Lituania nuk është nga ata kundërshtarë për të cilët ekzaltohesh shumë kur i mund, por pas fitores të së martës gëzimi i trajnerit De Biazi është më se i logjikshëm. Tani që Brazili është në horizont, miqësorja e fundit ishte prova gjenerale për takimin që të gjithë e presin me padurim, kundër Norvegjisë në qershor. Është e natyrshme frika që mund të ndiejnë tifozët, por edhe trajneri me stafin e tij, në prag të kësaj sfide, për shkak të asaj çka ka përfaqësuar Shqipëria në vite: një skuadër modeste, që pavarësisht disa rezultateve vërtet të bujshëm, nuk arrin të bëjë më tepër se dy rezultate pozitive radhazi; një skuadër që shpesh fluturon nga euforia, për të rënë pastaj keq përtokë. Veç këtyre, edhe një skuadër ku çdo mungesë peshon, imagjinoni tre, që është numri i mungesave për ndeshjen e qershorit, për shkak të pezullimeve. Parë nën këtë këndvështrim, rëndësia e fitores me Lituaninë është vigane. Vërtet që Lituania nuk ishte e madhe, por Shqipëria “tjetër” me siguri që do të ishte rrëzuar keq pas atij suksesi marramendës në Oslo, gjë që këtë herë nuk ndodhi. Skuadra shfaqi sedër për t’u admiruar, lojtarët ishin seriozë dhe të përkushtuar ndaj fanellës, kjo e fundit gjë që nuk ka munguar ndonjëherë. Loja pati stabilitet, pasi kuqezinjtë ishin në çdo moment zotër të fushës, pa i lejuar asgjë kundërshtarit, edhe pse në pjesën e dytë erdhi i lëshimi i natyrshëm kur kryeson me katër gola diferencë. Tjetra është që De Biazi tani mund të thotë pa frikë se i ka gjetur alternativat, jo thjesht për të zëvendësuar tre lojtarët që mungojnë, por edhe për t’u mbështetur plotësisht tek ata në të ardhmen. Valdet Rama iu përgjigj shpresave të mëdha rreth tij, duke u harmonizuar menjëherë me ekipin e duke treguar shenja klasi. Alban Meha e zëvendësoi më së miri Andi Lilën në krahun e djathtë të mesfushës, ndërkohë që kavajasi vetë luajti në mbrojtje, në vend të Dallkut. Në vend të Canës të martën luajti Tefik Osmani. Është i vetmi ndër “zëvendësuesit” për të cilin nuk mund të thuash shumë, pasi sulmi lituanez pothuajse nuk ekzistoi, por një detaj në favor të tij e ka: nuk është i ri në kombëtare, përkundrazi, ka luajtur që më 2005. Më tej, Migjen Basha ishte një sukses i vërtetë, aq sa tani vështirë ta imagjinosh kombëtaren pa të. Pas ndeshjes, De Biazi tha se e ka idenë se cilët do të përdorë në krahë. Tani mund të thuhet se Shqipëria nuk ka mungesa për ndeshjen e qershorit. Italiani ka arritur të krijojë një grup që i asimilon ato, ndërsa me Lituaninë mundi edhe frikën e së ardhmes. Ajo që pritet, është të mundë (edhe një herë) Norvegjinë.
