Ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati zhvilloi sot një takim me Ministrin e Punëve të Jashtme të Austrisë, Sebastian Kurz, në kuadër të vizitës së tij në Tiranë. Ne këtë vizitë, Kurz shoqërohej nga Ministri për Drejtësinë, Wolfgang Brandstetter.
Në takim u trajtuan çështje që lidhen me avancimin e Shqipërisë në agjendën e saj evropiane, marrjen e statusit të vendit kandidat për në BE, forcimin e bashkëpunimit dypalësh, si dhe zhvillimet e fundit në rajon dhe ato ndërkombëtare.
Ministri Bushati dhe homologu austriak pasi vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve, theksuan vullnetin e përbashkët për intensifikimin e bashkëpunimit, në veçanti në fushat e drejtësisë, sistemit bankar, energjisë dhe turizmit.
Ministri Bushati vlerësoi rolin mbështetës të Austrisë si avokat i besueshëm i interesave të Shqipërisë në rrugën e saj drejt BE-së, si dhe shprehu vlerësimin e veçantë për nismën e Austrisë në nxitjen e vendeve anëtare përpara vendimit për marrjen e statusit të vendit kandidat këtë qershor, duke u bazuar në arritjet e deritanishme. Ai vlerësoi gjithashtu rëndësinë e vizitës së Presidentit austriak në Tiranë, duke i shërbyer thellimit të mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe dhe përfshirjen e Forumit të Biznesit në agjendën e kësaj vizite, si një dimension tepër i rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare.
Nga ana e tij, ministri Kurz u shpreh se vizita e tij në Shqipëri është tregues i forcimit të marrëdhënieve mes dy vendeve, intensifikimit të dialogut politik dhe se i shërben një qasjeje pozitive rajonale. Ai tha se Austria e ka mbështetur dhe do të vazhdojë ta mbështesë Shqipërinë në marrjen e statusit të vendit kandidat, si dhe në rrugën e saj drejt integrimit evropian.
