U mbyll në barazim pa gola ndeshja miqësore mes Shqipërisë dhe Marokut, e cila veç përgatitjeve për startin e edicionit të ri për kualifikueset e Botërorit 2018, shënonte edhe inaugurimin e stadiumit “Loro Boriçi” të qytetit të Shkodrës.
Një ndeshje që në të vërtetë thuajse zhgënjeu në të tre pikësynimet e saj. Kuqezinjtë kompetitivë, agresivë dhe oportunistë të Euro 2016 nuk ishin gjëkundi në këtë përballje ndaj Marokut. Përkundrazi, në disa raste u vunë në vështirësi nga marokenët, ndonëse edhe këta të fundit nuk bënë dot më shumë përballë gardianit Berisha.
Kombëtarja e Shqipërisë iu afrua golit në disa raste, përgjithësisht me protagonist Cikalleshin, por ky i fundit dështoi në të gjitha tentativat e tij, në mënyrën më flagrante në minutën e 25’, kur pas një asisti të Hysajt nga e djathta, i vetëm pak metra larg portës e dërgon topin jashtë kuadratit. Një formë disi zhgënjyese kjo e kuqezinjve që nuk ngroh fare trajnerin italo-shqiptar, Gianni De Biasi në prag të fillimit të edicionit të ri.
Gjërat për teknikun e përfaqësueses duket se vështirësohen tashmë edhe më shumë, pas largimit të disa elementëve premtues të Kombëtares, të cilët iu bashkuan përfaqësueses së Kosovës. Një ndeshje jo e mirë për të shënuar inaugurimin e stadiumit “Loro Boriçi”, i cili vetëm pas pak ditësh do të mirëpresë edhe ndeshjen e shumëpritur mes Shqipërisë dhe Maqedonisë. Në venitjen e këtij inaugurimi kanë kontribuar edhe tifozët, të cilët duket se nuk kishin interesimin dhe kuriozitetin për të shijuar nga afër atmosferën e veçantë të impiantit të ri.
