Kuqezinjtë do të zbresin sot në Lyon për të kërkuar fitoren me Rumaninë dhe për ti hapur rrugë mundësisë së kualifikimit nga faza e grupeve.
Skuadra e Gianni de Biasit e motivuar si asnjë herë më parë, kërkon fitore në duel me rumunët.
Stadiumi i bukur në Lyon pritet të jetë i veshur kuqezi, sepse edhe në këtë ndeshje, tifozët shqiptarë do të jenë në përkrahje të idhujve të tyre.
Shqipëria do të përballet me Rumaninë, pas dy disfatave kundër Zvicrës dhe Francës. Një ditë më parë De Biasi tha se kjo është ndeshja më e rëndësishme dhe për këtë duhet fitore.
“Me Rumanine luajme ndeshjen me te rendesishme. Besoj se në këtë turne djemtë kanë bërë gjëra shumë të mira por kemi paguar për shkak të gabimeve të vogla dhe nuk kemi qenë me fat. Jemi gjendur ne situata kur mund të shënonim por na ka munguar ftohtësia për të finalizuar atë që kemi ndërtuar. Jemi bazuar në cilësitë dhe aftësitë tona. Kam folur me djemtë dhe u thashë se nëse duam të kemi një histori të hapur me këtë kompeticion, duhet të shfrytëzojmë të gjitha rastet, por gjithashtu duhet të jemi të kujdesshëm edhe në mbrojtje pasi Rmania është një skuadër e rrezikshme dhe duhet të bëjmë kujdes edhe nga goditjet standarte pasi Rumania arrin t’i shfrytëzojë shumë mirë për shkak të karakteristikave që ka si skuadër”, u shpreh trajneri.
Shqipëria ka zhvilluar dy ndeshje, të cilat i ka humbur, por formula e re e Kampionatit Europian i jep mundësi 4 skuadrave më të mira të cilat do të renditen në vendin e tretë të kualifikohen në fazën e radhës.
