Shqipëria si lopa, në fund i jep shqelmin

redaktor

Sikur ndonjë nga ato hedhje kuturú të topit në zonën e Islandës, në minutat e fundit, të përfundonte me një gol të rastësishëm (gjë që ndodh jo rrallë), do të kishte qenë padrejtësi e madhe, ndonëse të gjithë mund të kënaqeshim me pikën. Shqipëria e mbrëmshme në Reikjavik ishte më e dobëta e këtyre kualifikuese dhe pësoi një humbje plotësisht të merituar. Për fat të keq, rezultati i djeshëm e shumëzon me zero gjithçka të mirë që është bërë deri tani, pasi Shqipëria e ëndrrës botërore ka zbritur në vendin e parafundit dhe atje mund të mbetet në përfundim të dy ndeshjeve të tjera. Rezultati ishte rrjedhë logjike e asaj që u gatua që pa nisur ende ndeshja dhe përgjegjësi i parë është trajneri Xhani De Biazi, i cili ndërtoi një skuadër që nuk ishte në gjendje të organizohej për asnjë moment të vetëm që nga fillimi dhe, për më tepër, nuk ndërhyri as gjatë lojës, edhe kur shihte se si lojtarët e tij hynë në një garë individuale se kush do të bënte më shumë gabime e pasime të humbura, përfshirë këtu edhe heroin e pak çasteve, Valdet Rama. Gabimi i parë i De Biazit ishte aktivizimi i Andi Lilës në krahun e majtë të mbrojtjes, në një pozicion ku edhe më parë e ka treguar se nuk është në gjendje të japë më të mirën për të mbrojtur, ndërsa për të dalë në ndihmë të sulmit as që nuk bëhet fjalë, gjë që u pa qartë edhe dje. Pezullimi i Agollit solli kalimin e Lilës nga e majta dhe futjen e Dallkut në të djathtë, ndërsa ndryshimi tjetër ishte heqja e Bulkut dhe zëvendësimi me një sulmues, Hamdi Salihin, përkrah Edgar Çanit, ndërsa Odise Roshi e ruajti pozicionin në krahun e majtë të mesfushës. Shqipëria ishte ngacmuese në minutat e para dhe arriti të nxirrte golin pas një gjuajtjeje të bukur të Valdet Ramës, e cila krijoi shumë shpresa. Shoqëruar me humbjen e Norvegjisë, Shqipëria ishte e dyta në ato momente, por rezultoi një ëndërr tepër e bukur për të qenë e vërtetë. Zgjimi ishte vërtet i keq, falë një gafe të Telit, që i kaloi topi mes këmbëve para portës, duke u dhënë mundësi vendasve të barazonin. Islanda u shfaq më këmbëngulëse dhe e organizuar, duke bllokuar plotësisht Kaçen e Bashën, dy nga lojtarët që e qarkulluan më tepër topin në Slloveni. Diçka më mirë krahët, me Ramën e Roshin, por edhe këta të dy ranë më pas në morsën e islandezëve, të cilët filluan të mos linin më hapësira. Kuqezinjtë mund të kishin kaluar në epërsi, por Salihi u tregua i pavëmendshëm pas pasimit të Roshit brenda zonës dhe topi i devijuar nga ai u prit nga portieri vendas. Gjithsesi, 1-1 ishte një rezultat i kënaqshëm në fund të pjesës së parë, por kush priste për një fat më të mirë në të dytën u zhgënjye plotësisht. Një tjetër pakujdesi e mbrojtjes, me Lilën të paaftë për të ndaluar pasimin dhe Canën e Telin të ngathët, Islanda shënoi golin e dytë, me një goditje me thembër, dhe që aty filloi horrori i Shqipërisë. Kuqezinjtë u shndërruan në një tufë lojtarësh që nuk dinin të bënin dy pasime të sakta radhazi dhe gjithçka u bazua në hedhje të topit përpara dhe përpjekje naive individuale për të çarë mes gjigantëve islandezë. Mania e individualitetit kapi edhe Ramën, që në tre raste injoroi plotësisht shokët, duke kërkuar gjuajtje të kota nga distanca të largëta, ose i bllokuar plotësisht nga kundërshtarët. Me rrëmujë u mbyllën 90 minutat, duke i dhënë fund ëndërrës së botërorit, me zero pikë nga dy ndeshjet ku pritej hapi i madh. Shqipëria ndoshta nuk është aq e dobët sa e tregon vendi i parafundit, por me siguri nuk është aq e mirë sa për të synuar finalet e mëdha. Rezultatet në finishin e kualifikueseve tregojnë se vajtja në turnetë e mëdhenj është ende një objektiv i parakohshëm.

ISLANDE – SHQIPERI  2-1

Bjarnason 14′, Sigborson 47′ / Rama 9′

ISLANDA: Halldorsson, R. Sigurdsson, Sevarson (Jonason 92’), Bjarnason, Skulason, Arnason, Gunarson, G. Sigurdsson, Gudjohnsen (Skulason 78’), Sigbórson, Gudmundson. Trajner: L. Lagerbak

SHQIPERIA: Berisha, Cana, Teli, Lila, Dallku (Gjasula 82’), Basha (Bulku 64’), Kaçe, Roshi, Rama, Çani (Januzi 64’), Salihi. Trajner: Xh. De Biazi

Gjyqtarë: A. Mariner, P. Kirkuk, D. England (Angli)

Kartonë të verdhë: Kaçe, Dallku, Teli, Januzi / G. Sigurdson

 

 

Grupi E

Slloveni-Zvicër      0-2

Shqipëri-Qipro       3–1

Islandë-Norvegji           2-0

Qipro-Islandë        1-0

Norvegji-Slloveni    2-1

Zvicër-Shqipëri      2-0

Shqipëri-Islandë           1-2

Zvicër-Norvegji      1-1

Slloveni-Qipro       2-1

Qipro-Norvegji       1-3

Islandë-Zvicër       0-2

Shqipëri-Slloveni    1-0

Slloveni-Islandë           1-2

Norvegji-Shqipëri    0-1

Qipro-Zvicër         0-0

Shqipëri-Norvegji    1-1 

Islandë-Slloveni           2-4

Zvicër-Qipro         1-0

Zvicër-Islandë       4-4

Norvegji-Qipro       2-0

Slloveni-Shqipëri    1-0

Islandë-Shqipëri           2-1

Norvegji-Zvicër      0-2

Qipro-Slloveni       0-2

Slloveni-Norvegji

Islandë-Qipro

Shqipëri-Zvicër

Norvegji-Islandë

Qipro-Shqipëri

Zvicër-Slloveni

 

 

 

 

N.   Skuadra    N    F    B    H    Gol. Pikë

1.   Zvicra     8    5    3    0    14:5 18

2.   Islanda    8    4    1    3    14:14 13

3.   Sllovenia  8    4    0    4    11:10 12

4.   Norvegjia  8    3    2    3    9:9  11

5.   Shqipëria  8    3    1    4    8:9  10

6.   Qipro      8    1    1    6    4:13 4

 

Share This Article
1 Comment
  • Nje loje mizerabel, lojtare te lodhur pa pike fantazie, duke perjashtuar portierin Etrit Berisha, te gjithe ishin kufoma ne fushe, Pirdhu kombetare, pirdhu Cana, vendin e peste e kemi patur edhe pa luajtur futboll, pirdhuni te gjithe.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *