Shqipëria në bienale, prezantim i vendit të kulturës dhe artit

redaktor

Përfaqësimi në bienale, prezantim i Shqipërisë tjetër, asaj të kulturës dhe të artit. Ky do të ishte përkufizimi që do t’i bënte Kryeministri, Edi Rama përfaqësimit të vendit tonë në Bienalen e Venecias.

Mbresat e tij  i shoqëroi me superlativa. “Pavioni i Shqipërisë, gëzim legjitim për një sukses të gjithëpranuar!”, u shpreh Rama kur doli nga pavioni i Shqipërisë në Bienalen e Venecias.

Kryeministri Rama qëndroi gjatë në pavionin e Shqipërisë në Arsenale, kushtuar arkitekturës, titulluar “Monumente të Mundshëm Ardhmërisht të Parealizuara”, ku u prezantuan punët e dy artistëve shqiptarë “Penthouse” (Shtesat), një seri pikturash nga Edi Hila dhe “The Column“ (Kolona), video/instalacioni nga Adrian Paci.

“Për ne, për mua si Kryeministër i një vendi, i cili nga larg shihet si një vend që gjeneron ankth, është një betejë shumë e rëndësishme, nga njëra anë, për të investuar më shumë në kulturë dhe nga ana tjetër, për të paraqitur këtë anën tjetër të vendit, që paraqet një panoramë shumë rrezatuese dhe shumë tërheqëse, e përfaqësuar nga artistë vërtet të mëdhenj, jo vetëm në artin pamor, por edhe në muzikë dhe në të gjitha sferat e krijimtarisë,” – u shpreh Kryeministri.

Kuratorja e pavionit të Shqipërisë Jonida Turani u shpreh se kjo paraqitje është vetëm fillimi i bashkëpunimeve të tjera.

Edhe ministrja e Kulturës Mirela Kumabaro shprehu krenarinë për suksesin e artistëve shqiptarë dhe paraqitjen dinjitoze të pavionit të Shqipërisë.

Pavioni i Shqipërisë dhe paraqitja e dy artistëve Hila dhe Paci u vlerësuan me entuziazëm edhe nga kuratori italian Stefano Rabolli Pansera.

I entuziazmuar, Kryeministri Rama doli edhe nga pavioni i Kosovës në Bienale. Kryeministri u ndal gjatë edhe në këtë pavion, ku shkëmbeu vlerësime me artistë dhe kuratorin e tij, i cili i foli Kryeministrit për idenë dhe elementet qendrorë të pavionit.

Pavijoni i Shqipërisë u kurua nga Beyond Entropy Europe, fitues i “Luanit të Artë” në Bienalen e Artit, vitin e kaluar në Venecia.

Share This Article
2 Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *