Shqiponjat e Tërbaçit

Ornela

Albert HABAZAJ

Fjalë paraprijëse

Festivali i Dytë Folklorik “Netët e Bejkës së Bardhë”, Pilur, 2021, ndezi zjarrin e shpirtit popullor të trevave tona në dy netët e ngrohta romantike të së shtunës dhe të së dielës së  5 dhe 6 qershorit 2021, ku artistët popullorë nga Gramshi, Mallakastra, Belshi, Vlora, Gjirokastra, Tepelena paraqitën visaret e tyre folkorike, duke pasuruar e përcjellë vlerat e ruajtura artistike -kulturore. Ky festival ngjiti në skenën e tij, atje sipër, në ballkonin e lartë të Bregut grupe të rëndë si Piluri, Himara, Bënça, Dukati, Zagoria e grupi “Argjiro” i Gjirokastrës etj., apo dhe emra të mëdhenj si Ermioni Mërkuri, Vasilika Lapa/ Vasillo Koka (e mbarënjohura me emrin artistik “Bejka e Bardhë”), Leni Mërkuri, Katina Beleri, Paro Zilfaj e Golik Jaupi, Fatosh Liko, Roland Çenko etj. Në skenën e Festivalit të Polifonisë, u ngjit edhe Tërbaçi, por jo ai Tërbaçi i madh, ai Mali i lartë i këngës e valles, që jemi mësuar ta dëgjojmë me nderim e kënaqësi, sa me këngën e lartë e të rëndë, po aq me vallen tipologjike burrërore të vetëtimave të malit të Çikës, të paktën qysh nga viti 1973, në Festivalin e Dytë Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës e në vijim. Nata e dytë e Festivalit të Dytë Folklorik “Netët e Bejkës së Bardhë” qe një natë e magjishme, ku një tjetër pamje mrekullore të shpirtit të bukur e fisnik paraqiti Tërbaçi në Festivalin e Pilurit, 2021: Grupin e Vajzave të Tërbaçit “10 Shqiponjat e Tërbaçit” dekoruar me Urdhërin “Naim Frashëri”. Ç’dritë të bukur mori skena atë natë të festivalit, kur u shfaq Grupi i Shqiponjave të Jugut, siç u cilësuan në Kosovë në Etno Fest, 2019 – Miro Tëbaçet e këngës dhe valles labe grarishte!

Çmimet në “Netët e Bejkës së Bardhë”, 2021

Siç pamë e shijuam dhe siç është mbarënjohur edhe nga mediat vizive qendrore dhe lokale, për dy ditë me radhë, në datat 05, 06 qershor 2021, në Pilur u mbajt Edicioni i Dytë i Festivalit Folklorik “Netët e Bejkës së Bardhë”. Morën pjesë grupe polifonike nga rrethet Vlorë, Gjirokastër, Tepelenë, Mallakastër, Gramsh si dhe Bashkia e Himarës. Këtë vit Festivali ishte si një homazh edhe për ideatorin dhe njeriun që e ktheu Pilurin në një pikë të rëndësishme të identitetit të polifonisë shqiptare, poetin e rapsodin e madh, birin e këtij fshati ballkon të Bregut, Lefter Çipa “Nder i Kombit”. Në mbyllje të Festivalit, juria ndau këto vlerësime: ÇMIME TË MËDHA: 1. Çmimi i parë “Lefter Çipa” – grupi i Pilurit, Himarë; 2. Çmimi i dytë “Kujtim Mici” – grupi i Bënçës, Tepelenë; 3. Çmimi i tretë “Koço Çakalli” – grupi “Argjiro”, Gjirokastër; ÇMIME KARIERE: 4. Çmimi “Maliq Lila” – grupi “10 Shqiponjat”, Tërbaç, Vlorë; 5. Çmimi “Haxhi Dalipi” – grupi Zagoria, Gjirokastër; 6. Çmimi “Feti Brahimi” – grupi “Miqësia”, Gramsh; DIPLOMA: 7. Marrësi/a më i/2 mirë e festivalit: Bejushe Bajramaj, grupi Velçë; 8. Kthyesi më i mirë, Syrja Brahimaj, grupi Dukat; 9. Hedhësi më i mirë, Agron Selimi, grupi Bënçë; 10. Instrumentisti më i mirë: Milto Gjiçali; ÇMIME INKURAJUSE: 10. Joana Baraj, grupi i Kuçit 11. Fjorelo Bajramaj, Tërbaç 12. Polikron Mërkuri, Pilur. JURIA E FESTIVALIT Akad. Shaban Sinani, Prof.dr. Bardhosh Gaçe dhe Sejmen Gjokoli “Mjeshtër i Madh”.

 

Shqiponjat e Tërbaçit – risia dhe sfida e festivalit

Grupi “10 Shqiponjat e Tërbaçit” ishte risi e festivalit, që i dha ngjyrë dhe malit. Aq hijshëm e bukur i ripërtërinë traditat, sa u duk sikur e mbushën me frymëmarrje e jetë festivalin, mes valëve dhe jehonës së këngës polifonike që, brez pas brezi, ka zbukuruar jetën njerëzore. Kjo ripërtritje e traditave në festivalet folklorike është një shenjë e individualitetit kombëtar. Grupi “10 Shqiponjat e Tërbaçit” shkëlqeu si një yjësi folkorike. Një paraqitje dinjitoze e Grupit me një tematikë sa të bukur e lirike, aq të veçantë e mallëngjyese dhe artistikisht të realizuar, ku u shfaqën vokalet e shkëlqyera të këngëtareve në lartësinë e kërkuar. Në çdo numër folkorik ndihej malli për gjithçka me aromë Labërie, që Shqiponjat prunë me mesazhe fisnike dhe funksione artistike, estetike e morale të mira, të bukura e të dobishme. Kaq të kompletuara dhe të mirëpritura gjithkund, edhe në Pilur Fest, ato zonja të nderuara përbënë një grup me taban dhe u nderuan si krenari për të gjithë brezat, përcjellë nëpërmjet Polifonisë Femërore.

Ato janë yjet e këngës dhe valles tërbaçiote, shqiponjat e famshme të Tërbaçit, që kanë arritur suksese dhe fitore të meritura, duke patur si synim paraqitjen e vlerave dhe jo çmimet. Dhe patjetër që suksesin e kanë arritur me vullnet, përkushtim dhe ëmbëlsi, me ballë të qeshur, me fytyrë të qeshur, me trup të qeshur, me ritëm, disiplinë e gjeometri artistike, që erdhën pas sa e sa provash të lodhshme. Sepse punuan fort, me seriozitet dhe i dhanë rëndësi kësaj ngjarjeje të madhe kulturore, prandaj shkëlqyen në atë faqe mali, duke marrë vlerësime meritueshëm të larta nga publiku. Festivali i Pilurit ishte shumë i rëndësishëm veçanërisht për Shqiponjat dhe ato e vlerësuan me përgjegjësi këtë ngjarje kulturore; u ndërgjegjësuan se disiplina, korrektesa e besimi janë kyçi i suksesit; se duhet të tregojmë që jemi edhe ne, kemi vendin tonë dhe nuk i zemë vendin askujt; se duhet të guxojmë të përballemi me të tjerët: të mëdhenjtë, të fuqishmit, të rëndët, gjigandët; se edhe ne jemi të zonjat, kemi mundësi e shpirt sakrifice në Maratonën e visareve të vendlindjes; se jemi në shkëmb të sfidës së Labërisë, në sy të erës; se pa drejtvlerësuar veten ç’fuqi folklorike jemi e ç’mesazhe të mëdha fisnike përçojmë, nuk mund të fluturojmë denjësisht hapësirave folklorike. Ato nuk janë shfaqur në kuvendet folkorike për të sfiduar kënd, por për t’u dëgjuar, krahas burrave, edhe zëri i tyre, kënga e vallja  e tyre, se janë të barabarta me burrat, duke ditur e ruajtur vendin e tyre me dinjitet. Pa, kur e ka dashur koha, rrethanat, misioni, vendlindja, 10 Shqiponjat e Tërbaçit janë shndërruar në 10 Miro Tërbaçe të Vlerave identitare dhe Kulturës popullore. Më vjen ndërmend një shprehje e artë urtësorësh: “Sfidat janë ato që e bëjnë jetën më interersante dhe tejkalimi i tyre është ajo që e bën jetën më kuptimplotë”.

Me mirësi të bukur e të ëmbël, si një muzikë e ngrohtë Jugu, Shqiponjat na falën labërisht një perlë folkorike dhe etnografike me një ritual dasme, stolisjen e nuses; konkretisht me paraqitjen: “RITI I STOLISJES SË NUSES TËRBAÇIOTE, SI PJESË E RITUALIT TË DASMËS NË LABËRI”

Grupi i Vajzave të Tërbaçit 10 Shqiponjat e Tërbaçit”, dekoruar me Urdhërin “Naim Frashëri” erdhi në këtë festival shumë të rëndësishëm folklorik mbështetur në improvizimin e traditës së bukur të dasmës në shtëpinë e vajzës, ende pa dalë nusja nga dera e babës. Në Festivalin II Folkorik “Netët e Bejkës së Bardhë”, Pilur, të dielën e 6 qershorit 2021 shfaqën veprimtarinë në segmentin kohor të tregimit të pajës dhe përgatitjes së vajzës për nuse, para se bija të largohet nga dera e babës. Ky ceremonial u paraqit për herë të parë në një festival folkorik të përmasave të tilla nga Ansambli “10 Shqiponjat e Tërbaçit”, ndërkohë që edhe në Labëri për herë të parë u shfaq publikisht një ngjarje e tillë festive gëzimtare siç është “Riti i stolisjes së nuses tërbaçiote, si pjesë e ritualit të dasmës në Labëri”.

Nga përvoja e përfituar, në Festivalin e Pilurit u paraqitëm me një repertor më të pasur e të ngjeshur, edhe si harmonizim të folklorit me etnologjinë, të kulturës jomateriale (shpirtërore) me kulturën materiale popullore. Ndërkohë, që tendenca artistike e Grupit ka qenë, është e do të jetë vallja labe grarishte burimore, Shqiponjat u treguan korrekte edhe me të katër kriteret që kishte ky festival, të cilat ishin: 1. rit, 2. numër folkorik tradicional, 3. numër i ri foklorik, 4. element i ri, që prin një valle (Shqiponjat sollën vajzën gjimnaziste, 16 vjeçaren Himena Mehmetaj), ndërkohë që i shkrinë të katër këta elementë në ceremonialin Ritin e stolisjes së nuses tërbaçiote, si pjesë e ritualit të dasmës në Labëri” (harmonizim i folklorit me etnologjinë, sipas logjikës së zhvillimit të ceremonialit). Pas paraqitjes dinjitoze në Festivalin II Folkorik “Netët e Bejkës së Bardhë”, Grupi “10 Shqiponjat e Tërbaçit” u vlerësua nga juria me Çmimin e Karrierës “Maliq Lila” – një nga katër malet e lartë të këngës në Vargmalin e Polifonisë labe. Faleminderit artistes së shquar, hedhëses historike të Pilurit, Eleni Merkuri për ato fjalë aq të mira për Shqiponjat gjatë dorëzimit të këtij çmimi të veçantë!

 

 

Mirënjohje për Shqiponjat e Tërbaçit

Shqiponjat artiste, që në këtë dasëm konkuruese lozën si profesioniste rolin e ysmeçeshave (dajesha, xhaxhesha, halla, teze, motrat, kunatat), që në fakt ashtu janë se vijnë si prurje origjinale e Labërisë, janë bija, nuse, nëna e gjyshe labe, që kanë fejuar e martuar djem e vajza plot. Veshja popullore nuses i rrinte tërë nur, ndërsa kostumin kombëtar e kishte në sepete, sepse kur pajohet, bija e merr me vete veshjen tradicionale.

Ato kishin marrë me vete një sënduk/ sepete me bazë materiale për veshje dhe për ushqim: veshje të leshta, patìqe për dimër, shall të leshtë, tirqe, fanella, xhamadanë, prokofë, çuje, rrugica, modele qilimash e sixhadesh me motive me diell e me shqiponjë, shtroje të vjetra, të pastra dritë bore, enë dhe mjete të domosdoshme, si dhe dy valixhe të vjetra, por fatmirësisht  të mirëmbajtura, hekur me prush, shumë i vjetër, furkë me dogà bedena, drugë, shtëllungë leshi, mjete të tjera për punë dore në veshjet si shtiza, grep, (biz), gjergjef për qëndisje; tenxhere, tava (tepsi), tas, kabash uji, rrahëse vezësh, lugë e madhe druri, petës, që e të tjera enë tradicionale gatimi, se dajesha vjen me revani sa të madhe me mjalt, gjalp e arra në dasëm të nuses/ mbesës në rastin tonë; edhe si simbolikë e kalimit të jetës si ëmbëlsirë atje, ku do të shkojë në derë të burrrit, në shtëpi të saj.

Paraqitja me hijshmëri artistike dhe estetike e të gjitha këtyre riteve u fali shumë emocione pozitive tek publiku artdashës dhe fitoi shumë respekt, mirënjohje dhe duartrokitje për Shqiponjat e Tërbaçit, sepse është një model i duhur i traditës sonë folklorike dhe etnologjike përditësuar e prurë natyrshëm e me origjinalitet në kohë.

Për këto trashëgimtare të denja të traditës popullore të stërgjysheve e nënave tona shkruajti edhe aktori Marsias Lila, i biri i Maliq Lilës, poetit të teksteve të këngëve të Bënçës: “Urime për paraqitjen dinjitoze në Festivalin e Dytë Folklorik “Netët e Bejkës së Bardhë” të Grupit të Tërbaçit “10 Shqiponjat” për vlerësimin dhe çmimin që lartëson dhe përjetëson Këngën Labe, Labërinë dhe të gjithë Shqiptarinë në historinë dhe kulturën e saj. Paraqitja folkorike dhe etnografike nga “10 Shqiponjat e Tërbaçit” janë respekt i dukshëm dhe krenari e ligjshme për Labërinë dhe traditën kulturore historike shqiptare”.

Polo Çipa, bilblili i madh i këngës “O në të marça moj Manushaqe”, njërës nga perlat folklorike të Bregut të Detit e Labërisë mbarë, tek shkroi vargje mirësie për festivalistët popullorë të “Netëve të Bejkës së Bardhë”, 2021, thuri edhe këto vargje për yjet e Tërbaçit: “Mbledhur si dikur ndër mote/ 10 Shqiponjat Tërbacjote,/ Festivalin zbukuruan/ Kujtim Micin na kujtuan”. Dëshiroj t’i mbyll këto rreshta me urimin e dëlirë të Aviatorit të Lirikës, Delo Isufi, që shprehet: “Suksese Shqiponjave të vendit të shqipes, Tërbaçit të bukur dhe të mrekullueshëm, Tërbaçit të Miros e Halimit, të njerëzve të pendës, dijes e pushkës!”

Portretin folklorik të Shqiponjave të Tërbaçit po e paraqes vetëm me katër vargje: “Festivali syrin qeshur, / shqipet ç’i zbukurojn’ nurin,/ N’shpirt të tyre me drit’ veshur/ Kënga ka ngritur flamurin”.

 

 

Share This Article
6 Comments
  • Mjaft me superlativa heroike.
    E duam kengen te ndjere,jo te stisur.
    Epitetet :shqiponjat e Terbacit,jane per kongreset ,plenumet,Jubilete e Partise,qe karikonte masat per t`i bere karshillek armikut.
    Ne duam TRADITEN E LABERISE.

    • Hajmedet, Demo zavalli,
      Keq të paska zënë halli.
      Ç’dreqin ke, o mi moçali,
      Mos u merr me Shqipe Mali.
      Se këtej, nga anët tona
      Prapë fluturon shqiponja.
      I paemër, o lanet,
      Në ke gjë me të vërtet,
      Vari poshtë e dil nga Vlora,
      Ku sheh syri, toket dora,
      Se kemi një këngë tjetër,
      Që s’e ndërrojmë me tjetër:
      “Dil, o pusht, të shom’ sho-shojnë,
      Trimat mëshehur qëllojnë”.

      • Hajmedet, “demo” zavalli,
        Keq të paska zënë halli.
        Ç’ dreqin ke, o mi moçali,
        Mos u merr me Shqipe Mali,
        Se këtej, nga anët tona
        Prapë fluturon Shqiponja.
        I paemër, o lanet,
        Në ke gjë me të vërtet,
        Varu poshtë e dil nga Vlora,
        Ku sheh syri, toket dora,
        Ku shpirti zbardhon si bora,
        S’pyet për demor e horra,
        Morracak krimbur në morra.
        Ne kemi një këng’ të vjetër
        Që s’e ndërrojmë me tjetër:
        “Dil, o pusht, të shom’ sho-shojnë,
        Trimat mëshehur s’qëllojnë!…

  • Qente le te lehin-KARVANI= shkon perpara!
    Mbrodhesi mbare shqiperi!

    VO- Alfret Habazaj te lumte sa thua,
    Mbyllur gojen Atij, *goje palluar*,
    Fatkeqesi mban emrin *demo*
    DEM nuk eshte po- STOTHJAVOLLO!*

    * Me fal se thashe te parat keto fjale
    Kur gojen,*10 Shqiponjat Terbaciote,
    Me ato tradita..Zemren ma mbushen ,
    Mua Dangelliotin,mes Tiranes plakur….
    Zemer-zjarr, nje jete mes te tilleve rritur,
    Rritur,nje jete marre frutet,*Flamureve te TYRE*,
    Festivaleve,nga Gjirokastra-Kruje e Lezhe,
    Kryefjale;traditat ngaTropoja-Librazhi me Permetne.
    Tirana-kryeqytet,krah Korces me Dibranet krah,
    Myzeqaret me Malakastren, Berat e Skrapar,
    Vlora me Himariotet,gjithnje festivaleve para prire ,
    Shkodra deri Bashkeatdhetare,tej kufirit sjelle.
    Nuk e harrova jo, Kukesin me Mirditen Moter,
    As,dobesine tim; Pertrela,Preza,Marikaj e Kashari,
    Me Valltaret nga Benge-Tamadhej ne Kamzen e Re,
    Zall-Dajti,me vallen dyshe sa*Nje vjetorin Festojme(1)
    Vite*KRENARI*Tradita atdhetare percielle,
    Brezave pasardhes,amanete atyre lene:
    *Qente le te lehin Karvani shkon perpara !*
    I yni ATDHE-ani se ka; dhe te*sharra*(2) .
    Nga Torontua,me ju dhe Atdheun jetojme,
    Na lejoi *COVID-i*, drejt tij do shkojme,
    Aritiet, ani mes dhimbieve te gezojme…
    I bien Botes ANE e Mbane..Po jo! or Jo!
    Nuk e harrome VATANE!

    1-Fill mbas clirimit Grupi *Tamadhe*(shupal)
    2- Pas 90ta, ka dhe dukuri te tilla…-u eleminofshin..

    Toronto 17-06-2021 85 vjecari-*Pasuesi Veteran*
    Guri Naimit D.

  • Avash o dhimiter,avash,se more superxhiro,
    ti nuk je shqiponje,ti je soorre,qe rron me kerma,
    ke vegjetuar gjithe jeten ne arsim kulture,
    por nuk ke as nivelin 8 vjecar.
    Rri e numuro ditet ne kanada,se kujt i plasi!

  • Megjithate Ty DEMO te uroj shendet ani, sa shkruan.Per vete e keni. Pleqeri te mbare..opozitar po vellezer…
    Zoti qofte me ju…Komentues ke shume kundra….

    Une ky jam.. nuk tjetersohem nga nocioni NJERI!…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *