Forumi Ekonomik Ndërkombëtar, në raportin e vitit 2017, tregon se Shqipëria gjendet e 38-a në listën globale për hendekun gjinor, në studimin e 144 ekonomive botërore.
Krahasuar me rajonin, shqiptarët i “trajtojnë” femrat më mirë se sa fqinjët. Serbia është e renditur në vendin e 40, Maqedonia e 67-a, Mali i Zi në vend të 77, Bosnja dhe Hercegovina e 66. Vijon të jetë çudi rasti i Greqisë, i treti vit ky që rezulton me një performancë më të ulët në barazi gjinore se sa vendi ynë, i renditur në vendin e 78-të.
Sipas raportit më të fundit të Forumit Ekonomik Ndërkombëtar, Shqipëria gjendet e 38-a në rang global për hendekun gjinor, e krahasuar me një vit më parë, vendi ynë është përmirësuar me 23 vende, ku renditej e 61 në botë.
Për të realizuar këtë studim, janë marrë në konsideratë disa kritere: gjendja shëndetësore e grave, e drejta e tyre arsimore, pjesëmarrja e tyre në politikën dhe ekonominë e vendit dhe mënyra si trajtohet, si mbijeton etj.

Sipas këtyre kritereve, shqiptarët performojnë më mirë, të renditur në vendin e 31 në botë, për fuqitë politike që zotërojnë gratë, për të cilat raporti nënvizon se ky kriter e ka bërë që vendi ynë të ngjisë shumë shkallë. Ndërsa performancën më të ulët e ka në mundësitë për shëndet, të renditur të 120. Për pjesëmarrje të drejtë në ekonomi dhe mundësi për këtë, renditemi në vendin e 70, ndërsa për edukim të 87 në botë.
Vendet nordike konsiderohen sërish “ajka” e shoqërive demokratike, ku për herë të tretë, Islanda mban vendin e parë. Në fund të listës gjenden Irani, Siria dhe Jemeni, që lidhet jo vetëm me konfliktet, por edhe zakonet dhe traditat, citon raporti.
