Shqipëria dorëzon sot regjistrimet e arratisjes së Gruevskit

Leda Hysa

Ish-kryeministrit maqedonas, Nikolla Gruevski vazhdon të prodhoje lajme edhe dy muaj pas arratisjes së tij.

Së fundmi autoritetet maqedonase pritet të marrin nga autoritetet e Shqipërisë, materialet e regjistruara nga kamera të sigurisë lidhur me arratisjen e ish-kryeministrit të Maqedonisë, Nikolla Gruevski.

Prokurori Publik, Lubomir Joveski tha se deri më tani kanë arritur të mbledhin disa të dhëna, por ende janë duke pritur incizimet nga kamerat e sigurisë të pikë-kalimeve kufitare mes Maqedonisë dhe Shqipërisë.

“Unë pres që kjo pjesë e ndihmës juridike ndërkombëtare, përkatësisht dorëzimi i incizimeve do të bëhet sot ose nesër (24 dhe 25 janar), sepse dy personat tanë zyrtarë gjenden atje që t’i marrin këto materiale”, tha Lubomir Joveski.

Deri më tani për arratinë e Gruevskit janë dëgjuar rreth 20 dëshmitarë, ndërsa pritet që në pyetje të merren dhe 4 të tjerë.

Ish kryeministri maqedonas u arratis nga vendi i tij në muajin nëntor të vitit të shkuar nëpërmjet Shqipërisë, për të kaluar më pas në Malin e Zi, Serbi dhe për tu vendosur në Hungari, ku kërkoi dhe ju akordua azil politik.

Ai u dënua me vendim të formës së prerë nga gjykata në Shkup me dy vite burg për korrupsion.

lh./ dita

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *