Shqipëri–Kosovë, tani edhe me një treg të përbashkët pune

anazapta

Merr jetë nisma për ngritjen e një tregu të përbashkët punësimi ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës. Duke i dhënë rëndësi sferës së punësimit, është nënshkruar gjatë ditës së djeshme ndërmjet ministrit të Mirëqenies Sociale e Rinisë Erion Veliaj, si dhe homologut të tij Kosovar Nenad Rashiç, memorandumi i bashkëpunimit në kuadër të projektit të mbështetur nga UNDP për zhvillimin e Portalit Rajonal të Punësimit. Ky portal më pas parashikohet që të shtrihet në të gjitha vendet e tjera të Ballkanit. Projekti i nisur përfshin ndërtimin e një portali të përbashkët ndërmjet Shqipërisë, Maqedonisë dhe Kosovës, çka do të integronte edhe portalin e Shërbimit Kombëtar të Punësimit në vendin tonë. Integrimi i databazave të punës do të mundësojnë që qytetaret e secilit prej dy vendeve të kenë një qasje të drejtpërdrejtë për njoftime për vende të lira pune të vendosura në faqet online të secilit prej shërbimeve. “Marrëveshja bën të mundur që çdo qytetar i Shqipërisë apo Kosovës të aplikojë për vendet e punës që do të reklamohen nga bizneset private dhe entet e tjera të të dyja vendeve. Ne gjykojmë se nuk duhet të ketë më pengesa për të marrë një leje punësimi{, ka pohuar gjatë daljes publike ministri Veliaj. Ndërsa homologu i tij kosovar Nenad Rashiç tha se krijimi i portalit të ri të punës ka për detyrë që t’u mundësojë punëmarrësve dhe punëdhënësve të dyja vendeve më shumë informacione sa i takon vendeve të punës, si dhe të krijojë një bazë strukturore me punëtorë të kualifikuar, të cilët mund të punojnë në vende të ndryshme të rajonit. Një pikë tjetër e bisedimeve mes dy ministrave ishte edhe hapja e tre qendrave profesionale. Në këto kushte punëkërkuesit e dy vendeve do të kenë më shumë mundësi trajnimi, e në këtë mënyrë shkollat profesionale do të jenë më të frytshme. “Duke qenë se për Tropojën, Hasin dhe Kukësin, qendrat më të afërta të formimit profesional janë ato të Gjakovës dhe Prizrenit, kemi rënë dakord që të nxisim frekuentimin edhe nga nxënësit e studentët tanë, në ato fusha ku ne kemi nevojë dhe ku investimet në arsimin profesional kanë munguar”, nënvizoi ministri Veliaj. 

Kurset e formimit profesional falas  

Urdhri më i fundit i Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë përcakton se kurset profesionale për punëkërkuesit e regjistruar pranë zyrave të punës do të ofrohen falas. Urdhri, i cili tashmë ka marrë fuqi vepruese po zbatohet me qëllim nxitjen e punësimit nëpërmjet kurseve që ofrohen nga qendrat e formimit profesional. Kurset profesionale falas do të ofrohen edhe grupet e tjera në nevojë, si  pjesëtarë të komunitetit rom, vajza dhe gra të trafikuara, personat që kanë vuajtur dënim me burg, jetimët, personat me aftësi të kufizuara, emigrantë të kthyer me probleme ekonomike. Sipas ministrit, Erion Veliaj përveç kostos që paguan ministria duke rimbursuar këto kategori, pjesa tjetër duhet të paguajë një tarifë për çdo degë që zgjedh të ndjekë. Kështu, kursi për mekanik automjetesh dhe rrobaqepës me kohëzgjatje 4.5 muaj kushton 5 mijë lekë, kursi për parukeri kushton 3500 lekë, kursi për instalues dhe riparues rrejti elektrik i cili përbëhet nga 3 nivele dhe  elektroaut, kushton 3 mijë lekë niveli.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *