Rruga për të shkuar deri atje ishte tepër e lodhshme. Ndoshta më e lodhshmja që kisha provuar ndonjëherë. Ende nuk kishte një rrugë makine për të qenë dhe duhej t’u jepje këmbëve.. Golemi është lartë në male, thuhej se ishte ngritur në një rrafshnaltë të ngushtë, 1000 metra mbi nivelin e detit, ku shihej një hektar qiell. Malet e Pusit dhe te Bucelës, honet drejt Kaparielit, ku ka burimet lumi i Kardhiqit, pastërtia e ajrit, ca vargmale të tjerë më të lartë diku drejt jugut tepër të përthyer e të bukur njëherësh, i jepnin këtij fshati një magji kureshtare. Lodhja të ikte menjëherë sa kapërceje qafën dhe një buzëqeshje të mbinte vetiu në buzë. Shumë shpejt do të përballeshe me humorin shpotitës të banorëve të këtyre anëve dhe… gjej vrimë ku të futesh! Por ç’them kështu! Të gjitha dyert i kishe të hapura. Madje po të ishe aq i uritur sa të mos duroje të arrije deri në qendër të fshatit, mund t’u bëje zë ca banorëve që prashisnin misrin në fushën e ngushtë sa një gjuhë lope dhe,.. ja menjëherë do të hapeshin trastat. Nuk i gjeta asnjëherë aq të mbushura, aq të pasura sa të më kënaqnin shpirtin. Ja, ashtu me një copë të madhe bukë misëri të verdhë, me paguren e dhallës të shtypur nga përplasjet, e ftohtë dhe e shijshme si në rrallëvend, apo me ndonjë copë djathë ku dalloheshin ende vijëzat e rrobës ku kishte kulluar.
Në ato vite, – flas për mesin e viteve ’60 sa ishin bërë kooperativë, – unë shkoja si një njeri i rëndësishëm, ndonëse nuk isha veçse një instruktor i thjeshtë rinie. Por atje “rëndësia” e pozitës merrte goditje të tilla aq të fuqishme sa ishe i detyruar “t’i zbrisje kalit” pa thyer turinjtë… Shpirti i golemasve ishte aq i lartë sa qielli mbi kokat e tyre. Besoja me fanatizëm se këtu ishte ajo pjesë e pastër, e papërlyer e një gjinie njerëzore që dinte se ç’ishte bujaria.
Burra si Zenel Banushi, Arif Nikolli, Sefer Nikolli, Besho Bedaj, Besho Çoçko, Zilfo Vasili, Dalip Korkuti, Riza Bizhga, Demçe Shkurti, Ali Bedo e të tjerë burra dhe gra si Alime Bedaj – e bija – e trimit të Kurveleshit Sulo Beqiri, Vovo Likaj, Bedrie Islamaj, që njoha më nga afër, kanë qenë të rrallë në jetën time.. Sidomos po të kihet parasysh si ky djalë qyteti, siç isha unë, me një trastë slogane në sup, të cilat thërrmoheshin pas pesë minutash, me turp për të hyrë lirisht në portat e shpirtit njerëzor, ndjeja se në Golemin e Labërisë gjithçka bëhej më e thjeshtë, më e lehtë…
Tek i kujtoj tani ndihem ende i ri, tepër i ri, madje i vogël në kuptimin e moshës, dhe më vjen keq që nuk kam mundësi ta rikthej këtë mirësi burrash. Një pjesë e tyre tani nuk rron më. Por ata ishin, si të thuash, prapavija e atyre të rinjve ku duhej të mbështetesha dhe shpejt e kuptova se tek ata ishte filizuar shpirti i etërve të tyre. Bashkëmoshatarët e mi si Çeme Nikolli, Daut Islami, Ajaz e Alush Nikolli, Skënder Kokuti, Abaz Goxhaj, Bastri Islami, Bejkush Bizhga, Bardho Leskaj, Mukait Kërra e të tjerë, kishin shumë nga shpirti i atyre burrave, të cilët në fillim i shikoje me droje e më pas i adhuroje.
Të shkoje në Golem, si në shumicën e fshatrave, duhej të prisje mbrëmjen për të mbaruar punë. Sepse njerëzit ishin në punët e përditshme. Në Golem shumica merrej me blegtori, dhe të mblidhje rininë e fshatit nuk ishte edhe aq e lehtë. Dhe të duhej të prisje aty, në shesh të fshatit, përpara një kafeneje të vjetër ku bëhej kafe me kamineto dhe ku romuzet e burrave ishin shpotitëse. Në këto dialogje hidh-e-prit bëhej po aq politikë e ekonomi sa edhe në gazetat më të mëdha. Aty regjistrohej një kronikë e gjallë e jetës së fshatit, të fshehtat nuk mund të fshiheshin dot nga mprehtësia e së vërtetës, ndërsa kontradiktat me sistemin e vlerave politike fitonin një demokratizim të vërtetë. Golemasit ishin armiq të frazave të fryra, të sloganeve pa bereqet dhe, duke qenë tepër të varfër, tepër të munduar nga punët dhe terreni i vështirë, e vështronin jetën në me skepticizëm. Mjerë zyrtarët fodullë se ç’hiqnin nga ironia e tyre! Dhe barcaletat nga Golemi nuk kanë të mbaruar.
Por edhe për Islamajt ndjeja gjithashtu simpati të veçantë. Më shumë miqësi pata me Dautin dhe vëllanë e tij Siriun. Këtë të fundit e ndoqën disa fatkeqësi ndaj edhe e ndjeja shumë dhimbjen e tij. Fare i ri humbi gruan, ndërsa vite më pas i biri, 22 vjeç, që punonte në polici, u vra në një aksident automobilistik. Me gjithë këto drama familjare kurrë nuk e pashë të lëshonte veten. As atë humor golemas nuk e humbi kurrë. Me B. Bizhgën do të miqësohesha më vonë. Prej tij kam patur ndihmë të gjithanshme. Megjithatë midis nesh do të ndodhnin ngjarje që shpesh rrezikonin miqësinë tonë, por unë nuk e lëshova kurrë atë njeri, pavarësisht se mund të mos isha dakord me ndonjë qëndrim të tij. Diçka ndodhi aty nga viti 1985. Vinte në Gjirokastër Adil Çarçani, aso kohe Kryeministër, me vendimin për të më shkarkuar nga detyra mua dhe ish-kryetarin e komitetit ekzekutiv, sikundër do të “zgjidheshin” dy të tjerë. Ishte një mbledhje e vështirë dhe në raste të tilla njeriu kërkon mbështetjen e miqve të vet. Një mbështetje “parimore”, siç thoshim ato vite. Natyrisht aty njiheshin edhe shokët e vërtetë. Dhe një mbështetje të tillë pata nga gjirokastriti Pelivan Manga. Kurse miku im që ishte anëtar i byrosë së partisë se rrethit dhe njihte me të vërtetë fakte të rëndësishme që mund të më lehtësonin, pranoi më mirë të heshtte. Kjo më vrau shumë. Nuk doja të thoshte veçse të vërtetat. Me sa mësova ky qëndrim nuk do të pritej mirë as në Golem.
Por një ngjarje tjetër e fshiu gjithë këtë mjegull moskuptimi. Duhej të ishte viti 1987. Kthehesha nga Skrapari ku punoja, për në Gjirokastër. Thjeshtë më kishte marrë malli për nënën dhe vëllezërit. Por në Urë të Kardhiqit takova rastësisht shokun tim nga Mashkullora, Ismail Dadaj. Ndala makinën dhe u takuam. Më tha se qe nisur për në Golem sepse atje kishte ndodhur një vdekje. Pat ndërruar jetë babai i Bejkushit, xha Rizai. Ktheva makinën në Votuca dhe iu ngjita të përpjetës së Picarit. Në Golem do të arrija vetëm pak minuta para varrimit. Siç ndodh në të gjitha vdekjet të ndjerin e përcillnin për në banesën e fundit qindra burra. Miku im u prek shumë nga vajtja ime e papritur. Kush më kishte lajmëruar vallë ? – do të pyeste më pas.
Pas varrimit do t’i shkoja edhe në shtëpi. Qëndrova sa ta ngushëlloja edhe një herë dhe u ngrita të ikja. U përqafuam te dera. Te sheshi i fshatit, para se të hipja përsëri në makinë, Siriu bëri “konkluzionet”. “E di përse të kanë caktuar ty në atë punë dhe nuk më vunë mua? Sepse e ke zemrën më të gjerë se e imja”! Të tjerët qeshën.
Shumë shoqëri kisha edhe me golemasin tjetër të mrekullueshëm, Skënder Korkutin. Për shumë vjet ai pat qenë sekretar i komitetit të rinisë për gjithë kooperativën. Qe një djalë me kulturë dhe i zgjuar. Kishte mbaruar fakultetin histori-gjeografi dhe për disa vjet qe edhe drejtor i shkollës së fshatit. Edhe e shoqja, Shqiponja, ishte një ndihmëse e forte e punëve të të shoq. Për shumë vite ata punuan pa u lodhur për të përçuar në masën e fshatarëve atë që na kërkohej. Emancipimin e njerëzve. Porsa shkoja në Golem e kërkoja. Jo vetëm se ndihesha shumë mirë pranë tij, por e dija se ai do të më jepte edhe ndonjë këshillë. E njihte Golemin si rrallëkush.
Përmes Hodo Banushit, për disa vjet edhe ky sekretar i rinisë në Golem, kisha njohur një njeri shumë interesant, Hakan Banushin. Ky, xha Hakani, kishte pasur me gruan e parë një djalë të arratisur në Amerikë, por që së andejmi e kishin nisur disa herë me detyra spiunazhi. Dhe në njërën nga këto “vizita” e mbërthyen. E dënuan me 25 vjet burg. Këtë fakt e mësova që në fillim. Sepse thuheshin menjëherë ato gjëra për kuadrot e partisë që vinin në fshat. Por nga vizitat e mia të shpeshta në Golem vura re se xha Hakanin e respektonte gjithë fshati, Jo vetëm për qëndrimin e treguar gjatë Luftës Nacional-çlirimtare por në përgjithësi për patriotizmin e tij. Ja që i kishte ndodhur ajo ngjarje me djalin! Vështirë se i shkreti prind mund të ndikonte në rrjedhat e jetës së fëmijëve të vet, por as xha Hakani nuk mund të përjashtohej nga humori i Golemit. Hidhte e priste. Mbaj mend se më shumë e ngacmonte Siri Islami. Por xha Hakani dinte t’ia kthente reston menjëherë. Kisha rastisur disa herë në këto batuta të këndshme dhe kisha nisur të ndjeja simpati për atë burrë. Kur nuk e takoja më ngjante se diçka më mungonte. Dhe e kërkoja haptazi. Aq e madhe ishte kjo simpati sa ra në sy të fshatit. Dhe nuk mungoi as ndonjë letër anonime në adresën time ku më akuzonte se lija mënjanë familjet e dëshmorëve dhe preferoja familjet e të arratisurve! Aso kohe një letër e tillë nuk ishte gjë e vogël. Vendosa të nisesha për në Golem dhe aty provokova një mbledhje me popullin. E lexova letrën në sy të të gjithëve. Humori dhe batutat që shpërthyen më pas me siguri e kanë bërë anonimoshkruesin të skuqej. Veç nuk pati kurajon të thoshte diçka.
Kohë më pas, kur isha emëruar kryetar i Komitetit Ekzekutiv te Gjirokastrës, më troket në derë pikërisht Hakan Banushi. Ndjeva vërtetë një gëzim të çuditshëm kur e pashë. Ç’të thyej ndonjë gjë! – thashë duke vështruar vërtetë mbi syprinën e tavolinës. “Ti këtu”? U përqafuam. E shihja që ishte plakur disi. “Hallet e nipërve dhe mbesave qënkan më të mëdha se ato të fëmijëve të tu”!- m’u përgjigj si u shkëput nga unë.
E ula dhe pasi e pyeta për të njohurit tanë te përbashkët nga Golemi, ai nisi te më rrëfente arsyen e vizitës. Donte të dërgonte të mbesën në një shkollë teknike, mundësisht, dhe nuk po çante dot. Ato të drejta studimi që kishin në dispozicion këshillat e fshatrave (sepse atje ndaheshin atë kohë), i kishin marrë të tjerë. Ndoshta edhe ndonjë paragjykim e ndiqte pas mbesën e xha Hakanit. Ishte hija e atij xhaxhai të burgosur. Ndihesha tepër i lodhur atë ditë dhe ardhja e atij njeriu të mirë ishte një arsye më shumë për te ikur nga zyra. E mora për krahu dhe e shpura në shtëpinë time. Pasi bëmë “nxehjen” me nga një dopjo raki, nisëm të rishqyrtonim hallin e tij. Isha vërtetë në pozitë të vështirë. Mbaj mend mirë se ishte 31 gushti i vitit 1982. Të nesërmen shkollat fillonin mësimin. Gjithë numri i të drejtave të shkollimit në shkollat teknike ishte dorëzuar. Planifikimet bëheshin nga Ministria e Arsimit. I shpreha mendimin që Diana, – siç quhej e mbesa,- të regjistrohej në shkollën e mesme bujqësore te Ura e Kardhiqit dhe pas katër vitesh do ta dërgonim në universitet për ekonomiste, apo për veterinere. “Edhe kjo që më thua nuk është e keqe, – tha disi me buzëqeshje plaku i mençur nga Golemi,- Po, a s’më thua, o Elmas, atë karrige që të pashë të uleshe në zyrë e ke të sigurt edhe pas katër vjetësh”?!
I dhashë fjalën se kudo që të ndodhesha do të interesohesha si për fëmijën tim. Kjo e kënaqi. E përcolla deri në Sheshin e Çerçizit dhe porosita shoferin ta çonte deri në fshat. “A, kjo është e tepërt, – ma ktheu përsëri me humor. – sepse atë makinë nuk e ke tënden, apo jo? Po jo, mor jo, – shtoi, – pret korrjera ca më poshtë në agjenci dhe jemi plot nga fshati. Edhe një gjë tjetër, mor djalë. Me sa pashë nga ajo mellë bukë që ke ngrënë në shtëpinë time në fshat, të paskan mbetur akoma nëpër dhëmballë ca thërrime”!
Katër vjet më pas mu desh të pyes për Dianën. Ishte planifikuar për të vajtur në shkollë të lartë pa ndihmën time. Sepse nuk ishin aq tragjike të gjitha këto. Edhe i ati i saj ishte mësues, paçka se kishte te vëllanë të dënuar politik! Ndërsa tani, vonë, pas viteve ’90, kam takuar djalin e Hakanit, atë që kishte ishte dënuar me 25 vjet burg. Më falënderoi për marrëdhëniet e përzemërta që kisha patur me të atin e tij, pavarësisht pasojave që mund të kisha nga takimet dhe vizitat e ndërsjellta në shtëpitë tona.
Epilog
Golemi bashkë me Kaparjelin, si lagje e tij, në atë kohë kishin rreth 190 familje me mbi 1000 banorë, ndërsa sot si të gjithë fshatrat e Shqipërisë, edhe Golemi është braktisur, nuk e ka gjallërinë, zhurmën dhe humorin e dikurshëm. Ata të paktë që kanë ngelur në fshat luftojnë për jetesë e mbijetesë me vështirësitë e terrenit, të tjerët kanë zbritur në qytet, në Gjirokastër, Sarandë e Tiranë, ndërsa më të rinjtë kanë ikur në emigracion. Duke shfrytëzuar këtë rast fatlum, u uroj golemasve, të njohur e të panjohur, kudo që janë: Shëndet, punë e lumturi; u uroj që ata të ruajnë dhe të vazhdojnë traditën e prindërve dhe të parëve, që me mençurinë, shpirtbardhësinë, dhe humorin e tyre brilant e bënë Golemin një fshat të dëgjuar dhe me emër në të gjithë Shqipërinë./E.P.

Shkrim me ndjenjë. Fshati ka qenë fshat dhe njerëzit kanë qenë njerëz. Mencuria e golemasve
ka qenë proverbiale. E përgëzoj autorin e shkrimit…
Ehe, vate dhe Gol€mi. E prishi kurbeti dhe dollari
Kam njohur shume golemas,njeri me me humor se tjetri,te zgjuar,trima dhe te beses,humori
eshte pjese e historise se atij fshati.Golemi dhe golemasit jane krenaria e Kurveleshit te Siperm
dhe te gjithe Laberise,vendlindja e shkencetarit me fame europiane Dr.Bilal Golemi.
Humori është produkt mençurie, të bësh humor do të thotë që mendimi të rrotullohet shumë shpejt në tru dhe përgjigja të jetë hazër-xhevap. Në Golem, si dhe në Shkodër, njerëzit bëjnë garë për të bërë humor ose për ta thënë fjalën në mënyrën më të këndshme të mundëshme…
Njoh shume golemas, njeri me i zgjuar dhe me i shkathet se tjetri. Interesant! Dallojne edhe nga kurveleshasit e tjere! C[te jete valle, mos ndoshta jane race apo fis me vete kaonesh?
Hallall intuita ! E ke qelluar peromën mu ne kokë.
Bravo Elmas Puto. Gjithnje njerezor e me zemer te madhe. te pergezoj…
Shkrim shume i bukur.Nostalgjia per ato vite sigurisht qe eshte e madhe.Artikullshkruesi ne mos gaboje ka qene kuader kryesor ne GJirokaster e Skrapar.Bindem se e ka pasur hak funksionin erendesishem qe i kishin ngarkuar.
I uroje gjithe te mirat.
Ne Golem ka lindur Ahmet Golemi.
Golemi…!
Sapo thua Golem, behu vigjilent, se ta hedhin!
Hajde shpjegoje mencurine e te lidurve aty…!
Kam degjuar per L. Stroken, por kam njohur dhe respektoj pergjithnje Bert Stroken…I urte, pa fjale, kryeinginier i Memaliajt, te li te ne borxh me natyren e tij.
E di Vasili dhe Luani kete kohe atje…:
Te pergezoj per shkrimin Elmaz Puto.
Eshte fisnike te shkruash per njerezit e thjeshte qe ke njohur ne kohen tende. Natyrisht ky shkrim nuk mund te permbledhe dot gjithshka per historine e Golemasve, mbasi Golemi eshte shume, shume me teper se aq.
Arber – Canada
Po Golem ne sllavisht dote thote I madh ..toponim sllav??
Po gjon banushi, krimineli i gjyqeve te birucave Koci Xoxiste,nga ki fshat ishte ?
Nuk rrine zerat e zinj si te lato-s e te Bin-it pa hedhur helm edhe ne shkrime te tilla. Keto komente tregojne se kush jane keto zera te erresires.
nje mundesi e mire per promovimin e prodhimeve vendase ne zona ku turizmi krijon vlere te shtuar per vendasit, mendojeni nje pjate te madhe me petulla nga ato te gjyshes, qe mund te shoqerohen me mjalte nga ai i Sarandes, ullinj mga te Beratit, djath dhe proshute nga ato te Shqiperise se mesme dhe vere nga zonat e Zadrimes. Nje kenaqesi qe zgjon oreksin ne cdo vakt te dites
Nga Golemi eshte edhe intelektuali i shquar Manxhar Taka ,qe punoi me devocion dhe mbeti emer i nderuar ne cdo kohe .Me pune e perkushtim ai ne nje nga librat e tij ,i ngriti monument Dr.Bilal Golemit ,kesaj figure madhore , qe cuditerisht ende nuk vleresohet aq sa ka famen e merituar .
Them se e njoh autorin e shkrimit per Golemin fshat se pat svendesuar Sihat Tosaj ne krye te Partise se rrethit Gjirokaster, per kete fshat ka edhe burra te pa permendur e me emer, por ky mban mend vetem ata te kohes se Partise.
Elma Puto ka qene burr i mire, edhe shkrimi eshte i mire e realist se kujtohen njeres te mire dhe qe jane krenaria e asaj krahine deri ne Kapariel.
Me vjen mire qe dikush u kujtua per te shkruajtur per ate fshat te kendshem e njeres te dashur e me humor thumbues.
SHkrimi eshte shume i bukur.Dalin ne shesh te burrave zakonet e bukura te fshatareve tane. Mikepritja dhe bujaria ke qen kudo ne te gjithe Shqiperine. Keto ngjarje jane jetuar pak a shume me te gjithe te deleguarit e asaj periudhe. Eshte e vertet qe kini qen sekretar i pare i partise ne Skrapar. Ju njoh . Ju perfytyroj shpesh here kur kaloje nga vilat ku banoje me nje cante te zeze ne dore. Gjithashtu u kujtoj se edhe pershendetjen e popullit e ktheje me veshtiresi . Tregojne se ne nje dreke nuk te pelqeu mishi dhe ia hidhje qenit te kopese. Ndersa nje fshatar te tha : “Po nuk te pelqeu mishi,mos e ha ,lere se e ham ne,po qenit mos ia hidh” Ishte edhe koha kur ne te thjeshtet prisnim tollonin qe te hanim pak mish…….. me shume komenti nuk ka vlere.
Kujdes ! Bëhet fjalë për Golëmin dhe Golëmasit ( jo Golemin ).
Sa per zgjuarsine dhe kumorin e kripur, qe kur lindin deri sa vdesin jame sejcili nje bote me vehte. Kam punuar ne ato ane dhe i njoh mire karakteret e shpirtin e tyre.
Ne shenimet e asaj kohe Elmazi thote se duhet te ishe shume i kujdesshem me golëmasit se ta ngulnin pa kuptuar ne bisede e siper. Permend edhe xha Hakanin. Une e kam njohur kete burre te lesht dhe te zgjuar dhe shume e shume te brezit te tij,dhe te tjere me pas si blegtor e bujq te ndershem, por njekohesisht miq te mire.
Nje here nga Pranvera me te dale te Dimrit shkon ne Golëm Rrapo Dervishi kur ishte sekretar i pare ne Gjirokaster aty nga fillimi i viteve1970.
Ne qender te fshatit takon sekretari burrat dhe i pyeti per shendetin ( jo per hallet se ato i kishte zgjidhur partia ) .
E njihte xha Hakanin dhe i thote : Si je xha Hakan !
I pergjigjet xha Hakani ashtu qet qete e menje here : Mire Rrapo djali, mire. Per pak e sigurova buken e vitit sivjet.
He de – ashtu do edhe Partia, ta sigurojme buken ne vend – i thore Rrapua.
Te tjeret qe e dinin pse i tha ashtu xha Hakani qeshen.
Ate dimer xha Hakani kishte qene semure, por ishte sheruar dhe jetoi edhe shume vite.
“Buka e siguruar” qe i tha xha Hakani ishte se desh ishte nisur per tjeter rruge, per ne Parajs.
E hengri sekretari kete kunje te tij, por te tjeret me mbrapa e sqaruan .
Rrapua pas kesaj kishte porositur nje nga sekteraret qe shkoi ne Golëm, te kete kujdes se do ja hedhen.
Behej propogande per emancipimin e gruas dhe ndihma qe do i jepnin burrat gruas. Dhe ata perseri ja hodhen asaj.
Grate i ndihmojme – i thane ata. ” Ngrihemi qe ne oren 5 te sabahut dhe u llakanisin(tundim, rrahim ) dubekun, Pastaj ikim per ne pune ”
Sekretaria ja shpuri te ngrohte Rrapos kete ndihme dhe kontribut te golëmasve per grate e tyre si nje arritje te Partise.
Nje pershendetje per gjithe Golë masit keshtu ne menyre anonime.
Edhe Velos nje pershendetje !