“Aktivitete portokalli” në mbarë Shqipërinë hapën sot fushatën 16-ditore duke bërë thirrje për t’i dhënë fund dhunës ndaj grave dhe vajzave, e cila prek një në tre gra në mbarë botën dhe më shumë se gjysmën e grave shqiptare (59,4%).
Agjencitë e Kombeve të Bashkuara kanë mbështetur një maratonë aktivitetesh, mbi 40 në mbarë vendin, me synim përfshirjen dhe angazhimin e komunitetit lokal, shoqërisë civile, dhe organeve shtetërore për një shoqëri pa dhunë. Theksi i këtij viti është angazhimi i komunitetit dhe individit në nivel ‘vendor’ nëpërmjet ndërgjegjësimit ‘derë më derë’ – jo vetëm në ndërtesat qeveritare, por edhe në shkolla, universitete, teatro, bare, stadium dhe bulevarde.
Në Tiranë përfaqësues të qeverisë, komunitetit ndërkombëtar, personalitete të artit, sportit dhe kulturës, punonjës të policisë dhe qytetarë, u bashkuan në një manifestim ku dhanë mesazhe për barazinë gjinore, veprime active për një shoqëri shqiptare pa dhunë. Ky mobilizim masiv shoqëror, nën petkun portokalli që simbolizon një të ardhme optimiste dhe pa dhunë për gratë dhe vajzat, është pjesë e fushatës ndërkombëtare: UNiTE (Bashkohu për t’i dhënë fund dhunës ndaj gruas).
16 Ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore është një lëvizje shoqërore botërore për të ndërgjegjësuar dhe nxitur veprime konkrete për çrrënjosjen e dhunës ndaj grave dhe vajzave. Edhe në Shqipëri “16 Ditët” nisin si çdo vit më 25 nëntor, Dita Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave, dhe përfshijnë një mori veprimtarish nga individë dhe grupe shoqërore, të cilat bëjnë thirrje për eliminimin e dhunës ndaj grave dhe vajzave. Shqipëria i bashkohet nismës ‘Portokalli’ duke ndriçuar xhaminë e Tiranës, Kishën Ortodokse, Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Bashkisë Tiranë dhe ndërtesa në qytetet kryesore të vendit.
