Çelet Panairi i Shëndetësisë tek Parku “Rinia”, analiza e diagnostikime falas për shtatë ditë me radhë
Pavarësisht komplikacioneve me të cilat përballen çdo ditë, shqiptarët vijojnë të mos tregojnë kujdes ndaj shëndetit. Situatë e cila ka bërë që gjatë viteve të fundit niveli i sëmundshmërisë, veçanërisht asaj kronike, të pësojë rritje të frikshme. Ajo që konsiderohet edhe si më shqetësuese është ulja e kufirit të moshës në përhapjen e shumë sëmundjeve që disa vite më parë i përkisnin një brezi më të madh.
Stili i ri i jetesës që dominohet nga kequshqyerja apo dhe mungesa e aktivitetit fizik, konsumi gjithnjë e në rritje i pijeve alkoolike, duhanit, e kanë përmbysur këtë raport duke shtuar në listën e të sëmurëve edhe moshat më të reja. Ndër më shqetësueset pohohen të jenë sëmundjet kronike, veçanërisht tek ato të zemrës, diabetit, mushkërive, tensionit etj, përhapja e të cilave në vendin tonë pohohet të jetë në nivele alarmuese.
Kjo pasi pjesa dërrmuese e sëmundjeve zbulohen në stade tepër të rënduara, kohë në të cilën trajtimi mjekësor mund të mos japë efektet e duhura shëruese. Të gjitha këto problematika janë konstatuar dje gjatë çeljes së panairit të shëndetësisë, i cili për shtatë ditë me radhë do të synojë rritjen e ndërgjegjësimit të popullatës për t’i kushtuar më shumë rëndësi parandalimit të sëmundjeve, pasi mund të jetë më efikas se sa trajtimet mjekësore.
Duke u ndalur veçanërisht tek sëmundjet kronike, ekspertët e shëndetit publik kanë vënë në dukje se mbi 70 për qind e të moshuarve kanë një deri dy sëmundje të tilla, si: zemra, tensioni, ishemia e trurit apo dhe diabeti. Po sipas statistikave shëndetësore faktohet më tej se njëkohësisht edhe 40 për qind e moshave të rritura mbi 30 vjeç kanë të paktën një sëmundje të tillë. Sëmundshmëri këto që kanë si faktorë shkaktues stresin, obezitetin dhe mënyrën e ushqyerjes.
“Tensioni dhe sëmundja ishemike e zemrës përbën problem madhor. Duhet të kapet sa më herët që të mos japë dëmtime, sepse tensioni jep dëmtime të enëve të gjakut që dëmtojnë trurin, zemrën, sytë, veshkat, jep komplikacione të rënda si insulti cerebral, infarkti i miokardit. Neglizhencat në trajtim çojnë në komplikacionet që janë shumë të rënda dhe të kushtueshme”, vë në dukje kardiologu Ali Hoxha.
Përgjatë gjithë ditës së djeshme panairi i shëndetësisë që është ngritur në ambientet e parkut ”Rinia” në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë, i ka kushtuar rëndësi kryerjes së vizitave dhe ofrimit të shërbimeve të tjera diagnostikuese falas për të gjithë qytetarët. Sipas mjekut Hoxha, konsumimi i tepërt i kripës, mbipesha, jeta sedentare etj. e favorizojnë shumë hipertensionin, ndaj këshillohet të tregohet kujdes maksimal në kapjen sa më herët të sëmundjes, më mënyrë që të mos japë dëmtime.
Njëkohësisht edhe diabeti është shndërruar në një pandemi, duke shënuar rritje nga viti në vit. “Nga viti në vit ka rritje të numrit të të sëmurëve dhe aktualisht, referuar shifrave të Institutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor, janë rreth 58 mijë të sëmurë, të identifikuar”, vuri në dukje mjeku endokrinolog, Gjinal Gjonçe.
Por kjo, sipas Gjonçes, është vetëm ‘maja e ajsbergut’, pasi pjesa tjetër e të prekurve nga diabeti jetojnë me këtë sëmundje pa e ditur se e kanë atë. “Shqetësimi është që kjo sëmundje, e njohur shpesh si sëmundja e sheqerit, po kap fëmijët dhe moshat e reja. Duke qenë një pandemi e vrasës i heshtur, çdo sëmundje nën diabetin zhvillohet më shpejt, ndaj çdokush duhet të bëjë kontroll të glicemisë”. Kapja në fazat e hershme të sëmundjes pengon komplikacionet që ajo mund të sjellë, ndër të cilat janë dhe problemet kardiake.
I pranishëm në këtë aktivitete ishte edhe ministri i Shëndetësisë, Vangjel Tavo, që apeloi se krahas punës që duhet të bëjnë dikasteret shëndetësore, qytetarët duhet të jenë më të kujdesshëm në kryerjen e vizitave tek mjeku për t’i diagnostikuar në kohë komplikacionet, në mënyrë që dhe trajtimi të jetë efikas.
Somario: Ekspertët e shëndetit publik kanë vënë në dukje se 40 për qind e moshave të rritura mbi 30 vjeç kanë të paktën një sëmundje të tillë, si: zemra, tensioni, ishemia e trurit apo dhe diabeti.
Analizat dhe vizita falas përgjatë gjithë javës
Për 7 ditë me radhë do të ofrohen shërbime shëndetësore falas nga mjekët e shërbimit parësor për të gjitha komplikacionet që shoqërojnë shqiptarët. Në të gjitha çadrat mjekësore në Tiranë dhe qytete të tjera të vendit qytetarët mund të kryejnë vizita mjekësore, matje glicemie, matje tensioni, matje të indeksit trupor, të shohin demonstrime mbi higjienën e gojës, fizioterapinë, si dhe të marrin materiale informuese rreth parandalimit të sëmundjeve të ndryshme.
Në ditën e parë të panairit shumë qytetarë që kanë vizituar çadrat e ngritura në parkun “Rinia” kanë kryer matjet e tensionit, glicemisë e të tjera ekzmainimeve për të vënë në dukje nëse vuajnë nga sëmundje të caktuara. Ndërsa gjatë ditës së sotme do të bëhen analiza gjaku falas për sëmundjet seksualisht të transmetueshme. Sipas ekspertëve të shëndetësisë ky panair është konceptuar si një demonstrim simbolik në nderim dhe respekt të përpjekjeve të të gjitha bluzave të bardha ndër vite.
Si manifestohet hipertensioni
Hipertensioni quhet ndryshe edhe “vrasës i fshehtë”, sepse shpesh mbetet i padiagnostikuar. Ka njerëz që as që e kanë marrë vesh ndonjëherë se kanw pasur hipertension. Sëmundja përkeqësohet gradualisht dhe kjo ndodh gjatë një periudhe të gjatë kohore, dhe jo brenda pak ditësh prandaj është e vështirë që të kuptohet nga vete personi që në fillim. Megjithatë mjekët klasifikojnë disa simptoma të hershme që mund të vënë në dukje këtë sëmundje që në stade të hershme. Në këto kushte, hipertensioni shoqërohet me dhimbje koke, sidomos në mëngjes, veshët gumëzhijnë (të bëjnë zzzzzz), pacienti ka marramendje, nganjëherë shoqërohet me gjak nga hundët, shfaq depresion pa e ditur shkakun, personi nxehet pothuajse kot se koti, jep skuqje të fytyrës, si dhe ndjenjë të fikti.
Komplikacionet që vijnë nga hipertensioni gjatë ditëve të ftohta
Kujdes, mbipesha çon hipertensionin
Të qenit mbipeshë mund të çojë në hipertension, i cili më pas mund të kalojë në infarkt, insuficienë kardiake, aneurizëm, diabet i tipit dy, forma të ndryshme të kancerit dhe insuficiencës renale, sëmundje këto që të gjitha shoqërohen me pasoja fatale. Ndaj mjekët këshillojnë që të tregohet kujdes me peshën trupore, si dhe të kërkohet ndihma e mjekut menjëherë sapo të shfaqen problemet e para. Kujdesi që duhet të tregojnë pacientët e prekur nga hipertensioni gjatë ditëve të ftohta duhet të jetë maksimal, pasi ulja e temperaturave mund të bëhet shkak për një sërë komplikacionesh të tjera në organizëm.
I ftohti ngushton enët e gjakut dhe rrit tensionin prandaj këtyre pacientëve u rekomandohet të jenë korrekt në marrjen e ilaçeve dhe të kenë kujdes me menynë dhe stilin e jetës. Një tjetër problem për këta persona, gjatë sezonit të dimrit, mund të jetë edhe stresi i cili krijon shqetësime në sistemin nervor, e cila shton prodhimin e adesteronit në veshka, e për pasojë çon në ngushtimin e enëve të gjakut dhe shfaqjen e hipertensionit.
Këta pacientë duhet të bëjnë kujdes në ndjekjen e udhëzimeve të lëshuara nga mjeku specialist mbi përdorimin e barnave trajtuese sipas përshkrimit të bërë në recetë. Njëkohësisht të sëmurët duhet të eliminojnë daljet në ditët shumë të ftohta, të dalin vetëm gjatë orëve të ngrohta dhe të vishen mirë.
