Elvis Kabashi, mesfushori shqiptar i të rinjve të Juventusit, ka refuzuar të vishet me fanellën kuqezi në të ardhmen, duke shpresuar në thirrjen nga kombëtarja e Italisë. Djaloshi kosovar ka dërguar një letër në FSHF-, të shkruar në anglisht, ku kërkon që të mos thirret më. Lojtari e ka përligjur vendimin e tij me faktin se ai është lindur e rritur në Itali, çka bën që të ndihet italian dhe pjesë e futbollit të atij vendi. “Ju ftoj me mirësjellje të mos më thërrisni më në të ardhmen, pasi dëshira ime është që të luaj mundësisht me skuadrën kombëtare italiane të futbollit”, shkruan Kabashi, pasi falënderon për interesin e treguar deri tani. Lojtari lutet për mirëkuptim, pasi Italia është shteti me të cilën ndihet më tepër i lidhur. Kabashi është lojtari i dytë që këtë vit i kthen shpinën Shqipërisë. I pari ishte Mërgim Brahimi, i cili e hoqi veten nga lista e kuqezinjve sapo e thirri Zvicra, çka tregoi se Shqipëria ishte thjesht plani rezervë.
Precedentët
Kabashi nuk është lojtari i parë që refuzon të veshë fanellën e Shqipërisë, duke ëndërruar të luajë me një skuadër të madhe. Fanella kuqezi është refuzuar më parë edhe nga lojtarë që janë lindur brenda terrorit të Republikës së Shqipërisë, por janë rritur e bërë futbollistë jashtë. Jyrgen Gjasula është një nga lojtarët që u kërkua me ngulm nga kombëtarja në rininë e tij, por ai ëndërronte të luante me Gjermaninë, një ëndërr që nuk iu realizua kurrë. Veç tij, një tjetër lojtar i lindur në Tiranë, Roland Gëerxhaliu, refuzoi Shqipërinë për të luajtur me Austrinë, gjë që ia ka arritur. Ky i fundit veproi kështu edhe për arsye jetësore, pasi do t’i duhej të hiqte dorë nga pasaporta e Austrisë, e cila nuk e lejon dyshtetësinë, një vendim që do të ndikonte në jetën e tij. Mërgim Mavraj ishte lojtari që luajti me dy porta, duke shpresuar në thirrjen nga Gjermania. Luajti me kombëtaren gjermane U-21 dhe ndoshta do të kishte luajtur edhe me kombëtaren A, por u dëmtua dhe nuk u thirr. Pas riaftësimit, nuk arriti kurrë në atë nivel që kërkon Gjermania dhe u rikthye te kuqezinjtë. Para Kabashit dhe Mërgim Brahimit, ishte Ilir Azemi që refuzoi thirrjen, edhe ky me shpresën për të luajtur me Gjermaninë. Vështirë se do ta realizojë, pasi nuk ka shënuar asnjë gol dhe nuk luan titullar me Greuther Furth, skuadrën më të dobët të Bundesligës, ku kapiten është pikërisht Mavraj. Paralelisht me të, edhe Valentin Gjokaj flirtoi gjatë me idenë se mund të thirrej nga Zvicra, por më pas erdhi në kombëtaren U-21. Megjithatë, i ka ende mundësitë të luajë me Zvicrën nëse kjo e thërret, ndaj do të ishte mirë të thirrej e të luante qoftë edhe një minutë me kombëtaren A. Veç këtyre lojtarëve që tashmë e kanë zgjedhur rrugën e tyre, nuk dihet ende se çfarë do të bëjë Ergys Kaçe. E ka pohuar simpatinë për Shqipërinë e Greqinë njëkohësisht, shprehet se ndihet së pari shqiptar, por edhe ka kërkuar kohë të mendohet. Në faqen e tij në Facebook disa herë është paralajmëruar veshja kuqezi, por nuk ka ende asnjë vendim zyrtar nga ana e djaloshit të lindur në Korçë dhe rritur në Selanik.
Letra e Kabashit
“Jam shumë i nderuar dhe mirënjohës për interesin që ka treguar deri më sot, Federata Shqiptare e Futbollit, por ju ftoj me mirësjellje të mos më thërrisni më në të ardhmen, pasi dëshira ime është që të luaj mundësisht me skuadrën kombëtare italiane të futbollit, gjithashtu edhe në përputhje me artikullin 8 të Rregullores së FIFA-s “për aplikimin e Statuteve”. Siç e dini, unë jam qytetar italian, kam lindur, jam rritur, jam rezident dhe kam banuar gjithmonë në Itali, ndaj ky është shteti me të cilin jam më tepër i lidhur. Rrjedhimisht shpresoj që do të më kuptoni dhe njihni vendimin tim për t′u përgjigjur pozitivisht vetëm nëse thirrem në të ardhmen nga Federata italiane e Futbollit”.