Pse ish-Presidenti mendon që “fushata nuk ka filluar mirë”. Pse është dakord me Servet Pëllumbin kur thotë që “barku që polli 97-n nuk është shterpëzuar”. Pse përmend Makiavelin dhe pse citon heroin çek të Luftës së Dytë Botërore, Fuçik: ‘Njerëz, jini vigjilentë!’. Apeli për të marrë pjesë “masivisht në votime” këtë qershor dhe arsyet e shprehjes: “Ne, shqiptarët nuk duhet të bëhemi dele”.
Rrëfimi për përplasjet me Berishën: Nisën që me fillimet e ardhjes në pushtet në vitin 2005. Kontradiktat filluan qysh me emërimin e ambasadorëve dhe gjyqtarëve, mandej u thelluan sidomos në problemin e Prokurorit të Përgjithshëm…
Në këtë intervistë ekskluzive për gazetën “DITA”, ish-Presidenti Alfred Moisiu, sot drejtues i Forumit Civil 2010, tërheq vëmendjen te rëndësia e zgjedhjeve të 23 qershorit të këtij viti. Si politikan, por në radhë të parë si një qytetar me një ndjeshmëri maksimale për punët e këtij vendi, zoti Moisiu, pasi radhit një sërë problemesh që kanë filluar të vërehen në këtë fushatë të parakohshme, paralajmëron rrezikun që u kanoset këtyre zgjedhjeve. Nëse Profesor Servet Pëllumbi, në intervistën e tij në “DITA” para dhjetë ditësh iu referua shkrimtarit të madh Bertold Breht, duke perifrazuar një shprehje të famshme të tij se “Barku që polli 97’-n nuk është shterpëzuar”, Presidenti Moisiu përmend një hero të famshëm çek, Julius Fuçikun, duke theksuar shprehjen lapidare: “Njerëz, jini vigjilentë!”
Zoti President, rreth tre muaj para zgjedhjeve të 23 qershorit, ju në mbledhjen e Forumit Civil 2010, ngritët me shqetësim qytetar një sërë problemesh që kanë filluar të shfaqen. Cili është thelbi i shqetësimit tuaj?
Tashmë të gjithë jemi të mirënjohur me faktin se zhvillimi i zgjedhjeve të qershorit, sipas kerkesave të një demokracie të vërtetë, do të jetë një avantazh në përshpejtimin e pranimit të Shqipërisë në BE. Nëse do të kemi të kundërtën, atëhere do të ndodhë minimi i çdo hapi të marrë deri tani, në drejtim të pranimit në strukturën europiane. Kjo u bë e qartë edhe këtë herë nga Komisioneri Fyle më 25 mars. Pra siç shihet shenjat e deritanishme nuk janë shumë inkurajuese. Dhe këto shenja fillesën e kanë që nga KQZ-ja. Që në mbledhjen e parë, ajo në vend që të kryejë detyrën e saj kushtetuese dhe ligjore për organizimin e zgjedhjeve, sipas kritereve dhe vërejtjeve të bëra në të kaluarën nga OSBE/ODIHR, gjatë debateve pati përplasje me orientim të theksuar partiak. Po kështu përcaktimi i numrit të deputetëve, sipas zonave zgjedhore, që është detyrë ligjore e KQZ-së, në vend që të zgjidhej dhe vendosej prej saj, ia kaloi Kuvendit dhe më vonë me këtë u muarr edhe Gjykata Kushtetuese.
Kështu, në vend të përpjekjeve për të gjetur zgjidhje konsensuale, për problemet e përgatitjes së zgjedhjeve, brenda atij institucioni shihet një tendencë e qëllimshme për ta kaluar zgjidhjen e tyre institucioneve të tjera. Këto veprime tregojnë qartë se politikanët shqiptarë janë ende larg arritjes së zgjidhjes së problemeve me mirëkuptim. Veçanërisht kjo bie në sy tek mazhoranca, e cila mban dhe përgjegjësinë kryesore për organizimin dhe zhvillimin e zgjedhjeve në përputhje me standardet europiane.
Përveç këtyre, pa filluar mirë fushata zgjedhore, duken tendenca për sharje, fyerje dhe akuza, të cilat nuk i japin asgjë zgjedhësit shqiptar, por vetëm se ngrejnë temperaturën në mjediset shoqërore. Në vend të llojshmërisë së programeve vërehet që ende përmendet komunizmi dhe citate nga e kaluara. Në vazhdimësi ka akuza se listat zgjedhore janë me defekte, të cilat kanë nevojë për pastrim e të tjera probleme, që tregojnë mungesë përgjegjësie dhe serioziteti të organeve përkatëse.
Këto zhvillime, të bëjnë të mendosh, se nuk po shohim një fillim të mbarë për zgjedhjet e qershorit. Gjithashtu, vihen re incidente që turbullojnë atmosferën zgjedhore, duke përdorur deri edhe ndeshjet sportive, sikurse ishte rasti i Kavajës apo inicime arrestimesh për zhurmë. Kështu edhe pas më shumë se njëzet e dy viteve të tranzicionit, duket qartë mungesa e dëshirës për të zhvilluar një fushatë zgjedhore bashkëkohore.
Pra, këto veprime tregojnë më së miri se tek ne ende dominojnë dukshëm teoritë e Makiavelit, për të arritur fitoren me çdo kusht. Shqiptarët janë lodhur nga zhvillime të këtij lloji. Mendoj se jo vetëm këto fakte që përmenda, por edhe të tjera të bëjnë të ndihesh jo mirë edhe për zgjedhjet e ardhshme. Konkretisht, këto shqetësime u përmendën dukshëm, si në Konferencën që organizoi Përfaqësia e BE-së në Tiranë në datën 25 mars, ashtu edhe në takimin e 28 marsit të ambasadës së SHBA-së.
Mendoni se shqiptarët duhet të kenë besim se këto zgjedhje do të jenë të lira dhe të ndershme?
Po të hiqnim dorë nga besimi se dhe ne do të bëhemi një ditë si gjithë europianët e tjerë, kjo do të ishte tepër fatale për të ardhmen tonë, ndaj mendoj se po të punojmë pa hile, kjo është e arritshme. Dhe në se nuk do ta arrihet këtë radhë, atëhere pasojat do të jenë të rënda për vendin. Sigurisht faktet që përmenda më lart të bëjnë pak pesimist. Ndaj për të arrirë më të mirën e mundshme të këtyre zgjedhjeve varet nga shkalla e përgjegjshmërisë së klasës politike e, për mendimin tim, kryesisht nga ata që përgjigjen për këtë punë. Mendoj se edhe ne, qytetarët shqiptarë nuk duhet të bëhemi dele, por të reagojmë në mënyrë të atillë që t’i detyrojmë politikanët tonë të mendohen mirë para se të veprojnë ndesh me interesat tona. Them se arma më efikase që disponojmë është ajo që në radhë të parë të gjykojmë mirë kur të hedhim votën. Përveç kësaj ka shumë rëndësi pjesëmarrja masive në votime, po nuk votuam është e kotë të ankohemi më pas, sepse asgjë nuk do të ketë më rëndësi.
A mendoni se ka ardhur koha për një rrotacion politik dhe a besoni se ky rrotacion do të jetë paqësor?
Etja për pushtet është e rrezikshme, këtë ne e kemi parë dhe ndier edhe gjatë periudhës gjysmëshekullore të diktaturës komuniste. Pra, nëse edhe sot synimi do të jetë vetëm pushteti me çdo kusht, rrezikshmëria nuk është më e vogël se atëhere. Në demokraci kohëzgjatja e qëndrimit në pushtet varet dhe kufizohet nga disa rregulla që janë të domosdoshme. Dihet që në rradhë të parë parë ajo përcaktohet nga vota e popullit, që është dhe vendimtare.
Kur treguesit socio-ekonomikë nuk janë të kënaqshëm, sigurisht që votuesit nëpërmjet votës së tyre do të kërkojnë të ketë ndryshime. Pra vetëm në këtë mënyrë mund të arrihet ndryshimi i dëshiruar. Të dhënat e publikuara si dhe analizat e ndryshme nga burimet vendore e ato ndërkombëtare, tregojnë se ka nevojë për një drejtim më të mirë të vendit. Kjo do të thotë se ka ardhur koha që të kemi rrotacion të pushtetit.
Dua të kujtoj se në natyrë ekziston një ligj biokimik që edhe uji i ndenjur prishet, ndaj ndryshimi është progres. Në vitin 2005 ne bëmë rrotacionin e parë paqësor të pushtetit në vendin tonë, kështu që mendoj se nuk ka asnjë arësye që të mos ndiqet ai shëmbull, pasi shqiptarët e treguan se janë në gjendje t’i bëjnë ndryshimet sipas rregullave të demokracisë europiane.
Por kjo fushatë duket se ka filluar e egër. A shikoni ndonjë rrezik për përsëritjen e historive të viteve 1996 dhe 97 në zgjedhjet e sivjetme? – Profesor Servet Pëllumbi paralajmëroi në një intervistë në “DITA” se Berisha po përgatitet për t’i vjedhur sërish votat si në ’96-n, madje tregoi edhe skemën se si do t’i vjedhë ato. Si e konsideroni këtë perceptim të Profesor Servetit?
Po, është e vërtetë që fushata nuk ka filluar mirë, jo vetëm nga tonet, por edhe sepse ka filluar para afateve ligjore. Duhet thënë se kjo nuk është shkelje e vogël, sepse tërheq vëmendjen e të gjithëve para kohe nga detyrat e tjera, dhe në të njëjtën kohë tregon tendencën, që pavarësisht se ç’thotë ligji, ne do të veprojmë ashtu si na intereson!
Këto janë gabime të rënda, që tregojnë se pak ndryshime kemi bërë, megjithë premtimet dhe angazhimet e bëra me dhjetëra herë për të ndërtuar shtetin ligjor!
Sigurisht mendimet e profesor Servet Pëllumbit duhen vlerësuar si për përvojën që ai ka ashtu edhe për urtësinë dhe thellësinë e mendimeve të tij. Sikurse po vërehet në këtë fillim fushate, e shoh me vënd të përmend fjalët e heroit Çek të Luftës së Dytë Botërore Fuçik: “Njerëz, jini vigjilentë!”
Ndërkohë Berisha i ka uzurpuar thuajse të gjitha institucionet më të rëndësishme të shtetit. Si mund të besojmë që vota jonë nuk do të manipulohet apo tjetërsohet?
Tendenca e Berishës, për të marrë të gjitha pushtetet, ka qënë që në fillimet e ardhjes në pushtet në vitin 2005. Dhe kjo ishte edhe një nga arësyet e përplasjeve të mia me të, gjatë kohës që isha në krye të Shtetit Shqiptar. Kontradiktat e mendimeve filluan qysh me emërimin e ambasadorëve dhe gjyqtarëve, mandej u thelluan sidomos në problemin e Prokurorit të Përgjithshëm. Për këto probleme kam folur dhe shkruar, në mënyrë të veçantë në librin tim të tretë të kujtimeve: “Midis Nanos dhe Berishës”. Dihet që në kushtetutë pushtetet janë të ndara dhe të pavarura, por ja që në realitet ato për fat të keq janë përqëndruar vetëm në një dorë.
Përgjegjësia kryesore është në radhë të parë e politikës që e ka lejuar Kryeministrin të veprojë lirshëm në këtë mënyrë, por ndërkohë edhe e zgjedhësve shqiptarë që nuk u ka bërë përshtypje sa duhet një gjë e tillë. Ndaj për të pasur institucione të pavarura sipas Kushtetutës u bëj thirrje votuesve shqiptarë, që për arësye të ndryshme kanë qenë indiferentë ndaj proçesit të votimit, këtë radhë duhet ta kuptojnë se ky është momenti për të mos lejuar që shteti të kthehet në totalitar si në periudhën e komunizmit.
Në tryezat e Forumit tuaj, janë vazhdimisht diplomatët më të rëndësishëm të akredituar në Tiranë. Kjo do të thotë se ata e respektojnë mendimin dhe shqetësimin tuaj. Por sa do të jenë ata garantë në këto zgjedhje?
Ne zakonisht ftojmë diplomatët kryesorë, anëtarët e trojkës, por në disa raste edhe të tjerë. Sigurisht i falënderojmë ata jo vetëm për pjesëmarrjen e tyre, por në mënyrë të veçantë për mendimet që kanë shfaqur, gjatë diskutimit të problemeve në tryezat e rrumbullakta që ka organizuar Forumi.
Në tryezat tona jemi përpjekur që të ngremë shqetësimet, si qytetarë por dhe si njerëz me përvojë politike dhe profesionale, duke dhënë në të njëjtën kohë mendimet për zgjidhjen e tyre. Mediet shqiptare i kanë vlerësuar këto tryeza dhe i kanë paraqitur ato drejtë, për çka dhe i falenderojmë. Por në të njëjtën kohë mendoj që edhe qytetarët shqiptarë t’i vlerësojnë kontributet tona të shoqërisë civile. Më vjen mirë që në Konferencën që organizoi Përfaqësia e BE –së në Tiranë me 25 mars të këti viti, përfaqësuesit e lartë të saj Fule dhe Kukan tërhoqën vëmendjen për rolin dhe punën që duhet të bëjë shoqëria civile shqiptare, për zhvillimin e demokracisë e në mënyrë të veçantë për zgjedhjet e 23 qershorit.
Kjo ishte e vlefshme jo vetëm për të ndërgjegjësur shoqërinë civile shqiptare por sidomos votuesit shqiptarë, që të mos bien viktima të interesave partiake, por të shohin edhe interesat e tyre edhe të vendit në tërësi. Si qytetar i këtij vendi dëshiroj të them se nuk më erdhi mirë që përfaqësuesit e partisë në pushtet nuk denjuan të merrnin pjesë në këtë takim. Kjo në një farë mënyre tregon se edhe sa jemi të gatshëm dhe punojmë realisht për integrimine vendit tonë në BE..
Çfarë u këshilloni partive politike dhe qytetarëve shqiptarë për këto zgjedhje?
Sikurse e kam thënë edhe më lart, këto zgjedhje janë shumë të rëndësishme. Ndaj qytetarët shqiptarë duhet ta kuptojnë se është momenti për të thënë fjalën e tyre që të ndryshojë rrjedha e politikës tonë në mënyrë pozitive. Kjo dihet që bëhet me votë, jo me fjalë poshtë e përpjetë, nëpër kafene ose rrugëve. Kurse partitë politike, ashtu sikurse e kam thënë edhe shumë herë të tjera, të mendojnë më shumë për Shqipërinë dhe qytetarët e saj sesa për interesat e tyre personale apo partiake. Pra të gjithë në votime!
Ju faleminderit, zoti President!