Bakaj në formacion, Cana në mesfushë, risi edhe në mbrojtje. Çani e Sadiku udhëheqin sulmin
Edgar Çani dhe Armando Sadiku do të udhëheqin sulmin e Shqipërisë sot në mbrëmje në Gjenevë, në miqësoren kundër Kamerunit. Trajneri Xhani De Biazi do të vazhdojë t’i besojë dyshes që ka startuar edhe në ndeshjen e fundit, kundër Sllovenisë, në stadiumin “Qemal Stafa” në Tiranë. Sipas të dhënave nga Zvicra, në formacion do të rikthehen Kristi Vangjeli dhe Elis Bakaj, të cilët kanë qenë të dëmtuar më parë dhe kanë munguar në ndeshjet eliminatore të botërorit. Bakaj do të zërë vendin nga e majta e mesfushës, ndërkohë që reparti do të ketë edhe risi të tjera. Edhe pse mungon Burim Kukeli, De Biazi ka mundësi të shumta zgjedhjeje dhe miqësorja e sotme do të jetë pikërisht për të eksperimentuar. Lorik Cana pritet t’i lërë vendin në prapavijë Debatik Currit dhe vetë do të rreshtohet përkrah Ervin Bulkut në mesfushë, para mbrojtjes. Nga e djathta do të ketë balotazh për një vend midis Emiljano Vilës dhe Odise Roshit. Risi pritet të ketë edhe në mbrojtje, jo vetëm për shkak të avancimit të Canës në mesfushë dhe kthimit të Currit. Në lojë pritet të jetë që nga minuta e parë Kristi Vangjeli, për herë të parë në fushë me De Biazin. Vangjeli do të luajë nga e majta, ndërsa Andi Lila shkon në krahun e djathtë, në vend të Armend Dallkut.
Dëmtohet Meha
Lojtarët e rinj të thirrur nga De Biazi pritet të hyjnë në lojë gjatë pjesës së dytë, pasi trajneri do të vijojë me eksperimentet. Megjithatë, nuk do të ketë mundësi të aktivizojë Alban Mehën, pasi mesfushori kosovar është dëmtuar dje gjatë stërvitjes. Me kureshtje pritet paraqitja e Vajushit, Balajt dhe Telushit, i cili është thirrur befasisht për të zëvendësuar Kukelin, por mund të fitojë një vend të përhershëm mes të besuarve të De Biazit.
Dritan Ikonomi