Shqipëri-Kosovë, tregu që nuk funksionon

anazapta

Kemi dëgjuar shpesh për tregun e madh 6 milionësh. Kjo filloi të artikulohej dhe më shumë pasi Kosova shpalli Pavarësinë e saj në 17 shkurt 2008. Madje ky treg u artikulua nga sipërmarrësit para kësja date, e konsideruar si një paraprirje e politikës. Por sot shifrat e bashkëpunimit lënë shumë për të dëshiruar. Ngërci mes shtetesh mbetet përherë evident. Herë për interes të njërit, herë për hakmarrje të tjetrit, herë për pataten, e herë për cimenton, në këto 5 vitet e fundit ka patur vec ulje ngritje të shkëmbimeve tregtare mes dy shteteve që flasin të njëjtën gjuhë. Marrëdhëniet ekonomike Shqipëri – Kosovë karakterizohen nga shkëmbimet tregtare, eksport- importi, por jo forma të tjera të bashkëpunimit, siç janë investimet e përbashkëta apo ato direkte. Por dhe pse kemi pasur rritje të qarkullimit tregtar e gjitha kjo është përcjellë me barriera të ndryshme, të cilat kanë kufizuar qarkullimin lirë të tyre, si rasti i eksportit të patates në Shqipëri, apo vendosja e taksës së cimentos nga qeveria e Kosovës. Nëse ecet në këtë rrugë dhe nuk do të ketë një orientim strategjik afatgjatë dhe sektorial, bashkëpunimi ekonomik mes dy vendeve do të mbetet në nivele të tilla dhe jo të një tregu 6 milion.

 

Si është fokusuar ekonomikisht marrëdhënia Shqipëri-Kosovë

 

Interesi më i madh sipas treguesve ekonomikë ka qenë i sipërmarrësve shqiptarë që kanë lëvizur drejt Kosovës, por që gjithsesi mbetet në shifra jo fort të konsiderueshme me mënyrën se si kanë hyrë në treg dhe sa munden të jenë aktiv atje. Sipas një hulumtimi të bërë nga një institucion i lartë arsimor shqiptar, i cili është bazuar në të dhënat e Bankës Botërore dhe institucioneve zyrtare të të dy vendeve, për të siguruar të dhëna sa më reale, thuhet se viti 2010 pati rritjen më të madhe të investimeve shqiptare në Kosovë.

Në vitin e shpalljes së Pavarësisë u regjistruan 92 biznese, një vit më vonë dy më pak, ndërsa rritja më e madhe u shënua në vitin 2010, kur u regjistruan 145 biznese, më 2011- 106 biznese, kurse deri në korrik të vitit 2012- 68 biznese. Në këtë mënyrë totali i bizneseve shkon në 502 biznese, me 2.190 punëtorë, me një kapital të përgjithshëm prej 59.781.835 euro. Mirëpo, këto shifra nuk flasin shumë për përmasat dhe për cilësinë e bizneseve, meqenëse 149 prej tyre kanë kapital zero, sipas evidentimit të Agjencisë për Regjistrimin e Biznesit . Ndërkaq, dhjetë kompani zotojnë 53.187.866 euro kapital, apo 98,9 për qind të kapitalit që kanë të gjitha kompanitë nga Shqipëria që operojnë në Kosovë. Për nga veprimtaria, dominojnë ndërmarrjet tregtare. Janë gjithsej 139 të tilla, me një kapital prej 2.272.531 eurosh dhe me 398 punëtorë. Po ashtu, në këtë treg operojnë 11 subjekte që për veprimtari kanë lojërat e fatit  dhe bixhozin, me 89 punëtorë.

Kosova drejt Shqipërisë

Nëse në Kosovë ka një numër sipërmarrjesh shqiptare që edhe pse me kapital të deklaruar zero, nga Kosova drejt Shqipërisë lëvizja është sërish më e ngurtë. Numri i bizneseve kosovare që operojnë në Shqipëri është më i vogël,  gjithsej 386. Struktura e tyre nuk është aq e mirë, meqenëse ato dominohen nga bizneset e vogla. Sipas të dhënave nga autoritetet shqiptare – 197 subjekte kanë statusin e shoqërive me përgjegjësi të kufizuar, 180 janë persona fizik, ndërsa nëntë janë shoqëri anonime.

 

Investimet e ndërsjella, Kosova nuk figuron në IHD-në të Shqipërisë

Edhe pse Shqipëria është e pranishme me investime në Kosovë, kjo e fundit nuk figuron në raportet për IHD-të në Shqipëri. Ka pasur disa përpjekje që bizneset kosovare të depërtojnë në Shqipëri, sidomos në hotelieri dhe në turizëm, por këto iniciativa janë të vogla. Nëse do të renditeshin arsyet pse kjo mungesë investimi e kapitalit të Kosovës në vendin tonë, do të dalë në pah ngërci i madh i komunikimit dhe vendosja e barrierave fiskale, herë nga njëri shtet e herë nga tjetri. Edhe pse politikëbërësit e të dy vendeve kanë trumbetuar më forcë heqjen e këtyre barrierave, pikërisht në pikun e prodhimit të produkteve të ndryshme është parë vendosja e taksave doganore. Por dhe ambjenti i të bërit biznes i vendos në vështirësi palët, duke shtuar këtu dhe mungesën e ofertës atraktive nga të dy vendet.

 

 

Import-eksporti mes dy vendeve

Marrëdhëniet ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë janë të përqendruara në shkëmbimin e mallrave, i cili, për nga struktura, më shumë reflekton ofertën e varfër të të dyja vendeve, se sa një larmi të madhe, apo pjesëmarrje të lartë të produkteve finale.

Duke nisur nga viti 2000 e deri në fund të qershorit të vitit 2012, në shkëmbimet tregtare, kryesisht, dominojnë metalet. Kosova eksporton hekur mbeturinë (skrap), si edhe një sasi të vogël të gypave të çeliktë, ndërsa importon hekur për ndërtim.

Gjatë kësaj periudhe, Kosova eksportoi në Shqipëri mallra në vlerë prej më shumë se 136 milionë eurosh, ndërsa importoi gati tri herë më shumë – mbi 386 milionë euro. Kur është në pyetje eksporti, vërehet se vëllimi i madh që kishte ndodhur në vitin 2000 – afër 3,4 milionë euro, nuk është tejkaluar për pesë vite me radhë, pra deri në vitin 2005. Kjo më shumë është rezultat i mungesës së ofertës, por edhe i lidhjeve të dobëta ndërmjet ekonomive të të dyja vendeve. Ndërkaq, viteve të tjera eksporti ka rritje të vazhdueshme. Madje, impuls atij i dha ndërtimi i autostradës Durrës- Kukës – Morinë, që u pasua nga një segment në pjesën kosovare.

Nga ana tjetër, importi është rritur me një ritëm më të shpejtë. Nga katër milionë euro sa ka qenë në vitin 2002, në fund të vitit 2011 ai arriti në afër 92 milionë euro. Rritja më e madhe ndodhi pas ndërtimit të autostradës, kur nga 40 milionë euro, ai kalon mbi 61 milionë euro. Importi ka shënuar ndryshim në strukturë dhe rritje në vlerë e në peshë. Sipas Doganës së Kosovës, deri në qershor të vitit 2012, janë importuar 56 lloje të artikujve me një peshë të përgjithshme prej 70,7 mijë kilogramë. Ndërkaq, në vitin 2011 – 62 artikuj të importuar nga Shqipëria kishin peshë të përgjithshme 467,6 mijë kilogramë. Në tërësi, sipas Doganës së Kosovës, në periudhën kohore 2005 – Qershor 2012, Kosova në Shqipëri ka eksportuar mall me një peshë të përgjithshme prej 864,5 mijë kilogramë, ndërsa ka importuar 1 milion e 402,4 mijë kilogramë (shih Aneksi 1). Kosova nuk është ndonjë treg i madh për ekonominë shqiptare, meqenëse në shkëmbimin e mallrave ajo ka një pjesëmarrje të vogël. Në vitin 2007, në eksportin e përgjithshëm, Kosova merrte pjesë 4,8 për qind, ndërsa në vitin 2011- 7,4 për qind. Ndërkaq, në import pjesëmarrja e Kosovës është shumë e vogël: në vitin 2007 ishte 0,6 për qind, kurse në vitin 2011 – 0,8 për qind.

 

Ja sa ndërrrmarrje operojnë në dy shtetet

 

NDËRMARRJET AKTIVE NË SHQIPËRI SIPAS FORMËS LIGJORE, 2011

 

NR FORMA LIGJORE NUMRI TOTAL
1 Person fizik 85675
2 Shoqëri me përgjegjësi të kufizuar 18539
3 Shoqëri anonime (aksionere) 791
4 Shoqëri të kursim kreditit 116
5 Degë ose zyra përfaqësuese të shoqërive të huaja 332
6 Shoqëri të tjera 110
7 Ndërmarrje shtetërore 940
8 Administratë publike 760
9 Organizata jo fitimprurëse 1745
10 Organizata ndërkombëtare 31
11 Gjithsej pa administratën publike, OJF dhe organizatat ndërkombëtare 106503
12 Gjithsej 109039

 

Burimi i të dhënave: INSTAT, Nëntor 2012

 

NDËRMARRJET AKTIVE NË KOSOVË SIPAS FORMËS LIGJORE, 2010

 

NR FORMA LIGJORE NUMRI TOTAL
1 Individuale 44036
2 Shoqëri me përgjegjësi të kufizuar 4372
3 Shoqëri aksionere 165
4 Kompani sigurimi 6
5 Kompani e huaj 298
6 Kooperativa të tjera 39
7 Kooperativa bujqësore 23
8 Kompani publike e kufizuar 12
9 Ndërmarrje publike 69
10 Ndërmarrje shoqërore 172
11 Ndërmarrjet e AKM-së 14
12 OJQ 1471
13 Organizata buxhetore 238
14 Ortakëri e kufizuar 9
15 Ortakëri e përgjithshme 1471
16 Të tjera 565
17 Zyra ndërlidhëse 7
18 Gjithsej 52967

 

Burimi i të dhënave: ATK (Strategjia e Përmbushjes 2012-2015)

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *