Qëkurse u shporr nga pushteti me votën dërrmuese të sovranit, opozita ka lëshuar herë pas here një lumë akuzash, sulmesh, shpifjesh, sajimesh e mashtrimesh nga monstruozet ndaj mazhorancës e në veçanti ndaj kryeministrit Edi Rama. Çuditërisht dhe paradoksalisht tellallet papagallë të opozitës duke filluar nga kryetari defakto, ai dejure, ristanët, palokët e halimët, zëdhënësit e deri te bukuroshja Grida Dume e fillojnë dhe e ngrysin ditën e punës duke sharë, anatemuar përgojosur dhe akuzuar mazhorancën dhe kreun e saj. Arsyeja është se nuk bëjnë dot opozitën e duhur me vizion dhe alternativa më të mira, por mesa duket e kanë më të lehtë e më të thjeshtë të bëjnë një opozitë destruktive dhe aspak normale. Pra thënia e çdo oratori opozitar është kryeministri duke e lakuar Edi Rama kështu dhe ashtu, këtej dhe andej, lartë e poshtë e lartë e pambarimisht në vazhdimësi. Madje hedhin shashka e tullumbace të pabëshme për askënd duke shpifur paturpësisht se kryeministri aktual është pjesë e bandave, madje kryetari i tyre dhe kreu i kartelit të drogës megjithëse kultivuesit, përpunuesve e kapove të Lazaratit tashmë u janë prerë duart.
Ky s’është gjë tjetër veçse një anormalitet opozitar që ka si synim të vetë që të mos i shërbejë zhvillimit por pengimit të ecjes përpara të vendit dhe shoqërisë tonë që aspiron t’i bashkohet familjes moderne europiane. Pra gjithë kjo furtunë akuzash e kritikash të ngritura ashtu në tym dhe pa i verifikuar në fakte e argumente nuk mund të bindin askënd duke i marrë ato çka thuhen me shumë rezerva e dyshime. Është pikërisht kjo arsyeja që kryeministri deklaroi: “Sikur një prej atyre që thuhen të jetë e vërtetë, i dorëzohem drejtësisë”. Por, gjithsesi ne kemi një prokurori dhe do ishte mirë që opozita për pretendimet që ka t’i drejtohet organit të akuzës pasi kështu po bëhet qesharake dhe aspak serioze ndaj qytetarëve.
Emanuel Kanti ka thënë: “Kur shpif ndaj tjetrit, thua gjëra që i ke bërë apo je në gjendje t’i bësh vetë”.
Shkurt dhe qartë, mjaft më me shpifje se rruga që po ndiqni zotërinj opozitarë është një filozofi e dështuar dhe diskredituar.
Letër e nënshkruar,
Nga Pali Nito
