Instituti për Matjen dhe Vlerësimin e Shëndetit (IHME), autoriteti më prestigjoz në botë që mat barrën e sëmundjeve në çdo vend, lëshon alarmin se sëmundjet vdekjeprurëse në Shqipëri janë rritur me ritme të frikshme.
Insituti vëren se, nga një raport i posaçëm i nxjerrë, numri i vdekjeve në Shqipëri si pasojë e sëmundjeve më të rrezikshme është rritur në interval dyshifror.

Raporti
Instituti ka analizuar se si ka ndryshuar numri i vdekjeve për 10 sëmundjet me vdekshmërinë më të lartë përgjatë periudhës 2005-2015. Gjetjet janë tronditëse.
Sipas IHME, që financohet nga miliarderi Bill Gates, vrasësi kryesor i shqiptarëve janë sëmundjet e zemrës. Por treguesi me tronditës është se krahasuar me vitin 2005 vdekjet nga sëmundjet kardiovaskulare janë rritur me 44 për qind.
Në vend të dytë, për numrin më të madh të vdekjeve renditen sëmundjet cerebrovaskulare, që ndryshe njihet si goditjet në tru. Vdekjet si pasojë e kësaj sëmundje janë rritur me 37.7 për qind krahasuar me 10 vjet më parë.
Për të gjitha sëmundjet, trendi është i frikshëm, përveç njërës, që janë infeksionet respiratore. Vetëm për këtë sëmundje Shqipëria ka rënie të vdekshmërisë krahasuar me 10 vjet më parë, ndërkohë që për 9 sëmundjet e tjera numri i vdekjeve është rritur nga 17 për qind deri në 65 për qind, në vetëm një dekadë.
Alarmi i vdekjeve të parakohshme
Sipas IHME Shqipëria po përballet jo vetëm me rritjen vdekshmërisë, por gjatë dekadës së fundit është rritur me ritme të frikshme edhe vdekshmëria e parakohëshme.
Vdekjet e parakohëshme nga sëmundjet e zemrës janë rritur me 22 për qind krahasuar me vitin 2005. Ato që vijnë si rezultat i sëmundjeve cerebrovaskulare janë rritur me 16.5 për qind, ndërsa vdekjet si pasojë e tumorit në mushkëri janë rritur me 28 për qind.
I njëjti trend vihet re edhe për sëmundjet e veshkave, si dhe ato të stomakut.
Krahasimi me vendet e tjera
Shqipëria klasifikohet me pullë të kuqe në 8 nga 10 sëmundjet me vdekshmëri të lartë. Kjo tregon se numri i vdekjeve në vend si rezultat I këtyre sëmundjeve është më i lartë se sa ai i vendeve të tjera të ngjashme dhe dukshëm më I lartë se sa vendet e zhvilluara.
Sipas IHME, vdekshmëria si pasojë e sëmundjeve të zemrës në Shqipëri është 4 herë më e lartë se sa ajo në Francë, 3 herë më e madhe se në Itali dhe mbi dy herë më e lartë se në Gjermani.
Gjithashtu i njëjti trend vihet re edhe për sëmundjet cerebrovaskulare, defektet kongjenitale dhe sëmundjet e veshkave.
