De Biazi synon të konsolidojë kombëtaren e së ardhmes, 23-vjeçari Çani është më i vjetri i sulmit
Rezultati do të jetë në plan të dytë për Shqipërinë nesër në mbrëmje, teksa Xhani De Biazi do të bëjë disa eksperimente në miqësoren kundër Kamerunit. Krejt ndryshe nga kundërshtari, të cilit i duhet një fitore prestigji për të bërë të harrohet eliminimi nga Kupa e Afrikës, trajneri italian do të punojë për etapat e mëvonshme të projektit të tij kuqezi. De Biazi ka paralajmëruar prej kohësh, madje në prag të takimeve zyrtare, se ai nuk mendon vetëm për të sotmen, por edhe për të ardhmen, duke u përpjekur të ndërthurë lojtarët e vjetër me ata më të rinj. Në këtë kuadër, italiani ka lënë në shtëpi Erjon Bogdanin dhe Hamdi Salihin, duke thirrur Bekim Balajn dhe Armando Vajushin për të plotësuar numrin e sulmuesve, përkrah Armando Sadikut dhe Edgar Çanit.
Ky i fundit, vetëm 23 vjeç, është lojtari më i vjetër i repartit, çka mjafton për të vërtetuar idenë e skuadrës të së ardhmes, ndërkohë që të njëjtën moshë ka edhe sulmuesi i munguar për shkak dëmtimi, Ahmed Januzi. Nëse këta do të përligjin thirrjen në kombëtare me gola, mund të thuhet se Shqipëria ka një të ardhme të ndritur në sulm, të paktën për 7-8 vitet e ardhshëm, pa llogaritur daljen e talenteve të tjerë. Me grumbullimin e Bruno Telushit, Balajt, Vajushit, por edhe Vangjelit që mungonte për shkak dëmtimi, De Biazi e ka çuar në 40 numrin e lojtarëve të grumbulluar që nga koha kur u emërua në krye të kuqezinjve, ndërkohë që deri tani ka aktivizuar 27 syresh. Trajneri e ka pasur si praktikë aktivizimin e pothuajse të gjithë lojtarëve në takimet miqësore, ndërkohë që në katër takimet zyrtare ka bërë pak ndryshime. Për t’u vënë në dukej është edhe fakti se të gjithë sulmuesit e aktivizuar deri tani kanë shënuar në ndeshje të ndryshme, çka mund të jetë një ogur i mirë edhe për të ardhurit e rinj në skuadër.
Përgatitja – Kombëtarja ndërkohë është grumbulluar e gjitha në Gjenevë të Zvicrës, në stadiumin e së cilës do të zhvillohet takimi i nesërm. Nga lojtarët e “shtëpisë” do të jetë vetëm Armando Sadiku, i cili luan me Luganon, ndërsa mungojnë Jahmir Hyka e Burim Kukeli. I dyti është i dëmtuar, ndërsa i pari nuk ka pasur besimin e trajnerit gjatë ndeshjeve miqësore. Interesant është fakti se disa nga lojtarët do të jenë në fokusin e vëmendjes së agjentëve të tregut dhe në janar mund të ndryshojnë skuadra. Më i kërkuari midis tyre është Sadiku, ndërkohë që interesim ka edhe për Çanin e Vajushin, si dhe për portierin Berisha.
Numrat e De Biazit
Të thirrur
40
Lojtarët thirrur De Biazi që nga ndeshja me Gjeorgjinë në shkurt, e para e tij me Shqipërinë.
Aktivizimi
27
Lojtarë kanë luajtur në tetë ndeshjet e italianit, numër që do të rritet nesër përballë Kamerunit.
Mosha
23
Vjeç është Edgar Çani, lojtari më i vjetër ndërsa sulmuesit e thirrur. Sadiku, Balaj, Vajushi janë 21.
Ndeshjet
5
Janë miqësoret e De Biazit, përfshirë edhe këtë të nesërmen në Gjenevë, me Kamerunin.
Afrika
1
Miqësore ka luajtur Shqipëria me skuadra të “kontinentit të zi”, fituar 3-0 me Algjerinë më 1976.
Kundërshtarët
56
Vende kanë qenë kundërshtarë të Shqipërisë në vite. Kameruni do të jetë skuadra e 57-të.
Presidenti
Duka mungon në Gjenevë
Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, nuk ka udhëtuar me skuadrën drejt Gjenevës, për ndeshjen miqësore kundër Kamerunit. Ai do të jetë sot në Lezhë, për ceremoninë mortore të të ndjerit Rigers Pjetrushi, gjyqtari që humbi jetën nga aksidenti në Gjirokastër.