Shqiptari i Hiroshimas, jeta në qytetin e bombës bërthamore

anazapta

Në Ditën Ndërkombëtare të Gjuhëve të Huaja (22 shtator), u nisëm për të gjetur një person që flet një gjuhë të veçantë. Por, pas disa kërkimesh ramë në gjurmët e një personazhi që përpos faktit që flet një gjuhë jo shumë të përdorur në Shqipëri, nga ana tjetër ka studiuar në një vend të rrallë. Ku? Atje  ku siç na thotë edhe vetë ai, është i vetmi që ka marrë mësime. Në Hiroshima të Japonisë.

Enian Çela është një i ri nga Tirana, që 6 vite më parë shkoi të shkollohej në Japoni. 30-vjeçari ka vetëm një vit që ka përfunduar doktoraturën dhe po kaq kohë që është kthyer për të punuar në vendin tonë. Sot është specialist në Bankën e Shqipërisë. E kujton si tani kur 7 vite më parë ka përfunduar studimet e larta në Shqipëri për Financë. Tregon se në atë periudhë ka kërkuar një mundësi për të dalë jashtë shtetit,  të ndjekë studimet master. Ajo që i është shfaqur përpara ishte Japonia dhe nuk ka nguruar. Sot është i vetmi shqiptar që ka marrë mësime në këtë vend, vendi në të cilin është hedhur bomba bërthamore në vitin 1945.  Këtë të martë, Eniani është personazh i “Ditës” duke na rrëfyer eksperiencën të studimeve nga ku nuk doli vetëm me një diplomë, por edhe me një… grua. Bashkëshortja e tij është nga Kosta Rika dhe të dy sot janë prindër të një djali të vogël, i cili ka gjithë vëmendjen e tyre.

Enian, pse vendose të shkosh në Japoni për të ndjekur studimet?

Ka qenë më tepër një koincidencë. Në 2006, kur isha në vitin e katërt në universitet, po kërkoja mundësi për të shkuar jashtë shtetit për studime master. Po kërkoja për në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara. Krejt rastësisht pashë që qeveria japoneze ofronte bursa studimi për Shqipërinë. Aplikova dhe më zgjodhën mua për të ardhur këtu. Që prej prillit 2007 e deri një vit më parë jetova në Hiroshima.  Pas përfundimit të  masterit dhe të doktoraturës u ktheva në Shqipëri.

 

E pate të vështirë për të mësuar japonishten?

Japonishtja nuk më duhej për shkollën, pasi fakulteti ku unë studioja ishte kryesisht në anglisht dhe përbëhej nga studentë të huaj. Por unë kisha dëshirë për të mësuar gjuhën e vendit dhe kam 6 vjet që e mësoj. Është disi e vështirë, por mua më pëlqen dhe mendoj që e flas mjaft mirë. Duhet thënë që jam ende duke e mësuar ende. Nuk është një gjuhë e thjeshtë dhe nuk mësohet menjëherë.

 

Për çfarë studiuat atje?

Fillimisht gjatë masterit kam studiuar për financë, pasi ka qenë e njëjta degë në të cilën kam studiuar në Tiranë. Kur kalova në doktoraturë, e ndërrova temën në Ekonomi Mjedisi, pasi doja të studioja diçka tjetër.

 

Si është jeta studentore aty ?

Jeta studentore, personalisht mendoj se është mjaft tërheqëse, të paktën për mua. Nuk kam pasur vështirësi të integrohem.

 

Po në përgjithësi për sa i përket integrimit me shoqërinë?

Po, të jem i sinqertë kam kujtime shumë të bukura. Jeta ka qenë shumë e thjeshtë dhe komode. Jam ndier mirë. Asnjëherë nuk kam pasur probleme. Sa për gjuhën ndihmon, besoj është një vlerë shumë e madhe dhe një ndihmës po ashtu për ata që duan të punojnë në një kompani japoneze.

 

A ka shqiptarë të tjerë që Hiroshima?

Në Hiroshima nuk ka të tjerë, kam qenë vetëm. Domethënë deri më tani unë jam i vetmi shqiptar në Hiroshima. Qyteti ishte shumë i këndshëm dhe aspak problematik. Ngjarjet e bombës bërthamore përkujtoheshin çdo vit, por nuk ndikonin në jetën e qytetit dhe të banoreve.

 

Pyesnin për Shqipërinë?

Atje ku isha unë nuk e njihnin Shqipërinë dhe gjithmonë më pyesnin. Ishin tepër të interesuar për të ditur më tepër për vendin dhe pasi unë iu tregoja, ata kryenin kërkime për të mësuar më tepër.

 

Enian, kur vendosët të ktheheshit në Tiranë?

Nga Japonia u ktheva para një viti, në shtator. Dy muaj më vonë, në nëntor, kam filluar punë në Bankën e Shqipërisë.

 

Cili është pozicioni juaj aty?

Në bankë punoj specialist në departamentin e kërkimeve.

 

Një nuse nga Kosta Rika në Tiranë

Eniani, nga Japonia dhe qyteti ku jetoi nuk mori vetëm një diplomë, por ndoshta mori certifikatën më të rëndësishme të jetës, familjen. Në Hiroshima, ai u njoh edhe me bashkëshorten e tij aktuale, e cila punon e jeton në Shqipëri. Vajza nga Kosta Rika është nuse në Shqipëri dhe së bashku ata kanë një djalë, për të cilin pohojnë se u ka ndryshuar jetën.

 

Por, historia juaj në Japoni nuk përfundon vetëm me shkollimin apo jo?

(qesh) Po është e vërtetë, unë atje njoha edhe njeriun e jetës, që e kam sot në krah. Bashkëshortja është nga Kosta Rika. Edhe ajo sikurse unë ka qenë studente në të njëjtin universitet dhe jemi njohur falë disa miqve të përbashkët. Filluam të takoheshim dhe pastaj gjërat rrodhën vetë deri në momentin e dasmës dhe pastaj fëmija.

 

Po bashkëshortja juaj çfarë profesioni ka dhe sa është përshtatur ajo me vendin këtu?

Bashkëshortja është pedagoge në shkrim akademik. Ka punuar pranë disa universiteteve private këtu në Tiranë. Ka mjaft kohë që jeton këtu, tashmë 3 vjet dhe ndihet shumë e kënaqur nga gjithçka.

 

Ju vetë, jeni përshtatur…?

Për sa i përket jetës, me familjen kaloj pjesën më të madhe të kohës pasi u largova për kohë të gjatë. Pastaj tani që djali është ende i vogël ka nevojë për shumë vëmendje. Po ashtu ndihmoj edhe nusen, e cila duke qenë e huaj ka ende nevojë të përshtatet me Shqipërinë. Por kalojmë shumë mirë. Këto ditë sapo jemi kthyer nga pushimet. Ishim në tokën e nuses, në Kosta Rika, për 3 javë dhe kemi kaluar mjaft mirë.

 

Share This Article
4 Comments
  • Ja njerez te tille me vullnet e te mire i duhen vendit. Ky mund te beje pune te mira. Ne duhet te jemi krenar per te e bashkshorten e tij. Nje lidhje e bukur. I pershendes e uroj suksese e jete te gjate djalit te tyre.

  • Ky djali duhet te filloje te krijoje ketu ekipin e pare te samurajve shqiptare. Kultura japoneze eshte shume interesante dhe gjithashtu duhet te sendertohet ketu ne libra,studime dhe ky djali duhet te filloje ta beje kete hap.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *