Shqipëria e mbyll me fitoren 3-0 ndaj San Marinos serinë e turit të tre testeve miqësore, duke u rikthyer te suksesi pas disfatave identike 1-0 me Rumaninë e Hungarinë. Pa diskutim që në këtë paraqitje të kuqezinjve që kishte të bënte dhe niveli tejet modest i kundërshtarit, por Shqipëria këtë herë dhuroi sinjale pozitive.
De Biasi e niste sërish me ndryshime të rëndësishme, duke vendosur preshevarin Fidan Haliti në qendër të mbrojtjes përkrah Mavrajt, në mesfushë Sabien Lilaj dhe Emiljano Vila e Abrashi e nisnin titullar, ndërsa Kaçe në stol. Risi të rëndësishme ofronte dhe sulmi me Vajushin e Kapllanin, ndërsa pas dy ndeshjeve radhazi i takonte stoli Sokol Cikalleshit. Që në fillim Shqipëria u stacionua në gjysmëfushën kundërshtare, duke xhiruar topin përballë një San Marino të mirëvendosur për të mos lënë hapësira.
Në minutën e 18-të sulmuesi durrsak provoi me kokë pas një harkimi të Ramës, por i duhej të ulte shënjestrën. Në të 21’ provoi dhe Amir Abrashi nga jashtë zonës, por devijimi i mbrojtjes së vendasve dërgoi topin në goditje këndi. Avantazhi i Shqipërisë erdhi në minutën e 27 nga ai që se pret. Një krosim i Armando Vajushit nga goditja e dënimit u shfrytëzua në perfeksion nga qendërmbrojtësi Mërgim Mavraj që kërceu më lart nga të gjithë për avantazhin kuqezi. Dy minuta më pas provoi nga distanca Armando Vajushi që nuk gjeti pasqyrën e portës.
Gjithsesi shkodrani ja arriti qëllimit vetëm 3 minuta më vonë kur pas këmbënguljes së Kapllanit shënoi një supergol të vërtetë nga distanca duke e dërguar topin në shtyllën pranë kryqëzimit të trarëve para se të përfundonte në rrjetë. Ishte pikërisht ky gol spektakolar finalizimi i parë iVajushit me fanellën kuqezi. Shqipëria shkoi një dhomat e zhveshjes në avantazhin e dy golave, ndërsa në të dytën Orges Shehi u fut në lojë për Berishën ndërsa Ergys Kaçe i morri vendin Sabien Lilajt. Në fraksionin e dytë Shqipëria vijoi të kontrollonte lojën, por më e rezervuar, ndërsa pati ndonjë tentative për të shkuar përpara dhe nga San Marino.
Valdet Rama i la vendin Cikalleshit ndërsa në minutën e 25 të pjesës së dytë Vajushi doli nga fusha për t’i hapur rrugën debutimit të Albi Dostit me fanellën kuqezi. 3 minuta më vonë erdhi dhe goli i tretë për Shqipërinë me Emiljano Vilën që shënoi një tjetër supergol me të djathtën e tij. 6 minuta para fundit të kohës së rregullt provoi golin e tij të parë me kombëtaren dhe Fidan Aliti, por tentativa e mbrojtësit kishte nevojë për kolaudim. Gjithçka u mbyll më Shqipërinë në sulm dhe shifrat 3-0, një ngushëllim ky pas dy disfatave radhazi, edhe pse për ndeshjet zyrtare të “Francë 2016” do të fillojnë lojërat e vërteta.
HAHA, shqiperia vetem nje ekip diletantesh mund te mundi.