Kamerunasit e nisin me vrull, por më pas kuqezinjtë marrin frenat dhe bëjnë lojë e raste, por çalojnë në konkretizim para portës
Shqipëria luajti trimërisht e plot dëshirë përballë “Luanëve të pamposhtur” të Kamerunit në Gjenevë, në takimin e mbyllur pa gola vetëm për meritë të portierëve, të cilët nuk lejuan tundjen e rrjetave. Ndaj një skuadre që në letër është më e fortë, skuadra e Xhani De Biazit luajti me shumë zemër, krijoi volum loje dhe raste, por u tregua e pasaktë në konvertimin e tyre në gola. Nga ana tjetër, edhe kamerunasit i patën rastet e tyre dhe në një moment ishin të pafat, teksa traversa shpëtoi rrjetën e Berishës, por në fund ata që mund të ankohen ishin kuqezinjtë, pasi rastet në portën e afrikanëve ishin më të shumta. De Biazi mund të krenohet se më në fund ka arritur të ndërtojë një skuadër kompakte, e cila lejon përherë e më pak hapësira në mbrojtje, madje edhe kur përballë ka kundërshtarë të kalibrit të Samuel Eto’o. Nga ana tjetër, italiani po mendon seriozisht për gjakun e ri në kombëtaren kuqezi dhe mbrëmë u dha rastin lojtarëve të ardhur nga skuadra U-21.
Fillimi – Në “Stade de Geneve” loja nisi e shpejtë nga ana e Kamerunit, i cili u hodh menjëherë përpara, në kërkim të një goli të shpejtë. Mund t’ia kishte arritur falë një aksioni nga e majta, por gjuajtja nga distanca e afërt përfundoi ngjitur me shtyllën. Deri në mesin e pjesës së dytë ky mbeti rasti më i mirë i kamerunasve, pasi gradualisht kuqezinjtë e morën veten dhe iu kundërvunë afrikanëve. Mbrojtja u mbyll, duke mos lejuar më inkursione, sidomos nga krahët, ku Kameruni ka armët më të forta. Ndoshta kjo ishte edhe arsyeja që De Biazi nuk preferoi Bakajn që në fillim, duke i besuar Emilajno Vilës, lojtar i zoti për të vrapuar shumë nga e majta, në sulm e në mbrojtje. Cana dhe Mavraj zunë të gjitha shtigjet, ndërkohë që para tyre, i zakonshmi Bulku dhe i lëvizshmi Lilaj nuk lejuan që kamerunasit të çanin në qendër. Nga e djathta e mesfushës, Odise Roshi përshkoi kilometra të tërë, duke qenë ndër më aktivët në fushë. Sulmi kuqezi hasi vështirësi, ndonëse pati hapësira në shumë raste, kur mbrojtësit kamerunas, të cilët nuk shkëlqejnë në disiplinë skuadre, dilnin përpara, për të ndihmuar shokët e tyre.
Kompaktësia – Kameruni, një skuadër me cilësi të mira teknike, pati përqindjen më të madhe në zotërimin e topit, megjithatë edhe kuqezinjtë e bënë lojën e tyre, me pasime të dendura, të cilat niseshin nga Lilaj e Bulku, duke u hapur në krahë. Përgjithësisht Kameruni e pati të vështirë të organizohej dhe rastet i pati më së shumti falë vetive individuale të lojtarëve si Eto’o, autor i një aksioni spektakolar në pjesën e dytë, por që nuk u mbyll me gol, falë daljes së shpejtë të Berishës. Ky rast dhe një goditje që u ndal në tra ishin rastet më të mira të Kamerunit, ndërsa Shqiprëia iu përgjigj me Balajn e Vajushin.
Moskonkretizimi – Manovra sulmuesve e Shqipërisë funksionoi mirë deri në zonë, ku sulmuesit u furnizuan disa herë me topa, por nuk arritën të shënonin. Çani, Sadiku, Vajushi e Balaj patën që të gjithë mundësi të mira dhe mosshfrytëzimi i rasteve është e vetmja gjë e papëlqyeshme e lojës. Megjithatë, De Biazi dhe gjithë të tjerët mund të gjejnë ngushëllim në faktin që ky është një repart i ri, me 23-vjeçarin Çani më të vjetrin e tij dhe ka shumë vend për t’u përmirësuar në të ardhmen. Në favor të sulmuesve Çani e Sadiku, të cilët qëndruan më gjatë në fushë, shkon fakti që gjatë gjithë lojës vrapuan dhe u përpoqën të ndihmonin skuadrën në çdo sektor të saj. E rëndësishme është që Shqipëria krijon lojë dhe tani i mbetet vetëm të korrigjojë shënjestrën para portës.
Të rinjtë – De Biazi bëri gjashtë zëvendësime në pjesën e dytë dhe mund të thuhet me plot gojën se asnjë prej atyre që hynë në fushë nuk zhgënjeu, sidomos të rinjtë, tek të cilët ishte edhe vëmendja më e madhe. Vajushi humbi një rast të mirë brenda zonës, megjithatë kontrolli i topit dhe pjesëmarrja në aksione ishte në lartësinë e duhur, ashtu si dhe impenjimi i Balajt. Nga ana tjetër, Bakaj, Dallku e Vangjeli luajtën që të gjithë me autoritetin e lojtarëve të pjekur, prej të cilëve pritet të udhëheqin skuadrën në të ardhmen.