Fitorja e Kombëtares Shqiptare në ndeshjen e djeshme ndaj Lihtenshtejnit nuk ka kaluar pa zhurmë në disa prej mediave më të mëdha në Itali, por edhe jashtë saj.
“SportMediaset”: Shqipëria e Panuçit i afrohet Italisë. Humbja e Italisë në Spanjë kthehet në asist për Shqipërinë, kombëtarja e drejtuar nga Panuçi fiton 2-0 kundër Lihtenshtejnit dhe shkurton diferencën në klasifikim. Por i duhen 54 minuta për të kaluar në avantazh me Roshin.
“TuttoSport”: Kualifikueset e Botërorit 2018: Mirë Shqipëria e Panuçit. E drejtuar për herë të parë nga Kristian Panuçi, ajo kalon Lihtenshtejnin 2-0 falë golave të Roshit dhe Agollit në pjesën e dytë.
“L’Equipe”: Shqipëria ka mundur Lihtenshtejnin në kualifikueset e Botërorit në Grupin ku dy vendet e para i “janë premtuar” Spanjës dhe Italisë.
FIFA: Dy fitore në dy për Shqipërinë ndaj Lihtenshtejnit. Skuadra e Panuçit vijon suksesin e fitores 3-0 në Izrael, me një sukses në shtëpi ndaj skuadrës së vogël të Lihtenshtejnit.
