Shqipëria si shesh xhirimi për filmat e huaj

redaktor

 

Nga Entela Resuli

Elkjana Gjipali nuk e ka problem të quhet regjisorja e filmave që u kushtohen kryesisht vajzave dhe grave. Ajo e njeh mirë terrenin dhe di se çfarë ndodh me ato që jetojnë jashtë vijës së verdhë të Tiranës.   Filmi “Vajzat” me skenar dhe regji të Gjipalit, i përfunduar disa muaj më parë tregonte historinë e tre shoqeve që planifikojnë që largohen nga fshati dhe të ndërtojnë një jetë të re në Tiranë.

Një fabul e njohur kjo për ata që jetojnë në vendin tonë, por kur shihet e ekranizuar atëherë merr tjetër kuptim.

“I gjithë filmi të bën të reflektosh dhe të kuptosh se sa me fat jemi ne të tjerët të cilët jemi rritur në një familje që na ka mbështetur e kemi studiuar në ato shkolla që vetë kemi zgjedhur dhe për këtë arsye mendoj se jemi ne të cilët duhet të qëndrojmë që ky realitet të ndryshoj,” shprehet Elkjana për këtë film.

Elkjana Gjipali nuk është vetëm regjisore, por edhe producente. Edhe pse Shqipëria nuk e ka të zhvilluar politikën e filmit, ajo mbahet si një nga pikat kryesore të kontaktit për produksionet e huaja që vijnë në Shqipëri për të xhiruar. Marrëdhënie të tilla jo vetëm ndihmojnë vendin në aspektin financiar, por edhe promovojnë Shqipërinë jashtë kufijve.

Gjipali ka kryer studimet akademike për “Regji Filmi dhe Televizioni” në Akademinë e Arteve, Tiranë. Pas akademisë ajo është specializuar për “Industri Filmi” në Varshavë nën udhëheqjen e prof. Krysztof Zanussi, një nga regjisorët më të suksesshëm polak. Pas studimeve nis punë si drejtore ekzekutive në ‘Durrës Film Festival’ një nga festivalet më të njohura. Ajo mban titullin si regjisore dhe skenariste e 2 filmave të shkurtër: ‘Karusel’ 2016 dhe ‘Girls’ 2018. Gjatë 10 viteve të fundit Elkjana Gjipali ka punuar si producente e disa filmave të metrazhit të shkurtër si dhe 3 filma të metrazhit të gjatë.

Në këtë intervistë për Dita-n ajo tregon më shumë për veten dhe industrinë e filmit ku punon…

-Elkjana, mund të më tregosh diçka për veten, si ka qenë fëmijëria jote? Ke parë shumë filma e vogël? Cili ka qenë i preferuari yt?

Kam parë shumë filma dhe kam ende një koleksion të madh filmash VHS . Midis filmave të tjerë janë dhe copëza xhirimesh që kam realizuar vetë me të cilat qesh sa herë i shikoj. Kishim një kamera që mezi e mbaja në shtëpi dhe kur e mësova se si përdorej merrja kasetën e parë që më dilte dhe xhiroja. Një mbështetje shumë e madhe kanë qenë dhe prindërit. Filmi preferuar në atë moshë ka qenë: Mbreti Luan.

– Ti je brezi i parë i shkollës së regjisoreve në Shqipëri, a ishte e vështirë?

Mua më pëlqen më shumë termi filmbërëse. Po është e vërtet ndryshe nga disiplina të tjera të artit filmi ka një ndarje brezash prej 20- vjetësh dhe unë jam pjesë e brezit të parë të formuar gjatë demokracisë. Ka qenë e vështirë sepse kishte mungesë literature dhe stafi akademik, profesorët tanë ishin regjisorë të mirë por kjo nuk i bën detyrimisht dhe pedagog të mirë pasi ishte fillimi dhe për ta, kështu mësonim njëri-tjetrin. Regjia e filmit është parë si një profesion mashkullorë gjatë viteve të Kinostudios dhe kjo reflektohej tek brezi i vjetër i profesorëve  të cilët kishin momente nostalgjie. Unë kam pasur fatin të kem mentor regjisorin e njohur polak Krzysztof Zanussi dhe i jam shumë mirënjohëse.

– Përpara disa muajsh ti ke realizuar edhe një film i cili flet për vajzat, ëndrrat e tyre…pse kjo temë, a mund të quaj një regjisore feministe?

Në filmat e mi deri tani në qendër kanë qenë gruaja apo vajza . Tek filmi ‘Girls’ vajzat tregojnë ëndrrat e tyre dhe çdo ëndërr nuk i ngjan tjetrës, por një dëshirë është e “madhe” dhe e përbashkët të ikin nga fshati sa më parë dhe të vinë në Tiranë ose akoma më mirë diku jashtë Shqipërisë. Kjo nuk është ëndrra ime por nëse del fare pak jashtë qendrës së Tiranës realiteti është se të gjithë duan të largohen. I gjithë filmi të bën të reflektosh dhe të kuptosh se sa me fat jemi ne të tjerët të cilët jemi rritur në një familje që na ka mbështetur e kemi studiuar në ato shkolla që vetë kemi zgjedhur dhe për këtë arsye mendoj se jemi ne të cilët duhet të qëndrojmë që ky realitet të ndryshoj. Mund të më quash feministe, por unë nuk nisem me këtë qëllim ku nis të shkruaj një skenar.

– Ti shpesh ke bërë edhe rolin e producentes, çfarë domethënë të jesh edhe regjisore edhe producente?

Në filmat e mi kam zgjedhur të jem vetëm regjisore dhe t’i evitoj që t’i mbaj të dyja rolet. Janë dy pozicione të cilat kanë momente të forta konfrontimi me njëri-tjetrin dhe në fund të gjitha këto i vuan filmi. Mendoj se si producente rezultati i një pune të mirë shihet më shpejt. Si regjisore nuk rresht së kërkuari rrëfimin e duhur të historisë që do të tregosh derisa ajo projektohet në kinema, aty çdo gjë ka mbaruar.

-Cila pjesë të pëlqen më shumë kur je duke realizuar një film, produksioni puna me aktorët, montazhi?

Do thoja se përjetimin më i bukur është momenti kur do të shfaqet në kinema. Ulen dritat dhe bie qetësi, del plani i parë i filmit dhe në atë moment filmi nuk është më i regjisorit sepse nuk ka më asnjë pushtet mbi të, reagimi më i vogël i audiencës të trondit dhe shikon se si filmi perceptohet nga njerëz të ndryshëm. Atë moment ndahesh përfundimisht nga filmi dhe nis shqetësimi për filmin e radhës i cili do jetë më i bukur se i fundit.

– Elkjana ti ke qenë mjaft aktive dhe në edukimin e brezit të ri, je një nga themelueset e klubit të filmit “Kino Klub Tirana” si eci ajo iniciativë dhe a do të përsëritët serish?

Kino Klub Tirana nisi si një iniciativë e gjitha vullnetare, por që u vlerësua rrugës nga partnerë si Ambasada Amerikane në Tiranë dhe krijoji një pikë të re takimi për kinemanë në kryeqytet. Klubi ka 230 anëtarë të regjistruar të moshës nga 14-22 vjeç të cilët janë aktivë dhe në pjesën e debateve sipas temave të propozuar, por dhe në sugjerimin e programit. Për momentin jemi duke punuar për programin e ri i cili do të ketë në fokus kinemanë aziatike. Ajo çfarë unë jam kujdesur më shumë dhe krijon vështirësi janë sigurimi i të drejtave të filmit për tu projektuar. Kino Klub Tirana projekton vetëm ato filma të cilat ka siguruar të drejtat megjithatë publiku dhe institucionet janë shumë pak të edukuar në këtë drejtim.

-Ç’mendim ke për filmat që po prodhohen në Shqipëri?

Mendoj se filmat Shqiptarë ende nuk po vendosin një urë komunikimi me audiencën e tyre dhe kjo është jetike për filmin dhe për të hedhur hapat e para të kësaj industrie në vend. Por mendoj se në tre vitet e ardhshme do vi një valë e re  personalitetesh krijuese për filmin shqiptar të cilët janë më të lirë në mendime dhe do iniciojnë një kinema të re.

-Po produksionet e huaja që vijnë në Shqipëri, në një artikull të një kompanie kanadeze CDS e cila ka xhiruar në Shqipëri ishin mjaft të impresionuar nga Shqipëria dhe nga bashkëpunimi me ty…

Po, 3 vitet e fundit ka një interes të kompanive të huaja për të xhiruar në Shqipëri, këto janë kompani kryesisht nga Anglia, Kanadaja dhe Shtetet e Bashkuara. Gjatë pjesëmarrjes në marketet e filmit një ndër prioritetet e mia ka qenë dhe promovimi i Shqipërisë dhe benefitet që marrin nëse zgjedhin të xhirojnë këtu interes i cili po rritet në rajon me bumin e platformave si Netflix dhe Amazon të cilat janë në kërkim të vendeve të pa eksploruara.

– Çfarë ju pëlqen dhe cilat janë tematikat që preferojnë më tepër?

Mendoj se ajo çfarë i tërheq është një peizazh i pa konsumuar në filma, akses i shpejt i lokacioneve të ndryshme në pak orë dhe çmimet e lira në teknologjinë më të fundit që gjendet në Shqipëri.

-Çfarë shikon me interes ti si producente?

Me interes është zhvillimi i një politike incentivuese për këto kompani e cila ka provuar se sjell mjaft përfitime për ato vende të cilat e aplikojnë. Këto politika sjellin ndikim të drejtpërdrejt në punësim, në promovim të vendit si dhe zhvillim ekonomik në zonat ku zgjedhin për të xhiruar filmat të cilat kryesisht janë ato rurale.

-Sa ndikojnë këto produksione për promovimin e Shqipërisë jashtë vendit?

Në një studim të ‘World Travel and Tourism Counsil’ tregojnë se 1/10 e turizmit në botë ndikohet falë industrisë së filmit. Gjithashtu mendoj se këto politika si shumë të tjera duhet të zhvillohen nga grupet e interesit pasi ato janë përfituesit kryesorë. Kujtoj këtu protestat nga komuniteti i filmbërësve në Rumani për politikat e incentivave të cilën e arritën finalizimin pas një lobimi të gjatë, në qershor të këtij viti.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *