Shqipëria po kthehet në një destinacion turistik për të mbetur shtatzënë nëpërmjet metodës “in vitro”. Lajmi publikohet sot në gazetën “Shqip”.
Sipas burimeve të kësaj të fundit, dhjetëra çifte nga vende të ndryshme të botës kanë ardhur kohët e fundit në Shqipëri për të ngjizur një fëmijë nëpërmjet metodave të avancuara, pasi kanë pasur vështirësi për të lindur një fëmijë nëpërmjet rrugëve natyrale.
Ekspertët e shpjegojnë këtë “modë të re” me çmimet më të lira për të tilla ndërhyrje, krahasuar me tarifat e klinikave në Bashkimin Europian. Përpos kësaj, në vendet ku feja ka pasur dhe ka ndikim për sa u takon metodave të tilla, numri i embrioneve që merren për të ngjizur një fëmijë nëpërmjet metodës “in vitro” është më i ulët krahasuar me Shqipërinë, ku specialistët mund të tentojnë metodën me një numër më të lartë embrionesh. Numri i embrioneve që marrin ekspertët në Shqipëri, nuk kontrollohet apo nuk është nën ndikimin e religjioneve fetare.
Një tjetër faktor që ka ndikuar është edhe koha e shpejtë e kryerjes së procedurave, pasi të interesuarve nuk u duhet të presin në radhë e të vendosin emrin në lista për një kohë të gjatë.