Shqiptarët e burgosur jashtë, viktima. Majko: Administrata, e përgjumur me diasporën

Dita

Ministri për Diasporën, Pandeli Majko, tha se administrata shqiptare është ende e përgjumur ndaj shqiptarëve të burgosur jashtë vendit.

Në tryezën “Mbi të drejtat e shtetasve shqiptarë të privuar nga liria jashtë vendit”, Majko u shpreh se:

“ Një pjesë e administratës shqiptare vepron mbi parimin se detyrimet e saj të shërbimeve me qytetarët kufizohen mbi taksapaguesit që jetojnë në territorin e vendit. Një komb i cili jeton i shpërndarë në një hapësirë të pakufizuar nga konceptet e sovranitetit të një shteti duhet të “rishpikë” vetveten. Pranoj pyetjen dhe ironinë që pse duhet ta fillojmë me të burgosurit këtë? Përgjigja është e thjeshtë. Nëse nuk do të jemi njerëz karshi atyre që kanë më shumë nevojë, nuk mund të bëhemi dot përfaqësues të interesit shtetëror jashtë vendit.”

Ai bëri të ditur se falë një bashkëpunimi të filluar edhe me Kryqin e Kuq të Shqipërisë, me Ministren e Drejtësisë dhe eksperiencën e Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme ka nisur një punë paraprake, dhe se krijimi i “liason officer”-i është gjithashtu një faktor i rëndësishëm që do të shërbejë si pikë kontakti për personat e privuar nga liria jashtë vendit.

“Duhet pranuar, se në psiqikën tonë administrative për diplomatët e aftë është fiksuar formati i diplomatit të “luftës së ftohtë”. Si mund të jetë një diplomat “i aftë” për forcimin e marrëdhënieve në një shtet kur është i “pamundur” të vendosë marrëdhënie me komunitetin e shqiptarëve që jeton aty?

Shumica e shtetasve shqiptarë të dënuar jashtë vendit por edhe familjarët e tyre vuajnë mungesën e informacionit. Mendoj se është me rëndësi, krijimi i një informimi zyrtar me listën dhe kontaktet e përfaqësuesëve ligjorë shqiptarë në vendet pritëse, e cila do të ishte padyshim në dispozicion të ambasadave. Kur flasim për personat e privuar nga liria, duhet marrë parasysh se në radhët e tyre ka edhe njerëz që nuk dinë të shkruajnë dhe lexojnë gjuhën e vendit ku vuajnë dënimin. Ata gëzojnë të drejta, të cilat duhet t’i njohin”, tha më tej Majko.

Ministri i Diasporës vazhdoi duke thënë se numri i shqiptarëve të burgosur dhe paraburgosur jashtë vendit është më i lartë se në Shqipëri.

“Sipas statistikave, në Greqi janë rreth 1655 shtetas shqiptarë të dënuar apo paraburgosur, në Itali rreth 1600 shtetas shqiptarë të burgosur, nga të cilët 100 në paraburgim. Në Gjermani janë 768 shtetas shqiptarë të burgosur, në Britani 750 vetë, në Holandë 92 vetë ndërsa në Austri rezultojnë 52 shtetas shqiptarë të burgosur ose në paraburgim. Këto statistika i përkasin llogaritjeve deri në shtator 2017…”

Sipas Majkos, ekzistojnë shumë instrumenta juridikë ndërkombëtarë që mbrojnë të drejtat e njeriut, por shumica e të dënuarve jashtë vendit nuk i njohin ato.

“Ata shpesh janë viktima të avokatëve të padobishëm vendas apo keqtrajtimeve, ndaj të cilave nuk kanë as ku të ankohen”, tha ministri i Diasporës.

s.a/dita

Share This Article
2 Comments
  • I domosdoshem kujdesi per qytetaret e denuar jashte.Deri me tani kane qene pa asnje perkrahje, eshte turpi I shtetit jo I tyre,pa dinjitet.Zyrtaret e ambasadave koti fare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *