Nga Arshi Ruçaj
“Pasuri e sekuestruar”. Kur e pashë të ngjitur në derën e shtëpisë time në Tiranë, Pallati “ Pinari”, nuk u besoja syve . Por ajo ishte atje, e zezë mbi të bardhë. Mornica më të ftohta sesa ethet e emigracionit më kaluan në gjithë trupin. Bashkë me hidhërimin që nuk po e kapërdija dot, më erdhën si një vezullim pasazhe të tëra nga libri i fundit “ Edi Rama rinovon Shqipërinë. Edi Rama rivonna l’ Albania”, me autorë Arshi, Elda dhe Linda Ruçaj, i cili është pritur mirë në Itali: Presidenti i Republikës Italiane, Sergio Mattarella, na dërgoi një letër falënderimi. Xhiulio Tremonti, profesor në universitetet italiane e të huaja që nga viti 1974, parlamentar nga viti 1994, Senator, ministër i Financave ( 1994), ministër i Ekonomisë e i Financave (2001 – 2004), zëvendëspresident i Këshillit të Ministrave (2005 – 2006), autor i shumë botimeve të njohura, na shkruan: “Cari amici: ho appena ricevuto la Vostra lettera! Grazie anche per il bel libro. Spero di avere occasione per incontrarvi a Rimini. Per ora tante cose cordiali” .
Gazeta “il Resto del Carlino” ka botuar artikullin : ”Fenomeni shqiptar në Rivierën adriatike”.
Në Shqipëri librat…!? !? !? Më mirë mos folë, se të heretizojnë, akoma nuk bëjnë pjesë në “Demokraci”
Më poshtë ja një fragment nga ky libër:
Privatizimi i shtëpive të qytetarëve të Tiranës
Reforma e dytë e Qeverisë Rama ka si objektiv final privatizimin total të shtëpive të qytetarëve të ndërtuara në periudhën e kapitalizmit. Bashkia e Hipoteka e Tiranës janë vënë në lëvizje dhe kanë filluar procedurat e aplikimet për të dhënë certifikatën e pronësisë së shtëpisë, duke bërë me këtë rast vlerësimin e duhur. Qytetarët, në pjesën më të madhe, vrapojnë drejt sporteleve, duke pritur në radhë për orë e ditë të tëra.
20 – 30 vjet në pritje, vuajtje pa mbarim !
Shtëpia, gjaku ynë, jeta jonë !
Sikurse e kujtojmë të gjithë, në fillim të viteve nëntëdhjetë, pati një “boom” në ndërtimin e pallateve të të gjitha tipeve e niveleve, me pesë, me shtatë, me nëntë apo me njëmbëdhjetë kate, gjithmonë sa më lart, drejt qiellit, pa menduar fare çfarë kishte poshtë tokës, mban apo nuk mban Tirana një peshë kaq të madhe: miliona ton çimento, hekur, tulla e gurë. Në qoftë se të gjitha këto ndërtime do t’i vinim në rresht njëra pas tjetrës mund të rrethohej me një mur të madh i gjithë kufiri i vendit. Kështu, sot do të kishim murin tonë të ndërtuar përpara sesa muri që presidenti amerikan, Trump , do ta ndërtojë në kufi me Meksikën, apo përpara austriakëve, hungarezëve e anglezëve që duan të ndërtojnë në kufijtë e tyre mure më të lartë sesa ai i Berlinit, për të mos lejuar hyrjen e të huajve në territorin e tyre.
Pastaj jemi pothuajse në të njëjtin paralel gjeografik me rajonet italiane Marche e Abruzzo ku tërmetet kanë shtëpinë e tyre.
Çfarë kemi bërë me lekët tona ? Kemi ndërtuar apo kemi shkatërruar Tiranën? Kemi shpenzuar miliona e miliona, ndofta miliarda dollarë, euro, lireta, marka e dhrahmi, për të ndërtuar pallate, shtëpi. Në qoftë se këto fonde do të investoheshin për zhvillimin e ekonomisë, vendi mund të ishte bërë sot një Gjermani e vogël e super industrializuar, prodhuese e eksportuese e prodhimeve “ Made in Albania”, dhe jo, siç jemi sot, një vend importues i prodhimeve kineze e senegaleze.
Në atë kohë, të gjithë ne kërkonim të kishim diçka që tërë jetën na kishte munguar: një pronë private. Shtëpia në atë periudhë të trazuar, dukej si një investim më i leverdishëm e më i sigurtë, por edhe kjo u transformua në një ferr, më i keq sesa ai i Dante Aligherit. Me mundin, djersën e gjakun e qytetarëve, sipërmarrësit u pasuruan, duke u dhënë në shkëmbim vetëm një copë letër me firmën e noterit.
Dikush mund të thotë : Përse na duhet certifikata e pronësisë së shtëpisë? Shtëpia është e imja, brenda jam unë, mjaft me letra !
Çdo njeri mund të mendojë si të dojë, por pa pronësinë e vet private, në këtë rast të shtëpisë së vet, është e do të mbetet gjithmonë anonim, pa identitetin e tij. Asnjëherë nuk i dihet. Një ditë të bukur mund ta shikojë veten e tij jashtë nga shtëpia . Mashtruesit e shkelësit e ligjit të bardhën e bëjnë të zezë e të zezën e bëjnë të bardhë.
Shoqëria në të cilën jetojmë funksionon në bazë të rregullave e ligjeve te bashkëjetesës njerëzore. Një shtëpi që nuk është e njohur nga Shteti si pronësi private, është jashtë tregut, nuk shitet e nuk blihet. Paraja nuk qarkullon, ekonomia nuk merr oksigjen. Ndodh e njëjta gjë si me trupin tonë , që nuk jeton pa qarkullimin e gjakut. Praktikisht zinxhiri xhiron në këtë mënyrë : qytetari merr me ligj shtëpinë që i takon, Shteti merr pjesën e vet, nëpërmjet taksës për shtëpinë, si në Itali, ku paguhet më pak për shtëpinë e parë të banimit ( këtë vit e kanë hequr fare këtë taksë) dhe më shumë për shtëpinë e dytë që konsiderohet shtëpi luksi.
Problemi i pronësisë private të shtëpive është një punë e madhe e akumuluar edhe kjo nga qeveritë e mëparshme. Nga identifikimi e deri në ekzekutimin final duhet një procedurë e gjatë, me vuajtje të tjera për të gjithë qytetarët, por në mënyrë të veçantë për emigrantet, që detyrohen të bëjnë vajtje – ardhje pa mbarim nga vendi ku jetojnë , për një shtëpi që tashmë e kanë paguar një mijë herë më shumë.
Kryeministri Rama që dallohet nga të gjithë të tjerët për ndjeshmërinë e lartë nacionale e njerëzore ndaj të gjithë emigrantëve, mund t’u vijë atyre në ndihmë, duke lehtësuar procedurat pritëse e duke hapur sportele në Tiranë, në shërbim të tyre. Kjo mund të ishte një ndihmë direkte e konkrete.
Të dy reformat e Qeverisë Rama kanë një objektiv të përbashkët: njohjen e ligjshme e mbrojtjen e pronës private në Shqipëri, kusht pa të cilën nuk mund të ketë zhvillim ekonomik dhe shpëtim të demokracisë që ishte vënë në një udhëkryq të rrezikshëm nga qeveritë e mëparshme.
Në planin shoqëror reformat do të qetësojnë gjakun tonë të nxehtë e do të frenojnë e zbusin kapitalizmin tonë të egër.
Edi Rama na ka hapur, kështu, një dritare të re për të riparë nesër një Shqipëri të ndryshme nga ajo e sotmja, më të zhvilluar, më demokratike e më të sigurt brenda vendit e në marrëdhëniet me botën që na rrethon që paraqet një mozaik ndërthurjesh fatale për të gjithë ata që nuk bëhen zot të vetvetes e të vendit të tyre…
Sa shumë do të dëshironin opozitarët e mjeruar politikë e ekonomikë që gjithë jetën janë puthur me drogmenët e kanë vënë pasuri më shumë se sa presidenti amerikan Trump, ta transformonin këtë operacion të ligjshëm të Qeverisë Rama në një konflikt pa mbarim me banorët e qytetarët e Tiranës, viktima të mafiozëve kriminelë. Nuk thonë me kot, “ujku mjegull kërkon”.
Në botën e sotme nuk ka asnjë vend të pastër (pulito). As Europa në tërësinë e saj, as çdo vend i veçantë, duke përfshirë këtu edhe Italinë, nuk është i tillë. Por çdo vend në qoftë se nuk lufton kundër drogës e krimit të lidhur me të, fare lehtë mund të kthehet në një Kolumbi europiane, ballkanike e mesdhetare dhe populli i tij një ditë do të shpërfytyrohet plotësisht e nisë udhëtimin e gjatë e të pakthyeshëm për në detin e harresës .
Për më shumë hollësi,nëse kini pak kohë e durim mund lexoni kapitullin e fundit të këtij libri “Bomba njerëzore… bota jonë mban brenda vetvetes një bombë që prej vitesh e ka prodhuar, kurse tani po e ndez për ta shpërthyer më keq sesa reaksioni zinxhir i atomit …”.
