Papa Françesku sapo i shtoi një palë këpucë të kuqe koleksionit të tij, që me siguri do të jenë një ndër më të veçantat që ai ka.
Këpucët e punuara nga këpucari Petrit Kozeli kanë të stampuar shqiponjën dhe i janë bërë dhuratë Atit të Shenjtë, në kuadër të përvjetorit të parë të vizitës së tij në Shqipëri.
E bardha shkon me gjithçka, prandaj edhe Françesku me siguri do ta gjejë rastin për t’i veshur…nëse janë aq të rehatshme sa duken.
Ky lajm ka disa ditë që ka bërë xhiron e uebeve. Janë shpërndarë fotot dhe është folur shumë për këtë gjest të emigrantit shqiptar, i cili jeton prej 23 vitesh në vendin fqinj.
Po kush është ky njeri, që i shkoi mendja t’i bënte një dhuratë të tillë Papës.
Ne kontaktuam me Kozelin dhe na tha se e kishte ndjerë gjithë këtë vëmendje ndaj tij, madje ishte vënë në siklet për shkak se i kishin shkuar shumë mesazhe dhe falënderime për idenë e bukur. Për të e rëndësishme është mesazhi i paqes që Shqipëria i dërgon gjithë botës, nëpërmjet Atit të Shenjtë, Papës Françesk, “Të ecim së bashku”.

Petriti ka historinë e shumë emigrantëve që i janë larguar Shqipërisë në gjithë këto vite. 23 vite më parë, u largua nga vendi, për të kuruar djalin, aso kohe të sëmur.
Dhe u vendos në qytetin e Mantovas, qytet romantik me një qendër të ngrohtë, karakteristike e mikpritëse e të vizituar në çdo stinë nga shumë turistë.
Hapat e parë të Petritit në Shqipëri ishin në fotografi. Mbërritja në Itali ja skarcoi këtë profesion. Që të mbaje familjen dhe vetën duhej shumë punë.
Nga biseda me Kozelin mësojmë se ditët e para kanë qenë të vështira. Shumë shqiptarë që kanë emigruar jashtë vendit, kanë pranuar përballë punëdhënësve të tyre që dinin të bënin një punë të caktuar, pavarësisht se ndoshta nuk e kishin provuar kurrë. Nevoja më vonë i bëri mjeshtra.
Kjo ndoshta ka ndodhur edhe me Petritin.
Duke shëtitur rrugëve të qytetit, atij i erdhi në mendje të bëhej artizan, të hapte një dyqan për riparimin e këpucëve. Faktikisht qyteteve italiane pika të tilla artizanale janë të rralla, ndaj dyqani i tij filloi të kishte shumë shpejt klientë. E puna e Petritit pëlqehej nga klientët, se ai vinte në atë punë të thjeshtë diçka nga bota e tij artistike, e bënte atë me pasion e dashuri, duke u shquar për cilësinë e lartë në riparime, i priste e i përcillte klientët me buzëqeshje e mirësjellje. Duke qenë në qendrën historike të qytetit, dyqani i tij binte në sy edhe për rregullin e pastërtinë. E u bë shpejt i njohur për mantovanët.
Shpirti i artistit mbetët tek njeriu edhe kur ai merret me punët më të thjeshta e me zanatet që mbase në dukje nuk kanë të bëjnë me artin. E një ditë Petritit i vjen ideja të prodhojë vetë një palë këpucë. Jo këpucë të zakonshme, por të personalizuara. Prodhon një palë këpucë me ngjyrat e flamurit italian, të cilat ia dhuron ish-presidentit italian, Giorgio Napolitano. Presidenti befasohet nga kjo dhuratë, e çmon, interesohet në Mantova për artizanin shqiptar dhe autoritetet lokale i flasin me simpati për emigrantin shqiptar të integruar plotësisht në qytetin e tyre. Presidenti italian i jep atij titullin “Cavaliere del Ordine”, që u jepet vetëm njerëzve me merita të shquara në fushën ku ata veprojnë.
Një nder i veçantë edhe për komunitetin shqiptar në Itali.
Por rikthehemi te këpucët kuq e zi. “Vendosa që të bëj dhe këpucën me flamurin shqiptar të shoqëruar me mesazhin e saj përkatës “Të ecim së bashku”. I krahasova këto këpucë me të dy popujt që janë në ecje dhe kanë dëshirë të ecin drejt paqes së bashku. Jam ndjerë shumë i lumtur që duke bërë këpucën shqiptare, lindi ideja që t’i dorëzohet edhe atit të shenjtë, vitin e parë pas vizitës në Shqipëri”, tregon artizani shqiptar.
“Një grup ku është Bashkia e Mantovës që mban këpucët shqiptare është gjëja që më ka emocionuar më shumë dhe ambasadori Visar Zhiti që mban këpucët italiane. Është shenjë e një vëllazërie dhe raporti të shkëlqyer”, rrëfen ai.
Ceremonia e dorëzimit të këpucëve Papës, u mundësua edhe nga presidentja e Komunitetit Shqiptar për Mantovën Anila Kaja e cila e organizoi atë në bashkëpunim me autoritetet në Mantova dhe ambasadorin e Vatikanit, si dhe Presidentin e konfederatës të shqiptarëve në Itali z. Ndue Lazri.

Po flamuri i vizatuar nuk eshte Flamuri zyrtar. Se paku per Papen eshte dashur nji flamur me flamurin zyrtar.