Shqipëria po përgatit një plan emergjence për refugjatët, duke vlerësuar edhe kapacitetet e saj. Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati si dhe zv/ministrja e Brendshme Elona Gjebrea po marrin pjesë në ministerialin e BE-së për krizën e regjuatëve.
“Në kuadër të përpjekjeve kolektive për t’iu përgjigjur krizës së refugjatëve, Shqipëria ka përgatitur një plan emergjence duke vlerësuar kapacitetet ekzistuese si dhe nevojat në rast se prekemi nga ky fenomen“, ka thënë Bushati.
Ministri është shprehur se kriza përveç se humanitare është e ndërlidhur edhe me çështjen e sigurisë.
“Kjo ndërthurje krizash sfidon aftësitë reaguese të vendeve të Ballkanit Perëndimor, si vende tranziti, por pavarësisht dyndjeve në kufijtë e tyre, vendet e rajonit kanë dëshmuar gjatë kësaj krize se i kanë qëndruar me besnikëri vlerave evropiane”, është shprehur Bushati.
Ministeriali i BE-së për krizën e refugjatëve u zhvillua në Luksemburg, ku në përfundim është miratuar me unanimitet edhe një deklaratë e përbashkët, ku përveç vendeve të BE-së përfshihet edhe Turqia, Libani dhe Jordania. /Dita/