Shqipëria në play-off, një objektiv plotësisht real

anazapta

Lojtarët e kombëtares shqiptare, ashtu si dhe trajneri Xhani De Biazi kanë shprehur besimin se ende mund të kualifikohen në finalet e kampionatit botëror Brazil 2014. Nuk është thjesht një mënyrë për të mbajtur lart moralin, pasi mundësitë ekzistojnë, veçse për ta arritur duhet kaluar përmes një filtri tepër të vështirë, siç është play-offi. Kualifikimi si fituese e grupit është një objektiv mjaft i vështirë për Shqipërinë, duke parë klasifikimin aktual dhe ndeshjet e mbetura. Kur kanë mbetur edhe tri ndeshje, kuqezinjtë kanë pesë pikë më pak se Zvicra që mban vendin e parë, ndërkohë që në mes është Norvegjia.

Të dyja ndeshen të martën në Oslo dhe në rast se fiton Zvicra, duke marrë të mirëqenë edhe fitoren e Shqipërisë në Islandë, gjithçka është e mbyllur për vendin e parë. Barazimi apo fitorja e Norvegjisë lë më tepër shpresa, por gjithsesi vështirë që dy kundërshtarë ekspertë të gabojnë dy herë radhazi dhe nga kjo të përfitojë Shqipëria, një skuadër që në Lubjanë tregoi se ende nuk di ta hedhë hapin e madh, pavarësisht rritjes. Vendi i dytë është plotësisht i arritshëm, pasi Norvegjia ka vetëm një pikë më tepër, madje në rast barazimi pikësh në fund përfiton Shqipëria, me rezultate më të mira në përballjet direkt. Madje, në rast se zë vendin e dytë, Shqipëria ka shumë më tepër shanse të marrë pjesë në play-off, krahasuar me Norvergjinë, për shkak të rregullores që aplikohet në këto kualifikuese. Në kualifikueset e mëparshme, e dyta më e mirë e grupeve shkonte direkt në finale dhe të tjerat luanin në play-off. Tani është ndryshe, e dyta më e dobët eliminohet dhe tetë të tjerat luajnë për katër vende në botëror. Aktualisht, Norvegjia është e dyta më e dobët dhe nëse Grupi E përfundon me këtë renditje norvegjezët nuk do të luajnë në play-off. Nordikët kanë vetëm pesë pikë të vlefshme për renditjen e të dytave, pasi pikët e marra me vendin e fundit (Qipro në Grupin E) nuk llogariten.

Shqipëria ka shtatë pikë të vlefshme për këtë renditje, aq sa Bullgaria, një më pak se Suedia dhe dy më pak se Mali i Zi. Për më tepër, pikët e marra në dy ndeshjet e radhës vlejnë për garën e të dytave, pasi Islanda dhe Zvicra nuk mund të përfundojnë në vendin e fundit. Për sa i përket ndeshjes kundër Qipros, e fundit në kalendar, pikët nuk vlejnë për garën e të dytave, por sigurisht që kanë vlerë të paçmuar për të zënë vendin e dytë në grup. Në këto, kushte, Shqipëria ka një ngushëllim të madh pas humbjes në Slloveni, vendi i dytë është aty për t’u fituar, por për ta arritur duhet të korrigjojë medoemos shënjestrën dhe të bëjë surprizën e madhe në Reikjavik.

Sigurisht që në play-off është një sipërmarrje më vete, në varësi të shortit, por ia vlen ta provosh. Është një detyrim i madh jo vetëm karshi tifozëve, por në radhë të parë karshi vetes. Deri tani, kombëtarja i ka bërë të gjithë të ëndërrojnë, tifozë e lojtarë, falë rezultateve, por edhe paraqitjes në rritje. Një humbje në Islandë e çon në vendin e parafundit, atje ku historikisht ka qëndruar gjithmonë. Do të ishte plotësisht e pamerituar për atë çka ka dhënë në këto kualifikuese, por në fund ato që mbahen mend janë vetëm rezultatet dhe pikët në renditje.

 

Renditja e të dytave

N. Skuadra      N    F    B    H    Gol. Pikë

1. Kroacia      7    5    2    0    11:4 17

2. Greqia       6    4    1    1    7:4  13

3. Rusia        6    4    0    2    8:2  12

4. Franca       6    3    2    1    8:4  11

5. Rumania      6    3    1    2    9:10 10

6. Mali i Zi    6    2    3    1    6:8  9

7. Suedia       5    2    2    1    9:7  8

8. Bullgaria    6    1    4    1    5:5  7

9. Norvegjia    5    1    2    2    4:6  5

 

 

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *