Shqipëri mbarëkombëtare drejt Euro 2016

redaktor

Një përfaqësuese mbarë-Kombëtare në Francë 2016. Prej vitesh ekipi kuqezi ka shërbyer për të bashkuar shqiptarët e të gjitha trevave.

Një politikë sportive e nisur me shqiptarët e Kosovës dhe e përforcuar gjatë edicionit të fundit me afrimet e Berat Gjimshitit origjina e familjes së të cilit është nga Lugina e Preshevës dhe Naser Alijit, përfaqësuesi i parë i shqiptarëve të Maqedonisë.

Përpos kësaj, interesant është fakti se ekipi Kombëtar shërben edhe si pika e bashkimit për të gjithë shqiptarët që jetojnë në emigrim. Prej vitesh të larguar, por tani më pranë se kurrë vendit të tyre.

Këtë e konfirmoi më së miri lista e madhe me 27 lojtarë, e publikuar nga trajneri Gianni De Biasi, për grumbullimin e skuadrës përpara startit të Kampionatit Europian. Nga futbollistët e grumbulluar, vetëm 11 prej tyre kanë lindur brenda kufijëve zyrtarë të vendit, pra më pak se gjysma e skuadrës, nga Elseid Hysaj në Shkodër te dy sulmuesit Balaj e Cikalleshi

Shtatë prej lojtarëve kuqezi kanë lindur në trojet shqiptare, nga Kosova në Maqedoni. Nga Etrit Berisha e Lorik Cana në Prishtinë, deri te Naser Aliji, i lindur në Kumanovë. Po 7 është edhe numri i futbollistëve që kanë lindur në Zvicër. Prej Ajetit, Gjimshitit e Veselit, për të vazhduar me Bashën, Abrashin, Taulant Xhaka dhe Shkëlzen Gashin

Mërgim Mavraj, i shndërruar në një prej pikave të forta të ekipit ka lindur në Hanau të Gjermanisë, ndërsa mesfushori Herolind Shala në Porsgrunn të Norvegjisë. Një Kombëtare që përfaqëson në mënyrën më të denjë shqiptarët anëembanë. Një skuadër që edhe për këtë fakt është kthyer në fenomen mediatik përpara Euro 2016.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *