A janë shqiptarët produktiv në punë? Shqipëria radhitet tek vendet ku punonjësit punojnë me orë të zgjatura në punë, por kjo nga ana tjetër ka ulur rendimentin.
Për shumëkënd është normale të punojë pas orarit të punës edhe pse mund të mos paguhet, të qëndrojë në ambiente tregtare për mbi 10 orë, ose dy turne radhazi, apo dita e punës të fillojë në 9 të mëngjesit e të përfundojë pas orës 9 të mbrëmjes (kjo e fundit e vërtetë sidomos për median e shkruar).
Nuk është e ulët as koha që një punonjës mund të kalojë në kafe gjatë orarit të punës, apo duke lundruar në rrjetet sociale, ndërsa vendi nuk shquhet për produktivitet të lartë (ende kemi pagat dhe të ardhurat për frymë ndër më të ulëtat në Europë).
Të dhënat e INSTAT (të publikuara në 2015-n, në bazë të një anketimi të kryer në 2013) tregojnë se Shqipëria ka ndër orët më të gjata të punës në botë, me 2102 orë/vit.
Nga të dhëna krahasuese rezulton se nga vendet e zhvilluara të OECD, vetëm Meksika dhe Koreja kanë orë më të gjata pune se ne, me përkatësisht 2,237 dhe 2,163 dhe shumë më të lartë se mesatarja e OECD prej 1,770 orë në vit.
Edhe në raport me vendet e rajonit, shqiptarët kanë orë më të gjata pune, ku psh në Maqedoni, statistikat zyrtare tregojnë se janë 1,875 orë pune ne vit.
Sipas vrojtimit të INSTAT, të gjithë sektorët në Shqipëri kanë raportuar mbi 2000 orë pune në vit, ku rekordin e mbajnë Informacioni dhe Komunikacioni, (2 132); Tregtia me shumicë dhe pakicë (2,171); Industria përpunuese (2, 126); Akomodimi dhe aktivitetet e shërbimit të ushqimit (2 128).
Sipas të dhënave më të fundit të studiuara nga OECD,-që citon Monitor- gjermanët rezultojnë me eficiensën më të lartë ndër punonjës, duke shpenzuar më pak orë pune për të arritur objektivat dhe kryer detyrat e tyre, në sferën profesionale, me vetëm 1363 orë/vit, afërsisht 57 ditë.
Ky shtet ndiqet nga Norvegjia me 1403 orë pune në vit, më pas vjen Holanda me 1421 orë pune në vit. Çuditërisht edhe grekët kanë orë të larta në punë me rreth 2060 orë pune në vit.

Rrit ne pune kot, meru me llogje kavaje qe shefat te ndjehen mire me veten e tyre.