Në raportin “Kultura financiare në Shqipëri: Rezultatet e vrojtimit për matjen e nivelit të njohurive financiare të popullatës, 2011”, i publikuar nga Banka e Shqipërisë, matet edhe kujdesi i ushtruar dhe kontrolli i vazhdueshëm i individëve mbi financat personale.
Rezultatet e përftuara nga anketimi tregojnë se përgjithësisht shqiptarët nuk janë shumë të kujdesshëm dhe sistematikë në kontrollin e financave të tyre. Vetëm 35.8% e të anketuarve deklarojnë se kujdesen “gjithmonë” personalisht dhe në mënyrë të vazhdueshme për marrëdhëniet financiare, ndërkohë që 34.9% sillen “shpesh” në këtë mënyrë. Nga ana tjetër, 8.1% i kontrollon “ndonjëherë” personalisht dhe në mënyrë të vazhdueshme marrëdhëniet financiare, dhe 2.7% deklaron se nuk i kontrollon ato “asnjëherë”.
I analizuar sipas gjinisë, kujdesi personal dhe i vazhdueshëm për marrëdhëniet financiare anon në favor të meshkujve. 73.6% e meshkujve, kundrejt 66.6% të femrave, dëshmon se kujdesen “gjithmonë” ose “shpesh” për financat e tyre. Gjithashtu më pak se 1% e meshkujve deklaron se nuk i kontrollon “asnjëherë” financat, ndërkohë që femrat që nuk e kryejnë “asnjëherë” këtë sjellje janë gati 6% e totalit.
Edhe mosha e të anketuarit ndikon në vëmendjen që ai i kushton financave personale . Kështu për shembull, nëse të rinjtë e grup-moshës 18-29 vjeç i kontrollojnë “gjithmonë” apo “shpesh” financat e tyre vetëm në 52.4% të rasteve, kjo sjellje ndiqet nga 73.7% e përfaqësuesve të grup-moshës 30-59 vjeç, dhe nga 72.5% e personave mbi 60 vjeç. Moshat e reja tregohen më të shkujdesura karshi gjendjes së tyre financiare. 10.9% e të rinjve e anashkalojnë kontrollin periodik (përgjigjja “asnjëherë”), ndërkohë që 17.2% e tyre e bëjnë këtë veprim “ndonjëherë”, shifra këto që tregojnë nevojën për më tepër ndërgjegjësim të të rinjve mbi rëndësinë e kujdesit personal të vazhdueshëm ndaj marrëdhënieve financiare.
Përgjithësisht me rritjen e nivelit të arsimimit të të intervistuarit, shtohet dhe kujdesi që ai i kushton marrëdhënieve të tij financiare. Më të kujdesshmit rezultojnë të jenë personat me arsim të mesëm ose arsim profesional përtej shkollës së mesme, ku 75.4% e tyre i kontrollojnë “gjithmonë” ose “shpesh” marrëdhëniet financiare, të pasuar nga personat me arsim të lartë ose pasuniversitar (71.8%), dhe në fund të renditjes gjenden ata pa arsim formal apo me arsim të ulët të papërfunduar (63.9%).
Përsa i përket ndikimit të statusit civil në sjelljen e individit kundrejt marrëdhënieve personale financiare, personat e martuar apo që bashkëjetojnë me partnerin rezultojnë financiarisht më të matur me sjelljet e tyre. Në fakt, 72.6% e tyre i kontrollojnë “gjithmonë”ose “shpesh”marrëdhëniet financiare, të pasuar nga 68.6% e personave të divorcuar apo të ve, dhe nga 59.0% e të pamartuarve. Një shifër që tërheq vëmendjen është përqindja e lartë e përgjigjeve “asnjëherë” (9.4%) e dhënë nga personat e pamartuar, të cilët shfaqen të pavëmendshëm në kujdesin ndaj financave personale, krahasuar me dy grupet e tjera sociale.
Statusi i punësimit tregon se personat e punësuar janë më të përgjegjshmit dhe konstantët në marrëdhëniet financiare. 79.8% e të punësuarve deklaron se i kontrollon financat “gjithmonë” ose “shpesh”, ndjekur nga rreth 70% e të vetëpunësuarve dhe e pensionistëve ose të paaftëve për punë. Të pakujdesshëm në këto marrëdhënie rezultojnë studentët, 26.8% e të cilëve kujdesen për to ndonjëherë” ose “asnjëherë”.
Të ardhurat mesatare të familjes shkojnë në drejtim të kundërt me kujdesin e kushtuar për marrëdhëniet financiare (grafiku IV 3.5). Individët që i përkasin familjeve me të ardhura të ulëta rezultojnë të jenë më të kujdesshmit, duke i kontrolluar “gjithmonë” dhe “shpesh” personalisht financat e tyre në 74% të rasteve, krahasuar me 70% të individëve nga familje me të ardhura të mesme dhe 68% të atyre nga familje me të ardhura të larta.
Për sa i përket qëndrueshmërisë së të ardhurave familjare, të dhënat e mbledhura dëshmojnë se individët me të ardhura të rregullta dhe të qëndrueshme janë edhe më të kujdesshmit në marrëdhëniet financiare. 73.9% e tyre i kontrollon “gjithmonë” ose “shpesh” personalisht marrëdhëniet financiare. Nga ana tjetër, personat të cilët nuk i përfitojnë në kohë apo të cilëve iu ndodh të mos marrin asnjë të ardhur janë më pak të kujdesshëm në kontrollin e financave të tyre (rreth 65% i kontrollojnë “gjithmonë” apo “shpesh”). Këto rezultate mund të mos jenë thjesht pasojë e mungesës së kulturës financiare të këtyre individëve, por edhe e pamundësisë së tyre për t’i kontrolluar të ardhurat, e për pasojë edhe shpenzimet. / Monitor