Politika shqiptare dhe ajo kosovare artikulojnë prej vitesh tregun e përbashkët gjashtë milionësh. Por ky treg asnjëherë nuk mundi të funksionojë, madje tensionet mes palëve sa vijnë e rriten. Nëse vetëm para pak javësh u bllokua qumështi në tregun kosovar, tashmë në doganën e Morinës prej pesë ditësh është bllokuar një sasi e konsiderueshme mielli. Mungesa e çertifikatës së analizës së aflatoksinës është gjetur si argument për bllokimin e një sasie prej 135 tonë miell që vinte nga Kosova në Shqipëri. Bllokimi i miellit është bërë nga Agjencia Kombëtare e Ushqimit në Kukës, në pikën e kalimit kufitar të Morinës. Ngarkesa, sipas drejtorit lokal të AKU-t, nuk është e shoqëruar nga çertifikata e cila saktëson përmbajtjen e saktë të aflatoksinës. “Deri në momentin që ata të sjellin analizën nga Prishtina, ngarkesat do të jenë të bllokuara”, u shpreh Bilbil Myftari, drejtor i AKU-t në Kukës duke shtuar se “edhe në rast të marrjes së fletës të analizës, ne me këtë kontigjent kemi detyrimin që të kryejmë proçedimet ligjore dhe të marrim masa për analizë. Deri në ardhjen e përgjigjes, subjekti nuk ka të drejtë të tregtojë këtë kontigjent”. Mediat kosovare këtë veprim e kanë cilësuar hakmarrje të institucioneve shqiptare. Sipas mediave të këtij vendi, të njëjtin arsyetim është duke e bërë Shqipëria për miellin nga Kosova, duke mos e lejuar të futet nën arsyetimin se duhet bërë analizat. Por, pronarët e “M-Sillosit” bëjnë të ditur se tre herë me radhë iu kanë dërguar analizat autoriteteve në Tiranë për t’iu dëshmuar se gjithçka është në rregull. Sipas tyre, autoritetet shqiptare kur e kanë parë se analizat janë në rregull, kanë kërkuar që në secilin thes të vendosen edhe disa kode, duke shtuar se, alfatoksinë nuk mund të ketë në miell. Ndërsa, zyrtarë të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës së Kosovës, kanë thënë se që nga momenti që janë njoftuar për një bllokadë të tillë, ata kanë filluar kryerjen e analizave dhe më pas t’ua bashkëngjisin produktit për eksport. Zëdhënësi i AUVK, Lamir Thaçi ka thënë se është e drejtë e autoriteteve të Shqipërisë, që të kërkojë dokumente në rast se kanë dyshime të tilla. Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit në Shqipëri ka nxjerrë në fillim të marsit një urdhër që detyron importuesit e miellit të pajisen me këtë analizë, ku janë njoftuar të gjitha subjektet që merren me prodhimin dhe tregëtimin e miellit. Sasia e miellit që eksportohet në Shqipëri çdo muaj nga kompania kosovare sipas tyre, është afër 2 mijë ton. Vendi i origjinës së miellit që vjen në tregun kosovar e më pas në atë shqiptar është Serbia. Rreth një muaj më parë autoritetet e kosovare bllokuan një sasi të konsiderueshme të qumështit të eksportuar nga Shqipëria për shkak të aflatoksinës. Duket se tashmë ky treg po kalon në një qerthull të përsëritur problemesh. Sipërmarrësit nën zë pohojnë se kjo vjen për shkak të politikave të caktuara që ndjekin dy qeveritë respektive. Edhe një vit më parë u përsërit e njejta skemë bllokimi. Shqipëria bllokoi pataten e Kosovës, e qeveria e Kosovës bllokoi cimenton që vinte nga Shqipëria. Në kushte të tilla “hakmarrjesh” të qeverive respektive, janë sipërmarrësit që penalizohen, duke ju vënë madje dhe produktet e tyre në diskutim të madh për kosumatorin.
Leave a comment