Shqipëria pa qytetarë, larg sistemit

anazapta

Email në adresën

[email protected]

Sot Shqipëria është një vend i karakterizuar nga pasurimi zakonisht kriminal dhe tepër marramendës i një numri individësh, familjesh dhe klanesh; varfërimi njëlloj marramendës i një pjese tjetër të popullsisë; korrupsioni i një pjese të politikanëve e sidomos perceptimi i të gjithë politikanëve si të korruptuar ose të paktën të korruptueshëm; nepotizmi dhe klientelizmi; krahinizmi ekstrem; perceptimi i ligjit si një forcë “e jashtme” e cila ia kufizon “lirinë” individit; organizimi i ekonomisë në baza parakriminale dhe mafioze; homologimi i partive politike; kriza e plotë e publikes.

Në këto kushte, demokracia në Shqipëri nuk mund të jetë veçse një kombinim i manipulimit të turmës nga elitat në pushtet dhe i shantazhit të organizatave parakriminale dhe mafioze ndaj këtyre elitave.

Atëherë zgjedhjet, në vetvete, nuk do të mund të zgjidhin asgjë. Shqipërisë nuk i duhet aq forcimi i “demokracisë” sesa forcimi i “institucioneve” dhe sidomos konsolidimi i vetë institucionit të ligjit në jetën publike dhe private, në bashkëvajtje me respektin ndaj të drejtave qytetare.

Pluralizmi politik, ndarja dhe nëndarja e partive, grupet dhe grupimet, denoncimet reciproke të politikanëve, debatet në parlament, kultet e egove, të gjitha këto shenja “të jashtme” të demokracisë, në të vërtetë kanë pak dobi për vendin. Përkundrazi, i shërbejnë klasës në pushtet ose klasës tjetër që përgatitet të vijë në pushtet. Me fjalë të tjera, pa qytetarë vërtet të lirë, Shqipëria do të mbetet shumë larg sistemit politik perëndimor që formalisht ka adoptuar.

 

 

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *