Shqipëria ka të ardhme, ngushëllimi i Canës

redaktor

Kapiteni kuqezi uron Zvicrën dhe shqiptarët e saj për kualifikimin, ndonëse nuk e fsheh mendimin se ata duhej të luanin me kuqezinjtë

 

Kapiteni i Shqipërisë, Lorik Cana, ka uruar kombëtaren e Zvicrës dhe sidomos shqiptarët e saj për kualifikimin në botëror, ndonëse nuk e fsheh dëshirën që të kishin shkuar së bashku në Brazil, si lojtarë të një skuadre. Loriku është një nga futbollistët e shumtë shqiptarë që kanë jetuar dhe e kanë nisur karrierën e tyre në Zvicër, pikërisht në Lozanë. I intervistuar nga “Le Matin”, gazeta e qytetit të tij të rinisë, lojtari kuqezi ka shprehur hidhërimin për humbjen e pësuar të premten në mbrëmje, megjithatë ngushëllohet nga fakti që kombëtarja e Shqipërisë ka të ardhme.

– Si e vlerësoni ndeshjen që ju la përfundimisht jashtë botërorit, ndërkohë që Zvicra shkon atje?

– Për mendimin tim, tifozët nuk panë një shfaqje të madhe dhe kryesisht për shkak të gjendjes së fushës. Ndoshta për zviceranët ishte edhe më e vështirë, pasi ata nuk janë mësuar me fusha të tilla, por edhe për ne nuk ishte e lehtë. Shqipëria është skuadër teknike, të cilës i pëlqen të luajë me topin, me pasime të shkurtra, gjë që nuk ishte e mundur me atë fushë. Sigurisht që jam i zhgënjyer nga humbja, sepse i kishim mundësitë për të arritur një rezultat më të mirë. Ky është futbolli dhe unë ngushëllohem me faktin se Shqipëria është në ndërtim e sipër.

– Megjithatë, e vutë nën presion Zvicrën…

– Kjo është e vërtetë. Pas pushimit u shfaqëm ndryshe, por luajtëm dobët në pjesën e parë. Nuk është hera e parë që na ndodh në këtë sezon: kur na mungon finalizimi, ndëshkohemi. E kemi përjetuar këtë gjë edhe kundër Islandës e Sllovenisë. Edhe në rastin e golit të parë të Zvicrës, unë mendoj se ishim shumë të pafat. Ka pasur prekje të topit me dorë para se të pasohej te Shaqiri. I gjithë stadiumi e pa, por jo gjyqtari.

– Si i shihni shanset e Zvicrës në Brazil?

– Zvicra e ka dominuar grupin dhe duhej të ishte kualifikuar më herët se në ndeshjen kundër nesh. Me gjithë këta lojtarë cilësorë, që luajnë në klube të mëdha, pjesëmarrëse në Champions League, ekipi përfiton shumë. Prandaj mendoj se nuk ka asgjë më se shumica e skuadrave të tjera finaliste.

– Mendoni se edhe Shqipëria përfaqësohet në botëror nga lojtarët shqiptarë që luajnë me Zvicrën?

– Sinqerisht, do të preferoja që ata të luanin me ne dhe të shkonim së bashku në botëror. Për mendimin tim, vendi i tyre është në ekipin e Shqipërisë. Ata e kanë bërë zgjedhjen e tyre dhe ne i përgëzojmë për kualifikimin dhe do të jemi tifozët e tyre të parë në qershor.

 

 

 

Share This Article
2 Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *