Dërguar me Email
Në adresën e redaksisë
Jam i çuditur që ka njerëz që mendojnë se vendi mund të destabilizohet me dy kokrra vezë kundër Edi Ramës. Mos u mërzisni, vendin deri tani vetëm një burrë e ka destabilizuar. Ky është Sali Ram Berisha. Rrezikon ta destabilizojë seriozisht edhe Edi Rama me sjelljet e tij të çuditshme me shqiptarët që e votuan, por edhe me sjelljen e tij ndaj Saliut. Për dy vezë që nuk e prekën fare Edin, u mbajtën të arrestuar për 7 orë tetë studentë.
Për 12 milion lekë që mua më vjedhin shpejt e shpejt hajdutët natën si pa gjë të keq, nuk shoqërohet dhe nuk arrestohet askush. Përkundrazi, policia tallet dhe askujt nuk i hyn gjemb në këmbë. Për të disatën herë kontrollohet biznesi me gjithçka në rregull. Dhe qeveria zgërdhihet me varfërinë dhe kanos me një kupon për turpin e vet. E dëgjova Kryeministrin që ju tha atyre grave në Tiranë, mu afër vendit të vezëve: “Mos u mërzisni! Do t’ju japim një certifikatë që ta vini tek dera dhe tatimorët nuk kanë për t’ju ardhur juve që jeni të rregullt!” Më së paku kjo është lajthitje. Zoti Kryeministër! Po atyre bizneseve që nuk janë në rregull e që nuk e kanë atë certifikatën tënde, si do t’ua bësh? Po shteti nuk drejtohet me polici e me burg. As me kanosje e me gjoba. As duke ia kërrusur shpinën fukarait dhe duke u zgërdhirë me të fortin e hajdutin. Nga L.M
