“Shqiptarët, diamantët e pagdhendur”

redaktor

Libri më i ri publicistit të njohur Ylli Polovina

Këto ditë doli në qarkullim libri më i fundit i publicistit të njohur, Ylli Polovina, libër që ai e quan sprovë dhe ku përpiqet për të shpjeguar natyrën dhe karakterin e shqiptarit në planin historik, shoqëror, por edhe individual. Lidhur me opsionet dhe përfundimet e veta, autori ka kërkuar ndihmë dhe e ka shfrytëzuar mirë edhe ato që kanë thënë dhe shkruar shumë studiues të huaj, albanologë, udhëtarë për shqiptarët.

Më poshtë po paraqesim pjesën më të fundit të librit, një përfundim interesant, të guximshëm, por edhe me mesazhe të qarta.

 

A do të bëhemi ne shqiptarët?!…Po sikur të mos bëhemi dot?…

Jemi një etni me qëndresë ekzistence të sprovuar.

Një varg i himnit tonë thotë “Se Zoti vetë e tha me gojë/Që kombet shuhen përmbi dhe/Po Shqipëria do të rrojë/Për të, për të luftojmë ne”.

Nuk janë as megalomane dhe as shovene këto fjalë, as nënvleftësim për popuj të tjerë, por thjesht një mënyrë metaforike për të kumtuar idenë e mësipërme, pra që ne nuk shkatërrohemi, që etnikisht nuk shbëhemi dot.

Historia në mjaft raste na ka marrë edhe kufijtë shtetërorë, ata që ishin në kohë të ndryshme të principatave apo edhe të ndonjë mbretërie kohëshkurtër. Madje kjo ka ngjarë edhe pas 28 nëntorit 1912, por asnjëherë nuk na ka marrë dot kufijtë gjeografikë ku jetonim, ruanim të folurën tonë karakteristike, kulturën, traditën, breznitë, të shkuarën dhe të ardhmen.

Si e tillë, tokë ku nëpër mijëvjeçarë do të jetojnë vetëm shqiptarët, bëhesh optimist se një ditë do ta ngremë edhe ne shtetin tonë ashtu siç e dëshirojmë.

Kur sheh rezultatin e deri tanishëm të bren pesimizmi.

Por pesimizmi nuk është asnjëherë pasojë e një analize konkrete. Po ashtu as optimizmi.

Të dy qëndrimet janë pika orientimi që të gabojnë.

Qëndrimi realist do të qe i vetmi më i sigurti.

Me këtë rast, duke e përfunduar sprovën e këtij libri, autori do t’i lejonte vetes edhe një merak të fundit: aftësitë shqiptarit nuk i janë të pamjaftueshme për shtetformim, por për shtetbërje.

Ndokujt kjo mund t’i ngjajë si një lodër fjalësh. Megjithatë të dy konceptet kanë mes tyre një hapësirë të dukshme mëvetësie. Të kesh apo të mos kesh cilësi shtetformuese do të thotë se nuk di as ta ëndërrosh këtë shtet, as ta projektosh, as të luftosh për ta realizuar, as ta shpallësh ndërkombëtarisht dhe as t’ia mbrosh ekzistencën.

Por të gjitha këto bashkë, një për një, shqiptarët i kanë kryer më së miri. “Shqipëria çka qenë, ç’është e ç’do të bëhet” i rilindësit Sami Frashëri, libri projekt i ndërtimit të shtetit dhe i funksionimit të shoqërisë së saj, për nga largpamja, moderniteti dhe fryma e prakticitetit, deri tani nuk ka më asnjë tjetër të ngjashëm. Po ashtu modelin real të këtij shteti, për aq sa mund të ishte bashkëkohor në motin e vet, por që gjithsesi qe një shembull, shqiptarët e kishin të njohur dhe të vlerësuar nga pothuaj e tërë bota: ishte ai i Lidhjes së Lezhës të udhëhequr nga Skënderbeu.

Në 28 nëntor 1912 shpalljen e pavarësimit të vendit po ashtu e bënë vetë shqiptarët.

Po vetë ata, duke manovruar midis trysnisë së interesave të kundërta të fuqive të mëdha e fqinjëve, mbajtën Kongresin e Lushnjës, themelvënësin e shtetit.

Po vetë shqiptarët e shpallën Tiranën kryeqytet dhe e bënë njëkohësisht atdheun e tyre të njohshëm ndërkombëtarisht, anëtar të Lidhjes së Kombeve.

Vetë ia kanë mbrojtur integritetin territorial, për aq sa kanë mundur dhe sa i kanë lejuar rrethanat, duke dhënë shembuj vetëmohimi aspak turpërues.

Hedhja e italianëve në det në 1920 dhe lufta antifashiste nga viti 1939 deri në 1944 janë dëshmi shkëlqimtare të kësaj të vërtete.

Qenë republikanët, monarkistët apo komunistët në pushtet, antidemokratët, pseudot e tyre apo edhe demokratët e vërtetë, Shqipërisë deri tani nuk i është marrë asnjë centimetër tokë.

Sepse qe një popull me ndjenjë të qartë shtetformuese edhe bashkëkombësit në Kosovës, pas qëndresës së gjatë paqësore, i hynë rrugës së luftës çlirimtare me armë dhe, me një përkrahje vendimtare të vendeve demokratike të Perëndimit, ia dolën të shpallin shtetin e tyre.

Tani jemi etni me dy shtete.

Prandaj vetëm si mosshtetformues nuk mund të qortohemi!

Defekti ynë problematik është tek krijimi i një shteti me frytshmëri të lartë, pra tek shtetbërja, shtetndërtimi, shtetpërsosja.

Ndërkohë mendësia se Shqipëria nuk bëhet, po na u shndërrua në bindje, shumë shpejt mund të kthehet në fatalitet.

Ja pse ajo duhet mbajtur dhe ruajtur si shpresë. Kjo vdes e fundit, bashkë me vetë njeriun.

Shqipëribërja apo më saktë shtetbërja shqiptare le të vdesë edhe ajo bashkë me shqiptarin.

Ndërkohë, që të jemi realistë gjer në fund, na duhet, për t’ia dalë mbanë, të plotësojmë një kusht: të mbajmë vazhdimisht në sy një rrezik tepër të madh, atë të metë që e kemi identitare, pothuaj gjenetike: mospajtimin tonë me publiken, shpesh edhe antagonizmin me të.

Do të ishte përgjegjësi e madhe edhe për autorin e këtij libri të thyente rregullin e përgjithshëm të marrëveshjes së brendshme të një populli të tërë për të mos e thënë me gojë asnjëherë kobin se mëmëdheu dhe kombi ynë nuk ka për ta bërë kurrë një shtet të mirorganizuar, të fortë dhe me autoritet, të shpëtuar përfundimisht nga ajo shprehje dufi kaq të shpeshtë “ne nuk bëhemi”.

E megjithatë ai mund të mos bëhet.

Duke e thënë këtë, pra që ne Shqipërinë e kemi të pavdekshme, por shtetin e saj, dje dhe sot, copë e trokë, mbase, përveç të zemëruarve që do të na tregonin me gisht si tradhtar, do të shfaqeshin edhe ata, të cilët sedërprekur prej këtij kumti të keq, do të zgjonin thellë ndërgjegjes dhe karakteristikave tona kombëtare atë energji vullkanike që pëlqen të flejë kur dikton se ne mjaftohemi me vetëm pohimin e të metës.

Por që shpërthen kur kupton se ne me të vërtetë i jemi përveshur punës për ta ndryshuar atë.

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *