Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë Ilir Meta i ka dërguar një letër Kryetarit të Parlamentit dhe Presidentit në detyrë të Ukrainës Oleksandr Turchynov përmes së cilës e uron atë me rastin e zgjedhjes në krye të Parlamentit dhe e siguron atë për mbështetjen e Kuvendit të Shqipërisë gjatë kësaj periudhe të vështirë për vendin mik të Ukrainës. “Shqipëria ka ndjekur me shqetësim të madh përshkallëzimin e tensioneve, humbjen dhe plagosjen e qindra qytetarëve të vendit tuaj, destabilizimin politik dhe së fundmi kërcënimin që po i bëhet integritetit territorial të Ukrainës nga situata e pasigurt krijuar në rajonin e Krimesë. Më lejoni t’Ju siguroj se Kuvendi i Shqipërisë mbështet plotësisht përpjekjet Tuaja në këtë moment përgjegjësie historike, në shërbim të stabilizimit të situatës politike, ruajtjes së integritetit territorial të të gjithë Ukrainës dhe mbrojtjes të të gjithë qytetarëve të vendit tuaj. Njëkohësisht shpresojmë në angazhimin e të gjitha palëve për stabilizimin e vendit përmes dialogut konstruktiv e paqësor, sipas ligjeve të Ukrainës në fuqi dhe në respekt të akteve dhe detyrimeve ndërkombëtare e bilateral”, shkruan meta në letër.
