Mbas pavarësisë nga një regjim diktatorial në vitin 1991, shteti ka hapur krahët për të ndarë me botën thesaret e fshehura përbrenda. Riviera e Shqipërisë qe pika më e bukur e udhëtimit tonë. Pamjet gjatë udhëtimit përgjatë këtij bregdeti të thyer në Jug nga Vlora, në Llogara e në Himarë ishin mahnitëse! Shumica e rrugëve të Shqipërisë janë të pjerrëta dhe gjarpëruese, por të gjitha zbulojnë pamje magjike mbas çdo kthese. Malet ngjitëse binin drejt e mbi detin Jon, mijëra këmbe më poshtë.
“Jan dhe Eden duke bëre paragliding nga maja e një shkëmbi 2000 këmbë mbi detin Jon – çfarë aventure e përjetshme për ta!…Eden dhe unë bëmë foto-magji së bashku përsëri përkundra një prapaskene në Parkun Kombëtar të Llogarasë. Ne fshatin turistik të Llogarasë, drerët vraponin lirshëm mes miqve. Kisha kohë të fotografoja edhe një dasmë sa ishim në Parkun Kombëtar të Llogarasë në Shqipëri… Pamje të tjera të bukura, një bregdet i thepisur..
Pasi arritëm në Himarë, sharmi i bregdetit shqiptar na kishte dehur tërësisht. Moti ishte perfekt me një fllad të lehtë dhe temperaturë 31 gradë. Gjiri i bregdetit ankoronte si sharmin e fshatit më posht, ashtu edhe të shtëpive që pikëzonin kodrat në ngjitje para malit. Dielli i lante të gjitha në ar. Një foto e rrallë e vetes marrë nga Jonah.
Në mbrëmjen e fundit në Himarë, po bëja xhiro në kodrat që shikonin fshatin nga sipër dhe kishin një pamje të perëndimit në bregdet. Kalova pranë një shtëpie të bukur të zbukuruar me hardhi. Dhitë vërtiteshin në oborr. Kur nëna e shtëpisë më pa duke bërë foto, më ftoi brenda. E bija më ftoi të ulesha në kopsht dhe me solli mjaltë të freskët (i prodhuar në kopshtin e tyre) dhe verë nga vreshtat ne tarracën e tyre. U trajtuam me mirësi kudo që shkuam. Populli i Shqipërisë ishte shume i sjellshëm, ndihmues dhe donin të të njihnin vërtet. Dielli po perëndonte në det dhe unë u ndjeva i pushtuar nga mirësia dhe mikpritja. Si këmbim, unë bëra disa fotografi të familjes për të dokumentuar kohën tonë bashkë.

Udhëtimi nga Himara në Sarandë përfshinte një tjetër set frymëmarrjesh e pamjesh të bregdetit jugor të Shqipërisë. Shtëpitë ishin si piper në shkëmbinj dhe gomaret ndanin rrugën me ne. Ndaluam për darke dhe kapuçino në një kafe me pamje panoramike dhe hëngrëm supe me peshk dhe sallate të freskët. Kur hymë në Sarandë, dielli shkëlqente mbi hotelet shumëngjyrësh të rreshtuar në gjirin përdrejtë nga ishulli grek i Korfuzit. Ndalesa e radhës në aventurën tonë Shqiptare na çoji në skajin më jugor të shtetit, në një qytezë të quajtur Ksamil që kishte disa ishuj të vegjël paralel me kanalin e ishullit të Korfuzit. Varka të vogla peshkimi ishin ankoruar anës bregut. Ngjyrat mbizotëronin kudo. Dolëm xhiro me jet-ski, hëngrëm fruta të freskëta, shijuam jetën. Ndjesia në ajrin e Ksamilit ishte një parajsë e vërtetë.
Në rrugëtimin për në Berat, dëshmuam gjënë më të padëgjuar dhe të veçantë që u bë qendra e bisedës për gjithë udhëtimin. Pamë me qindra shtëpi gjysmë të kompletuara në gjendje fringo të re. Më vonë mësuam nga vendasit së pas pavarësisë së 1991, shqiptarët nisën të ndërtonin shtëpi për të siguruar të drejtat e pronës. Këto shtëpi janë ndërtuar në faza dhe deri sa secila fazë të ketë fondet, qëndron e pambaruar. Shikon shtëpinë rozë më poshtë për të kuptuar se për çfarë flas. Gjithashtu ndamë rrugën me çdo lloj gjëje të gjalle.
Kur arritëm në Berat, u goditëm nga sharmi antik. Eksploruam kështjellën dhe ecëm, folëm e qeshëm deri në perëndim. Në perëndim arritëm në majë të kështjellës që shikonte nga sipër lumin Osum dhe lagjen Goricë që ishte përballë lagjes Mangalem. Ura e harkuar e Goricës, ndërtuar në 1780, është një monument i bukur arkitekturor ndërtuar për të bashkuar Goricën me Mangelemin. Me pas ecëm në bulevard për një xhiro, për të shijuar jetën e verës në qendër të këtij qyteti origjinal shqiptar. Pamja e shtëpive të bardha që ngjiteshin në kodër është një nga më të njohurat në Shqipëri dhe ka në përbërje shtëpi me dritare që duket sikur qëndrojnë njëra mbi tjetrën. Ky qytet është krenaria e arkitekturës shqiptare dhe nën mbrojtjen e UNESCO-s. Bëra shumë fotografi të këtij qyteti – ishte një pamje goditëse.
Çfarë na u duk unike për Shqipërinë, ishin rrënjët e thella familjare. Kudo që shkuam, vërejtëm biznese të drejtuar nga familjet. Hotele, hane, restorante, biznese, dyqane dhe ferma të gjitha kishin multi-gjenerata pjesëtarësh të familjes të përfshirë në pjesët e biznesit. Gjithçka ishte organike. Me ferma kudo që shikoje, dhe ushqim të freskët deti në një largësi sa krahu, ushqimi ishte më i freskët nga ç’mund ta imagjinosh. Në rrugën për në veri ndaluam në Gjirokastër, një qytet në majë të kodrës i pasur me histori. Çmimet e ulëta vazhdonin të na mahnitnin. Vajta te një berber për t’u rrojtur (nuk isha rrojtur për 9 ditë). Mjekra ishte shumë e trashë dhe Sulo harxhoi 20 minuta duke e rrojtur me një brisk të drejtë. Çmimi? 75 qindarka. “Faleminderit fëmijët e mi që ma bëtë këtë udhëtim të bukur! Faleminderit Shqipëri për gjithçka që pashë”! / Michael Jurick – Photography
“Shtëpia është e mikut, faleminderit Steve”!…
Shqipëria në sytë e një amerikani
Ishte e diel. Mëngjes në Manhattan. Kishte pak mjegull dhe dielli nxirrte aty-këtu syrin si për të trembur ata avuj uji, që ngriheshin mbi qytet. Unë po kthehesha nga një kafe jo shumë larg shtëpisë. Nga larg dikush me foli. Mbajta këmbët dhe u ktheva andej nga më erdhi zëri. E njoha. Ishte Mike. Unë banoj në një pallat me të. Ai është vendas, amerikan. Është në një nga zonat më të preferuara të Manhattan-it. Është rreth të 50-ve. Mike futet në elitën e fotografëve të Manhattan-it (por të mos harrojmë se ky qytet është miliona banorë) dhe veç kësaj, ai njihet dhe shkruan si një gazetar profesionist.

-Hë, me tha, si ke kaluar? -Mirë, mirë fare – u përgjigja. – Ju, Steve (kështu ma theksojnë emrin amerikanët) në mos gaboj, jeni shqiptar apo jo? -Po, po, i thashë, shqiptar, mirë e ke, po pse më pyet? Kam marrë një vendim me Gal dhe me fëmijët Jonah dhe Eden: Do të bëjmë pushimet e këtij viti në Shqipëri. Si thoni ju, Steve, mirë e kemi vendosur?
Unë u gjenda i i papërgatitur. Biseda po bëhej në faqen e një qiellgërvishësi në Amerikë dhe po diskutohej për vendin tim të dashur me nivel ekonomik të mjerueshëm! Ula kokën, thitha fort cigaren që kisha në dorë dhe aty për aty ju përgjigja: Kini marrë vendim shumë të mirë! Vendi im, ka një popullsi me nivel ekonomik të ulët, por me një botë shpirtërore shumë të pasur! Ai është një vend me bukuri të rralla që ju dhe familja juaj e mirë do të befasoheni. Ne shqiptarët kur na vjen miku në shtëpi themi: Shtëpia është e mikut! Kështu që ato ditë që ju do të jemi në Shqipëri, Shqipëria ime do të jetë edhe juaja.
-Faleminderit shumë, Steve! Dhe po me shikonte në sy për çfarë i thashë! U përshëndetëm dhe unë prisja se çfarë përshtypje do t’i linte vendi im në këtë ”aventurë”.
Ai nuk iku ditën e nesërme. Vonoi disa ditë. Mua çdo ditë më shkonte mendja te ai mendimi: “Hë, Steve, kemi vendosur mirë që do t’i kalojmë pushimet në Shqipëri?” Nuk dija në çfarë njerëzish “do të binte” sepse, si kudo, dhe në vendin tim ka njerëz që mund të mos sillen mirë me të huajt, nuk dija nëse rrugët nga do të shkonin apo qytetet dhe fshatrat që do të vizitonin do t’u ngacmonin sensin e ndjesisë së mirë apo të keqe dhe ky mendim më mundoi për shumë dite, gati për një muaj, derisa ata u kthyen!
-Hej, Steve, u ktheva. Ajo nuk ishte “aventurë”, ajo vizitë ishte një kënaqësi. Ti Steve kishe një vend të mrekullueshëm, një popull bujar dhe mikpritës, ata e ndanin bukën me mikun! Ishte e vërtetë ajo që më the: ”Shtëpia është e mikut…”Faleminderit shumë, Steve! Unë u zura përsëri ngushtë, fytyra mu skuq dhe mu lye me djersë, ishte një gëzim i madh dhe për mua! Sa kaq, ai kishte kaluar në dispozicionin tim një album me fotografi dhe shkrimin që më shumë i shkon për shtati një gazetari të talentuar sesa një fotografi po ashtu të talentuar.
Se çfarë përshtypje i kishte lënë vizita “aventurë” po ua paraqes më poshtë:
Faleminderit Mike! / Siljan Mala
