Tifozët shqiptarë kanë të drejtë të pretendojnë për rezultate pozitive në dy ndeshjet e shtatorit, kur Shqipëria viziton Slloveninë e Islandën për eliminatoret e botërorit. Optimizmi vjen logjikshëm pas takimit të mbrëmshëm, ku skuadra e Xhani De Biazit mundit 2-0 Armeninë, duke regjistruar suksesin e parë në tri ndeshje me këtë kundërshtar. Valdet Rama dhe Ergys Kaçe i dhanë fitoren e radhës Shqipërisë, por në të vërtetë, nuk janë shifrat ato që të japin besim, por fakti që tani kjo skuadër ka me të vërtetë shumë alternativa, sa mund të kompensojë pa asnjë problem për çdo mungesë eventuale. Italiani la pa thirrur një numër lojtarësh të rëndësishëm, ndërkohë që la në stol Mavrajn e Lilën dhe i dhuroi debutimin që nga minuta e parë Abrashit. Në krahun e djathtë u rikthye Odise Roshi, ndërkohë që në sulme pati dy lojtarë thuajse të harruar nga mungesa e gjatë, Edmond Kapllani e Ahmed Januzi. Armenia pati problemet e saj me mungesat, mbi të gjithë Mhitarian, ylli i transferuar te Borusia Dortmund nga Shahtjor Donjeck. Me fillimin e lojës, kuqezinjtë vendosën menjëherë autoritetin në fushë, duke qenë padronë të saj, falë aksioneve të rrjedhshme sidomos nga krahët. Roshi e Rama në anësore i dhanë gjerësi sulmit të Shqipërisë, të ndihmuar pas shpine nga Dallku e Agolli, ndërkohë që në qendër Migjen Basha vazhdon të vërtetojë se pse De Biazi këmbënguli aq gjatë për ta veshur kuqezi. Armenët i përgjigje me topa të gjatë lojës së Shqipërisë, por prapavija është në ditë të mirë. Pas sulmeve në minutat e para, pati një rënie të vrullit nga kuqezinjtë dhe më tepër gjallëri nga miqtë, por balancën e ktheu plotësisht goli i shënuar nga Valdet Rama, me një gjuajtje të fortë me të djathtën, brenda zonës, me topin që u devijua edhe nga një mbrojtës. Pak çaste para golit, Rama u kishte dhënë mundësi armenëve të shënonin, me një pasim të gabuar prapa, por Berisha doli rrufeshëm nga porta dhe me një sparkatë jashtë zonës largoi rrezikun. Pas golit deri në pushim u pa një dialog i gjatë i sulmit kuqezi me mbrojtjen armene. Mjaft raste të krijuara, të cilët nuk u kthyen në gola sa për meritë të portierit mik, por edhe për nxitim të vendasve. Pjesa e dytë nisi me ritëm më të ulët se e para dhe skuadrat nuk ishin shumë ngacmuese. De Biazi bën disa zëvendësime në këtë pjesë dhe skuadra e tij qarkullon topin duke e përgjumur shumë ndeshjen, deri në mërzi, ndërsa armenët kanë harruar që ka edhe një portë kundërshtare. Italiani fut në lojë Kaçen dhe mesfushori shtatshkurtër zgjon shokët dhe tifozët në stadium, me një goditje të shkëlqyer nga 17 metra, e cila prek traun e më pas tund shtyllën. 2-0, një gol fantastik. Shqipëria përsëri ngre ritmin dhe krijon raste, por sulmuesit nxitohen shumë në pasimin e fundit dhe gjuajtjet në portë. Kaçe mund të kishte shënuar një tjetër me goditje nga jashtë zonës, këtë herë me të majtën. Me gjithë përpjekjet e kuqezinjve, nuk pati gol tjetër dhe ndeshja përfundoi 2-0. Një provë pozitive për lojtarët e rinj në skuadër, sidomos për Abrashin, që punoi mirë pranë Bashës, ndërkohë që Gashi u përpoq shumë për të shënuar në debutimin e tij kuqezi.
SHQIPËRI – ARMENI 2-0
Rama 21′, Kaçe 67′
SHQIPëRIA: Berisha, Cana, Teli (Mavraj 46′), Agolli, Dallku, M. Basha (Kaçe 66′), Roshi (Gjasula 56′), Abrashi (V. Basha 76′), Rama (Lila 46′), Januzi, Kapllani (Gashi 56′). Trajner: De Biazi
ARMENIA: Berezovski (Kasparov 46′), Hovhanisian, Harojan, Haxhiaturov (Voskanian 74′), Airapetian (Avgajan 69′), Ghazarjan (Aslanian 76′), Ozbiliz, Mkrthian, Jedigarjan (Papihjan 67′), Piceli (Sarkisov 58′), Movisisjan. Trajner: V. Minasian
Gjyqtar: Todorov (Bullgari)
Kartonë të verdhë: Januzaj, Cana

Golat:
http://www.youtube.com/watch?v=hAy7H8c3KU0