Shqipëri-Britani, bashkëpunim për të luftuar trafikun e qenieve njerëzore

DITA Online

 

“Lufta kundër trafikimit të personave nuk mund të përmbushet nga një qeveri apo shtet i vetëm pa forcimin dhe bashkëpunimin në nivel kombëtar dhe rajonal”.

Kështu u shpreh ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj në deklaratën e tij pas raportit të publikuar nga Departamenti i Amerikan i Shtetit.

Xhafaj e bëri këtë deklaratë në aktivitetin e organizuar sot  me temë “Thirrja për veprim – Bashkë kundër skllavërisë moderne dhe trafikimit të personave”, organizuar nga Ministria e Brendshme në bashkëpunim me Ambasadën Britanike në Tiranë.

Xhafaj theksoi se do të thellohet bashkëpunimi institucional me Anglinë për të arrestuar trafikantët si dhe për të mbrojtur viktimat e trafikut të qenieve njerëzore.

“Sot në Britaninë e Madhe ka një numër shtetas shqiptar të rritur dhe të mitur kryesisht, që janë referuar pranë mekanizmit kombëtar të referimit atje, si viktima të mundshme të trafikimit. Institucionalizimi i bashkëpunimit tonë do t’i japë mundësi identifikimit dhe referimit të drejtë të tyre dhe angazhimit të përbashkët për t’i marrë në mbrojtje ata, veçanërisht fëmijët dhe për t’i vendosur përpara drejtësisë trafikantët”, tha Xhafaj.

Plani i veprimit

Për të pasur një veprim të koordinuar ndaj luftës kundër trafikimit të personave është hartuar dhe pritet të miratohet “Plani Kombëtar i Veprimit 2018-2020”, i cili ka kaluar një proces të gjatë konsultimi me të gjithë aktorët anti-trafikim kombëtar dhe ndërkombëtar.

 “Ky plan parashikon në mënyrë të integruar dhe me afate të përcaktuara përgjegjësitë, objektivat strategjik dhe veprimet konkrete për të gjitha institucionet publike të angazhuara në këtë fushë. Ai merr në konsideratë detyrimet e posaçme që ka shteti në lidhje me mbrojtjen e të drejtave, veçanërisht të fëmijëve duke u kthyer në udhë-rrëfyesin institucional për të konkretizuar vizonin tonë të përbashkët për të minimizuar fenomenin dhe për të respektuar të drejtat dhe liritë themelore të njeriut”, tha Xhafaj.

a.s/dita

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *