“Ishim kuriozë sa para kishte nën dyshekë”, Euro mbush 20 vjet në qarkullim, historia shqiptare e monedhës europiane

J L

 

Në fillim të këtij viti, monedha e përbashkët europiane mbushi 20 vjet prej daljes për herë të parë në qarkullim si monedhë fizike. Për Shqipërinë, dalja e Euros do të shënonte një moment kthese dhe i dha origjinë një zgjerimi të shpejtë të Euros si monedha alternative në transaksionet ekonomike të vendit.

Por, hyrja e Euros ishte një moment që shtroi disa sfida për bankat tregtare në Shqipëri dhe sidomos për bankën më të madhe në atë kohë, Bankën e Kursimeve.

Bankës me kapital shtetëror i duhej të siguronte një sasi fillestare valute për të qenë gati për t’iu përgjigjur nevojave të klientëve që më 1 janar 2002. Duke qenë bankë e një shteti jashtë Eurozonës dhe pa një bankë mëmë nga këto vende, sigurimi i sasisë fillestare të valutës nuk ishte një proces i thjeshtë.

Adrian Shehu, ish-Drejtor i Thesarit në Bankën e Kursimeve në atë kohë, tregon:

“Gjëja e parë që duhet të bënim ishte të siguronim bankënotat e euros, që të ishim gati për daljen e monedhës në qarkullim më datë 3 janar. Fillimisht, morëm kontaktet e para me bankat korrespondente, kryesisht me Raiffeisen. Çuditërisht, prej tyre na erdhi një përgjigje që procesi i aplikimeve me kërkesat e të gjithë shteteve për sasinë e bankënotave ishte mbyllur që në muajin maj. Ata na sugjeruan të kontaktonim bankën qendrore që të na asistonte.

Iu drejtuam Bankës së Shqipërisë, por ata na u përgjigjën që duhet ta zgjidhnim vetë këtë çështje. Bankat me kapital të huaj e kishin zgjidhur këtë çështje nëpërmjet aksionerëve apo bankave mëmë”, tregon z.Shehu.

Siç ndodh shpesh në biznes, zgjidhja u gjet falë kontakteve dhe njohjeve personale.

“Unë pata bërë një specializim në Commerzbank dhe kisha disa kontakte aty. Pas i kontaktova, ata na dhanë gatishmërinë e tyre për të na mbështetur. Na erdhi një dokumentacion me postë nga Commerzbank dhe firmosëm një marrëveshje për marrjen në administrim të një sasie të caktuar të euros. Bëhej fjalë për 10 milionë euro. Na dhanë edhe interes për shumën e valutave që do të depozitonim deri në datë 2 janar, duke qenë se euroja deri në atë datë nuk mund të dilte në qarkullim. Ka qenë mesi i muajit shtator kur dërguam kontratën e firmosur“, tregon ai.

Në fund të shtatorit, Commerzbank dërgoi sasinë e parë të eurove të porositura nga Banka e Kursimeve. Paratë u ruajtën te thesari i Bankës së Kursimeve, me një lloj shqetësimi që mund të bëhej edhe objekt sulmesh.

Z.Shehu tregon se më tej u hartua një plan të detajuar për shpërndarjen e bankënotave në degët e bankës, si edhe seminare me të gjitha degët e bankave për t’i njohur me monedhën e re dhe me procedurat që do të kryheshin.

Paralelisht, u zhvilluan edhe disa aktivitete publike dhe intervista në media me qëllim sensibilizimin dhe informimin.

Sipas tij, në atë periudhë ekzistonte edhe një tendencë interesante: shumë njerëz i mbanin depozita në degët e qyteteve të tjera, sepse nuk donin të merrej vesh nga punonjësit e bankave në qytetin e tyre sa para kishin.

Më datë 3 janar, kur u hapën degët e bankave, njerëzit që u paraqitën në sportele patën mundësi të merrnin euro normalisht. Më tej, nuk pati probleme në konvertimin e gjithë valutës së huaj dhe procesi vijoi gradualisht.

Paratë “nën dyshek”: Priteshin 30 milionë euro, hynë 5-6 milionë

Një çështje tjetër e lidhur me daljen në qarkullim të euros ishte pastrimi i parave dhe evidentimi valutës që individët e mbanin jashtë sektorit financiar. Duke qenë se valutat ekzistuese nuk do të përdoreshin më, ato duhet të këmbeheshin me euro pas 1 janarit 2002.

Në atë periudhë, rregullat dhe kërkesat kundër pastrimit të parave ishin shumë larg atyre që ekzistojnë sot. Vetë struktura kundër Pastrimit të Parave në Shqipëri sapo ishte krijuar.

Llazi Balliu, ish-drejtor i Financës dhe Kontabilitetit në Bankën e Kursimeve shprehet se ishte krijuar një pritshmëri për pastrimin e parave, në momentin që njerëzit do të këmbenin valutën që kishin akumuluar dhe që e mbanin në shtëpi.

“Kishin kaluar 10 vjet nga ndryshimi i regjimit dhe natyrisht ishte krijuar një gjendje e parasë informale apo parasë së zezë. Ne duhet të bënim identifikimin e të gjithë klientëve që depozitonin valutë dhe, nëse do të kishim indicie për pastrim të parave, duhet të sinjalizonim në strukturën përkatëse. Megjithatë, unë nuk mbaj mend të kemi pasur ndonjë rast të tillë.

Në fakt, ky fenomen nuk rezultoi në ato përmasa që ne prisnim. Parashikimet tona ishin që paraja cash që do të grumbullohej për t’u kthyer në euro të shkonte mbi 30 milionë euro. Në fakt, shtesa si efekt i grumbullimit të parave në dyshek mund të vlerësohet në 5-6 milionë euro gjithsej. Nga kjo arritëm në konkluzionin se përmasa e parasë së zezë apo informale nuk ishte aq e madhe sa mund të mendonim dhe se vlerësimet për të ishin të tepruara”, thotë z.Balliu.

Ai është i mendimit se edhe sot vlerësimet për paranë e zezë që qarkullon në ekonomi janë të fryra.

“Mund të pranojmë se ekziston një lloj paradoksi, i lidhur sidomos me tregun dhe çmimet e pasurive të paluajtshme. Por, duke të kemi parasysh edhe zhvillimin dhe fuqizimin ekonomik.

Një nga faktorët është roli dhe trysnia e një klase ndërtuesish që është fuqizuar dhe nuk ka urgjencë për të shitur. Nuk përjashtoj as fenomenin e pastrimit të parave, që natyrisht është më i madh se në vitin 2002, por nuk mendoj se është në ato përmasa që perceptohet nga opinioni publik”, shprehet z.Balliu.

Historia e Euros

Vendimi për të krijuar një monedhë të përbashkët europiane dhe emërtimi i saj si Euro u mor zyrtarisht në dhjetorin e vitit 1995.

Kalimi në euro nuk ishte një puna e lehtë për vendet anëtare të Bashkimit Europian. Në total, 7.4 miliardë kartëmonedha dhe 38.2 miliardë monedha do të ishin në dispozicion për t’u shpërndarë te konsumatorët dhe bizneset më 1 janar 2002.

Shumica e vendeve anëtare lejuan që kartëmonedhat dhe monedhat ekzistuese të kishin kurs ligjor paralel deri në 28 shkurt 2002, (me përjashtim të Gjermanisë, ku prej 1 janarit 2002 markat nuk mund të përdoreshin për pagesa) ndërsa afati ligjor për t’i kthyer valutat e vjetra në euro pranë bankave u caktua 30 qershori 2002.

Tetë vende të Bashkimit Europian ende nuk janë bërë pjesë e Eurozonës (përfshi këtu edhe Danimarkën). Euro përdoret gjithashtu si monedhë zyrtare edhe në vende që nuk janë pjesë e Bashkimit Europian, si Kosova dhe Mali i Zi, ndërsa në vende si Shqipëria, përdoret si monedhë alternative.

Monitor

j.l./ dita

Share This Article
1 Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *