Shqipëria dhe Mali i Zi kanë festuar së bashku ditën e liqenit të Shkodrës. Në një aktivitet të përbashkët krerët e mjedisit të dy vendeve kanë konfirmuar edhe hartimin e një marrëveshje të përbashkët për mbrojtjen e liqenit dhe ekosistemit në tërësi. Në këtë takim ku morën pjesë Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural të Malit të Zi, Petar Ivanovic, dhe zëvendësministrja e Turizmit Ivana Ivanovic,ministri i Mjedisit Lefter Koka u vu theksi tek rëndësia mjedisore, ekonomike, turistike dhe për një zhvillim të qëndrueshëm të rajonit. Ministri Koka tha se të dy vendet tona ndajnë pasuri natyrore të përbashkëta, për të cilat dikasteret përgjegjëse po adresojnë dhe ndjekin politika dhe problematika të përbashkëta, çka do të pasohet edhe me më shumë bashkëpunim ndërmjet dy palëve. “Qeveria shqiptare synon zhvillimin e qëndrueshëm rajonal dhe rural ndaj ka caktuar si prioritet të saj edhe projekte për Bunën dhe Drinin, nën Programin për Ujin dhe Ujitjen të Lumenjve Buna dhe Drini, të cilat do sigurojnë një zhvillim për rajonin e Shkodrës. Përpjekjet dhe angazhimet e qeverisë shqiptare janë maksimale edhe për të siguruar rregullimin e regjimit të ujerave ndërkufitare, si edhe për të siguruar cilësinë e ujërave sipërfaqësore përmes trajtimit të ujërave përmes impianteve të pastrimit”, theksoi ministri Koka. Të dyja palët ranë dakord që shumë shpejte do nënshkruajnë një marrëveshje bashkëpunimi në mënyrë që si një hap konkret i impenjimit të përbashkët, të finalizohet një marrëveshje bilaterale midis dy vendeve tona për të siguruar mbrojtje dhe menaxhim të integruar të ekosistemit, zhvillim dhe përdorim të qëndrueshëm të burimeve të tij sipas normave dhe standardeve të Bashkimit Evropian, në interes të përbashkët të të dyja palëve ndërkufitare. Ministri Koka e mbylli fjalën e tij duke përmendur punën e përbashkët drejt integrimit evropian: “ Rruga e dy vendeve tona është drejtë Bashkimit Evropian dhe kjo është një rrugë e cila arrihet më shpejtë kur jemi bashkë se sa të veçuar. Çdo hap i bërë më pranë njëri tjetrit është një hap edhe më i madh drejtë BE-dhe drejtë të ardhmes sonë të përbashkët evropiane!” . Më tej të ministri Koka dhe homologet e tij nga shteti fqinj u ndalën edhe për të vizituar panairin e përbashkët të artizan-punuesve.
