000 hebrenj polakë u larguan herët nga Kina. Kurse hebrenjtë rusë kishin më shumë dëshirë të rrinin në Shangai. Në vitin 1948 kur u themelua shteti i Izrealit, u krijua një zyrë në Shangai për të inkurajuar hebrenjtë të shkonin në Izrael. Gjatë viteve 1948-1949, gati 4000 hebrenj u larguan nga Shangai drejt Izrealit. Në kohën kur u themelua e Kina e Re, në tetor të vitit 1949, në Shangai kishte mbi 7000 hebrenj dhe pjesa më e madhe e tyre ishin rusë. Në fillim të viteve ‘50, shumica e hebrenjve shkuan në Izrael, me një numër total prej 5700 vetash. Edhe hebrenjtë rusë u kthyen në ish-BS. Më 1953 në Shangai kishte 440 hebrenj. Më 1956 kishte 124 të tillë, 84 më 1958, më pak se 10 më 1976. Në fund të viteve 1980 pothuajse nuk kishte më hebrenj në Shangai, më saktë vetëm një, që dhe ai u natyralizua në Kinë[8].
Megjithëse Kina gjithmonë ka pasur lidhje miqësore me hebrenjtë, ajo nuk e njohu menjëherë pavarësinë e Izraelit, por i vendosi marrëdhëniet diplomatike më 1992[9].
Në largësinë e 70-vjetëvet të fitores antifashiste të Luftës së Dytë Botërore përkujtimet mbi historinë e hidhur na shtrojnë një pyetje: ç’duhet të bëjmë për të ndaluar rishfaqjen e mbrapshtë të historisë? Siç u përmend më parë, gjatë luftës Shqipëria e Kina ishin të pushtuara nga vende fashiste dhe popujt e dy vendeve s’jetonin në begati. Kur vendet perëndimore mbyllën dyert ndaj hebrenjve, Shqipëria i pranoi ata refugjatë pavarësisht nga rreziku i luftës. Kur hebrenjtë arritën në Shangai, kinezët zgjodhën të bashkëjetonin me të huajt e panjohur. Të dyja kombet, me mikpritjen tradicionale të tyre, shprehën ndjeshmërinë e tyre ndaj fatit tragjik që i priste hebrenjtë, të cilët nuk ishin të përfshirë në luftë. Dhe shpëtimi i një kombi të vjetër nga dy kombe të tjera të vjetra gjatë luftës ka qenë dhe do të jetë përgjithmonë besimi i njerëzve për të ndaluar rishfaqjen e historisë.
Bibliografi:
AA VV, Monografia fetare e Shangait, bot. Shanghai Academy of Social Sciences Press (Akademia e Shkencave Shoqërore e Shangait), 2001.
Hobsbawm, Eric, Nation and Nationalism since 1780 – Programme, Myth, Reality. Shangai, bot. Shtëpia Botuese e Popullit e Shangait, 2013.
Kranzler, David, The Jewish Refugee Community of Shanghai, 1938–1945, bot. Shanghai Joint Publishing Press, 1991.
Sinani, Shaban, Hebrenjtë në Shqipëri – prania dhe shpëtimi, Tiranë, bot. Naimi, 2009.
Song, Lihong, From Sinai to China, Beijing, shtëpia botuese Sanlian, 2012.
Xu, Buzeng, The Jewish Cultural Elite of Shanghai, Shangai, bot. Akademia Shkencore e Shangait, 2007.
Zhang, Yanhua dhe Wang, Jian, The Space, the Stories and Shanghai Jews-Hongkew Ghetto, Nanjing, shtëpia botuese Yilin, 2011.
[1] Për tëgjithë albanologët njihet me emrin Bora.
[2] Shaban Sinani, Hebrenjtë në Shqipëri – prania dhe shpëtini. Tiranë, Naimi, 2009, f. 39.
[3] Ibid., f. 67.
[4] Peter Eisfelder Horst, Chinese Exile – My Years in Shanghai and Nanking, edit. Makor Jewish Community Library, 2003.
[5]David Kranzler, The Jewish refugee community of Shanghai, 1938-1945, edit. Shanghai Joint Publishing Press, 1991, f. 377.
[6] Citim sitografik në http://digitalcollections.lmu.edu/cdm/ref/collection/sjrc/id/9
[7] Nga Arkivi Living Bridge.
[8] AA VV, Monografia fetare e Shangait, bot. Shanghai Academy of Social Sciences Press (Akademia e Shkencave Shoqërore e Shangait), 2001, f. 594.
[9] Më 1950 Izraeli e njohu Republikën Popullore të Kinës (Kina e Re), mirëpo në të njëtën kohë ruajti marrëdhëniet diplomatike me autoritetet e Tajvanit. Kështu, Kina nuk i vendosi marrëdhëniet diplomatike me Izraelin në atë kohë.