Kombëtarja U-19 ka marrë pikën e parë në Lojërat Mesdhetare Mersin 2013, pasi ka barazuar 2-2 me Bosnjën. Është një barazim me shije fitoreje për kuqezinjtë e drejtuar nga Skënder Gega, pasi kundërshtari kryesoi me dy gola, pasi shënoi në fundin e pjesës së parë dhe në fillimin e të dytës. Në një ndeshje pa shumë raste, boshnjakët kaluan në epërsi në minutën e 44-t e më pas i dyfishuan shifrat në të 52-tën. Humbja e dytë në grup, pas asaj 2-0 me Turqinë, u duk e sigurt, por kuqezinjtë shkurtuan diferencën në minutën e 61-të, kur Marvin Turtulli shënoi me kokë. 12 minuta më pas, një tjetër goditje me kokë, këtë herë nga Amir Rrahmani, e çoi për herë të dytë topin në rrjetën e Bosnjës, duke fiksuar shifrat 2-2. Shqipëria pati një rast tjetër pak minuta më pas, por pa arritur të shënonte golin e përmbysjes. Me golaverazh më të mirë, Shqipëria mban vendin e tretë, me një pikë, aq sa Bosnja. Ndeshja e fundit në Grupin A do të jetë nesër kundër Marokut.
