Në Maqedoni janë shtuar zërat e shqiptarëve për të bojkotuar zgjedhjet presidenciale, por një vendim më i qartë pritet nga dy partitë më të mëdha BDI dhe PDSH.
Rilindja Demokratike Kombëtare (RDK) partia e përfaqësuar në Parlamentin e Maqedonisë javë më parë vendosi bojkotin e zgjedhjeve, duke theksuar se nuk është e interesuar për të qenë pjesë e këtij procesi.
“Kryesia Qendrore e RDK-së vendosi të mbajë qëndrim mohues ndajë zgjedhjeve presidenciale duke mos qenë pjesë e këtij procesi në asnjë drejtim. RDK nëpërmjet idesë së sajë për kandidat konsensual shqiptarë për president të vendit rikonfimoi edhe njëherë se është subjekti i vetëm politikë shqiptarë që interesat kombëtare i ka prioritet ndaj interesave partiake që janë ves i dy partive tjera politike shqiptare.”, theksoi kryetari i RDK-së, Rufi Osmani.
Ndërsa një thirrje e njejtë pasoi edhe nga Lëvizja “ZGJOHU!”, e cila ka ftuar për bojkot, duke reaguar se “asnjë president i Maqedonsë pa votat e shqiptarëve nuk mund të jetë përfaqësues legjitim i shtetit dhe konsiderojmë që në të ardhmën, presidenti duhet të zgjidhet në Kuvend me shumicë të dyfishtë të votave”, thuhet në komunikatën e ZGJOHU!”.
PDSH akoma nuk ka vendosur se a do të dal apo jo në zgjedhjet presidenciale. Kjo u konfirmua edhe nga kryetari i saj, Menduh Thaçi.
“Nëse ne e kemi kandidatin tonë do ti thërrasim shqiptarët që ta votojnë kandidatin tonë si simbolikë, por në qoftë se nuk e kemi kandidatin tonë, atëherë ne nuk do ti thërrasim qytetarët që ti bojkotojnë, por do ti lëmë në lirinë e bindjeve të tyre politike që ata të veprojnë”, theksoi lideri i PDSH-së.
Ndërsa vendimi final pritet nga partia në pushtet BDI, e cila pas dështimit të idesë për president koncensual dhe mohimit të saj nga ana e partisë së koalicionit VMRO-DPMNE si dhe nga partitë opozitare maqedonase, pritet të shprehë qëndrimin e saj për mundësinë e bojkotit apo mospjesëmarrjes në këto zgjedhje.
Por lidhur me këtë çështje dje përmes një deklarate ka reaguar kryeministri Nikolla Gruevski, duke nënvizuar se bojkoti i zgjedhjeve presidenciale nga shqiptarët do të ishte një gabim i madh i partive shqiptare.
“Shpresoj se këtë nuk do ta bëjnë partitë shqiptare, dhe se mendoj se në rast se e bëjnë këtë do të kuptojnë se kanë bërë gabim të madh”, deklaroi Gruevski.
Nga ana tjetër, partitë opozitare maqedonase nuk kanë komentuar paralajmërimet për bojkot masiv nga partitë shqiptare në Maqedoni. (INA)