Një shoqëri mund të jetë e kriminalizuar kur pushtohet nga krimi në përgjithësi, por një shoqëri që bënë krime ndaj femrës, nuk është gjë tjetër veçse një shoqëri idiote dhe pordhace. Një burrë që kryen një krim të çfarëdoshëm, meriton gjykim sipas të gjitha ligjeve në fuqi, por një burrë që keqtrajton gruan e vet, thjesht duhet kastruar. Një mashkull që mund të dergjet nëpër mejhane, nën avuj alkooli, duke rrëshqitur sytë nëpër shalët e grave të botës, mund të jetë thjesht i degjeneruar, por një mashkull që më pas shkon dhe therë në shtrat gruan e vet, ai është vetëm një shpellar. Duket se krimi është harbuar me të gjithë, por me gratë ai është çmendur, gjë që tregon se kjo shoqëri ka deformime ulëritëse në themelet e saj. Nuk është fjala se kemi tiparet të një shoqërie maskiliste, nuk është fjalë se nëpër skutat e ndërgjegjes sonë, ruajmë më së shumti blozë nga shekujt e kaluar, nuk është fjala se manifestojmë shenja të një shoqërie ta pa civilizuar që sapo ka dalë nga terri, por më shumë se kaq. Kjo shoqëri, nuk ka thjesht në gjirin e saj elementë të krimit, por në raport me gjysmës e saj, ajo ka një qëndrim totalisht kriminal, i cili duhet parë në disa aspekte.
Së pari, ky kriminalizim ka një shtrirje të frikshme horizontale, sepse e gjitha kjo shoqëri, ku përfshihen dhe burrat dhe gratë, si në asnjë vend të civilizuar të Europës, ka në themel qëndrimin poshtërues ndaj gruas. Gruan nuk e poshtërojnë jo vetëm burrat, por gruan e poshtërojnë edhe vet gratë! Ne jemi një shoqëri që dalldiset në këngë dashurie ndaj gruas, por vetëm për gruan e botës dhe kurrë për atë që gjithkush ka brenda mureve të shtëpisë, një shoqëri që ka dhjetëra organizma për “mbrojtjen” e gruas, të kthyera në mejhane grash-burra, ku morali dhe dinjiteti i grave kthehet në mjete përfitimi për drejtuesit e tyre, një shoqëri që mburret deri në jargavite me ligje të egra ndaj grave, të nxjerra nga myku i shekujve, ndërsa pa pikë turpi përditë mbushë bordellot dhe trotuaret e botës me gratë e saj. Kjo (anti) shoqëri ka edhe ligje, por ligjet duket se enden në periferi dhe nuk guxojnë të hyjnë brenda saj. Ato ligje nuk guxojnë të kapërcejnë pragun e derës dhe të shikojnë se brenda tyre ne jemi duke përdhosur gjysmën tonë. Gratë po vriten një nga një prej burrave mostra dhe askush nuk vë kujën, sepse kjo shoqëri është e gjitha fajtore. Ajo është tmerrësisht e ndarë edhe në raport me ligjet. Duket se kemi një shoqëri burrash dhe grash kokulur, thuajse skllave që endet rrugëve, që troket nëpër zyra, që çirret nëpër mitingje me sy përgjërues, që shënon emrin nëpër lista dyqanesh, që shpesh e ndjen veten të denigruar dhe pa mbrojtur, dhe një shoqëri tjetër, brenda mureve “të kullave”, e përbërë nga burra harbutë dhe gra të dhunuara, një shoqëri ku epshet e gjysmës kthen në përdhosje dhe krim ndaj gjysmës tjetër.
Së dyti, kriminalizim ka shtrirje vertikale, i cili “dirigjohet” nga lart poshtë. Ne zgjedhim atje lart në krye një burrë, i cili të parën gjë që bënë është të na shajë nga “nëna dhe motra”. Kjo ndodhë sepse edhe në trurin e tij, gratë dhe motrat janë “e keqja” jonë, janë pika jonë më e errët, për të cilën dhe mund të shahemi dhe mund të fyhemi. Me mentalitetin e marrë zvarrë nga shpellat, ai e di se ne mund të jemi “të mirë”, mund të jemi “pa cene”, po ne kemi një cen të vetëm dhe ky cen janë nënat dhe motrat tona. Ai nxjerrë “pallën”, dhe jo vetëm burrat, por edhe gratë, gra të zgjedhura po nga ne, gra të bëra “burra”, e shikojnë në dritë të syrit të ngazëllyera që ai di t’i shajë aq bukur ca gra të tjera. Ndihen mirë që i pari i vendit nuk e pati me to. Qeshin idiotisht deputete, ministre e kryetare parlamenti, duke harruar se diku rron një grua, mbi të cilën u lëshua “palla” fyese e të parit të vendit.
Më poshtë akoma, janë mijëra gra të pafajshme me tmerrin se mos ai burrë harbut në të folur dhe “pallën” zhveshur, braktisë ekranin. Të turpëruara si ato nga fëmijët e tyre, të fyera deri në palcë, hedhin sytë pak më tej tek burrat dhe heshtin plotë frikë. Ai burrë, ka zbritur shkallët një nga një, ka braktisur ekranin dhe është kthyer në një tiran të vogël dhe fyes për shpirtin e tyre, në trajtën e imazhit të burrit të tyre. Ai burrë si produkt ekrani dhe bloze, aromë alkooli dhe temjani, duhme stalle dhe ligësie që nuk mendon si të dashurojë por si ta përdhosë atë grua që ka pranë.
Së treti, këta burra të vegjël, janë pjesa më e kriminalizuar, sepse ata kthehen në killer të grave të tyre. Këta tiranë skutha brenda atyre mureve, e burrecë jashtë tyre, këta të lindur të liq, këta meshkuj kot, nuk pranojnë asnjë lloj ligji, po nxjerrin nga skutat e shpirtit të tyre, terrin që kanë sjellë me vete dhe e derdhin egërsisht mbi fytyrën e gruas, (skllaves) së tyre. Këta të padenjët për të qenë prindër, harrojnë se para vetes, kanë nënën e fëmijëve të tyre. Këto pjella të së keqes që nuk meritojnë të kenë lindur nga asnjë bark nëne, nuk kanë guximin t’i shikojnë gratë në sy dhe të dallojnë tek ato nënën. Këta të padenjë për t’u quajtur burra, harrojnë se ato u dhanë tisin e burrit. Këta meshkuj që nuk din të dashurojnë kurrë, por vetëm të jargaviteni, harrojnë se ato u falën hiret e tyre, ato u falën veten e tyre, harrojnë se ata në ëndrrat e këtyre grave, kanë qenë imazhi i jetës së tyre, ndërsa një ditë u shfaqen si mostra të vërteta. Këta të deformuar nga çdo lloj koncepti moral, ndërsa flasin për bukurinë e grave të botës, harrojnë se edhe gruaja e tyre është femër si ato. Ndërsa ngjirin gurmazin, duke i kënduar grave të tjera, sa shikojnë se edhe gruaja e tyre, mund të ndihet femër në rrugë, shtëpi a lokal, mund të qesh edhe ajo, mund t’i zbukuroj sytë edhe ajo, u zgjohen instinktet dhe rrëmbejnë armën kundër tyre, sepse bukuria e tyre është për ta tradhti. Këta sarhosh me personaliet të deformuar, që harrojnë se edhe qeni e mban më ngrohët femrën e vet, nuk e meritojnë të shkojnë në shtrat me asnjë grua dhe aq më tepër me nënën e fëmijëve të tyre.
Ndoshta edhe gratë e baltosura nga balta e hedhur prej pjellave të tyre, të vrarat nga gjaku i tyre, duhet ta marrin në dorë jetën e tyre. Ndoshta “marrjen në mbrojtje”, që ua “japin” ligjet e këtij vendi, të lloj-lloj kopukësh barkmëdhenj, duhet ta refuzojnë me neveritje. Të refuzojnë atë “mbrojtje” të këtyre burrave maskarenj që janë “në mbrojtje” e tyre tek dera dhe që nuk ndryshojnë shumë nga soji i burrave të tyre. Ata rrinë aty si guhakë e ndërsa shikojnë burrat që hyjnë tek gratë, presin të vijnë më pas për të mbledhur gëzhojat dhe për të përshkruar krimin ndaj tyre. Ato duhet ta pështyjnë në surrat këtë mbrojtje dhe këta burra!

Si te behesh njeriu me i lumtur ne bote
FEMER……… E godet duron…, e vret mbijeton…., e lendon
reziston…, ka dhimbje sherohet…, rrezohet
por vazhdon te eci perseri…, qan por than
dhe lotet…, shembet ringrihet…, humbet
shpresat por i ringjen ato…, fundoset por
arrine del ne siperfaqe perseri…, bishe por edhe e bukur…, e ftohte por edhe e dashur…,
hidherohet por gjen kunder helmin…, ska
force por e gjen fuqin…, humbet por pranon
vetem fitoren…, i erren syte por ajo gjen
force te shikoj…, humbet shpresen por jo
pergjithnje, zhgenjehet por perseri enderron, beson… kjo eshte FEMRA.
Një mrekulli e natyrës është femra….por një “shoqëri idiote dhe pordhace” siç thotë dhe autori, nuk mund dhe nuk di si ta vlerësojë. Sepse kur dhuna ushqehet në sistem, dhunohet dhe vetë burimi i jetës dhe bukuria e saj. Egërsia me të cilën pushteti tek ne udhëheq jetën në çdo nivel, është e tillë sa nuk lë vend për respekt reciprok midis qenieve njerëzore, kështu dhe në marrëdhëniet burrë-grua.
Koncepti i “më të fortit” si në çdo nivel reflektohet dhe tek marrëdhënia burrë-grua,duke harruar se në vetvete “më e forta” në çdo rast është pikërisht femra, duke filluar nga Nëna, mbretëresha e vërtetë.
E pra, për këtë shoqëri ka ardhur koha të distancohet njëherë e mirë nga egërsia dhe injoranca gjinore. Bur(r)a me një r, kanë ekzistuar e do të ekzistojnë, por është detyrë e çdo shoqërie që të ngrejë në sistem, Respektin Reciprok edhe mbi baza gjinore. Natyrisht kjo arrihet duke ngritur në sistem edukatën, kulturën dhe kultivimin e një shoqërie mbi baza të vërteta emancipimi. Dyshoj se këtë mund ta arrijnë sistemet me pushtete si ky bajraktarizmi ynë.
Le të shpresojmë zbutjen e situatës, me ndryshimin e mentalitetit dhe drejtimit të politikave të reja në shoqëri, sepse problemet sociale dhe shkalla e emancipimit të një shoqërie, është një proces në vazhdimësi dhe që nuk mbaron kurrë, sepse këtu ndërthuren shumë faktorë, ku përmendim ato kulturorë, trashëgimorë, individualë, psikologjikë, ekonomikë, shoqërorë, etj. etj.
Pezulloni nga ekranet serialet Turq te krimit,tek te cilet shqiptaret gjejne veten si patologji e krimit,te gjendur ne skutat e subkoshiences shqipatre, te presuara nga sundimi 500 vjecar i tyre, qe pothuajse ja dolem te shkeputemi,por per fat te keq “dikush” nderhyri per ti rilidhur e risalduar mbi nje plage qe ishte akoma e pa thare.Kejo duhet te jete terapia e pare pastaj analizoni te tjerat.